Enjoying our demo? Submit your e-mail and we will get back to you with personalised offer.

Përjetime

Demitizimi i UÇK-së nga mitizimet e shpifura për kUmandantat

Ibrahim Kelmendi 23/06/2018
Abstrakti
Texti i plotë

Demitizimi i UÇK-së nga mitizimet e shpifura për kUmandantat

“Rrno vetëm për me tregue“

At Zef Pllumi

 

Image

Ne foto: Bilall Sherifi, Danjean Arnaud (shef i drejtorise per ballkanit ne kuader te DGSE-se franceze), Hashim Thaci dhe une, fotografuar me 8.6.1999 ne Köln

 

Qysh kur është themeluar, kundër UÇK-së është bërë luftë speciale, pos tjerave, edhe duke i mitizuar kUmandantat e shpifur, që pastaj, emrat e tyre të (sh)përdorën për komprometim dhe diskreditim të UÇK-së.

Në këtë shkrim do të përpiqem të demitizojë UÇK-në nga mitizimet e shpifura për kUmandantat, meqë emërtimi kUmandant tashmë është popullarizuar si zhargon pezhorativ për ata që janë prezantuar rrejshëm si komandantë, por edhe për ata keqbërësit, të imponuar si komandantë, e që në fakt ishin anti-UÇK.

• Gjatë viteve 1980-a dhe në fillim të viteve 1990-a, janë shquar individë dhe grupe, që përpiqeshin të organizonin luftë çlirimtare. Në fillim të viteve 90-a, pasi Beogradi lejoi dhe sponsorizoi organizimin pluralist edhe të partive shqiptare, shumë anëtarë dhe rrethe të Lëvizjes (klandestine), aty e tutje, u përcaktuan për veprimtari të armatosur çlirimtare, meqë gjykuan se gara politike kundër partive “legale” (të regjistruara në Beograd) tashmë nuk kishte kuptim, edhe për faktin se ato i favorizonte pushteti i Beogradit, me tolërimin e veprimtarisë së tyre. Tjetra, edhe pse brenda Lëvizjes kishte pasur luhatje për shkrirje në parti “legale”. Rrjedhimisht, një mori individësh bënin përpjekje për të krijuar mundësi për organizimin e forcave të armatosura çlirimtare. Grupi i parë që kishte nisur të ndërtojë strukturat të organizuar çlirimtare ishte ai i Drenicës, në fillimin e vitit 1992. Ai udhëhiqej nga Adem Jashari, i cili ishte, po ashtu, anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Aksioni i ndodhur në Drenas, i njohur si “aksioni tek hekurudha” është ndër fillestarët e këtij përcaktim politik për veprim çlirimtar edhe me kryengritje të armatosur. Shembull tjetër është edhe grupi i organizuar rreth Zahir Pajazitit, i njohur më pas si Grupi i Llapit/Gollakut, veprimtaria e të cilit do të shtrihej edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera. Edhe në Dukagjin ishin organizuar Adrian Krasniqi e Luan Haradinaj, me bashkëveprimtarë. Ademi dhe Zahiri, në momente përkatëse, duhet të kenë shpresuar se edhe partitë “legale” do t’i përkrahnin në veprimtarinë e tyre të armatosur çlirimtare. Atë dëshirë e përpjekje të tyre po e shpërdorojnë tani edhe disa matrapazë, sidomos të LDK-së dhe Partisë Parlamentare, për t’i prezantuar Ademin dhe Zahirin si “prodhim” të atyre partive. Dhe për këtë po ofrojnë edhe pseudoprova, si atë të simulimit të ushtrimeve ushtarake në Shqipëri, në vitin 1991, ndonjë fotografi rasti, bile edhe bisedë rasti, ta zëmë në ballkon të një banesë në Prishtinë, siç (dez)informoi para ca ditëve Veton Surroi. Unë vazhdoj të dyshoj se ato ushtrime ushtarake duhet te kenë qenë të ideuar dhe të organizuara nga kuadrot e shërbimeve serbe, për t’i identifikuar të interesuarit, që t’i përndiqnin pastaj, dhe për të komprometuar nevojën për organizim të veprimtarisë së armatosur çlirimtare. Fatkeqësisht shumë prej të stërviturve në Shqipëri u arrestuan më vonë, sapo qenë kthye në Kosovë. Atyre tashmë u dihej hollësisht jo vetëm koha e ushtrimeve, por edhe numri i armës që kishin. Këto ishin dëshmi tronditëse! Ata që nuk u dekonspiruan dhe që në përgjithësi ishin në lidhje me Lëvizjen, formuan pastaj edhe grupet e para të rezistencës, siç ishte rasti i Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit.

Themelimi i herëpashershëm edhe i ndonjë organizimi, gjoja patriotik dhe klandestin, ka qenë taktikë e hershme e shërbimeve sekrete jugo-sllave, për të identifikuar e përndjekur shqiptarët e interesuar për angazhim çlirimtar. Qysh kur jam bindur se Sabri Novosella ishte marionetë e SDB-së (Ibush Kllokoçit), kam dyshuar se e ka simuluar LNÇKVSHJ. Ndërsa për PKMLSHJ e Abdullah Prapashticës, oficer madhor i SDB-së, e kam (dis)kualifikuar si krijesë komplotiste qysh kur jam informuar se atë “parti” e ka themeluar oficer madhor i SDB-së. Këta dy u përpoqën të komplotonin edhe Lëvizje, të cilën e patën themeluar më 17 Janar 1982 Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka...

Lëvizja, - pasi sfidoi komplotet e Sabri Novosellës dhe Abdullah Prapashticës, - ishte e ndërgjegjshme për atë lloj të komploteve të shërbimeve sekrete jugo-sllave, serbe dhe të KSAK-së, prandaj nuk iu bashkua “ushtrimeve ushtarake” në Shqipëri në vitin 1991, edhe pse ca anëtarë të saj morën pjesë!

Në ato rrethana të koklavitura Lëvizja vlerësoi se duhej t’u përgjigjej kërkesave dhe angazhimeve guerile-çlirimtare, të individëve dhe grupeve të saj, që ishin përvijuar qysh nga viti 1984, kur Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha iu kundërvuan me armë njësive speciale të KSAK-së (të komanduara nga Tahir Zema), me ç’rast qenë martirizuar.

Në mbështetje të këtyre përcaktimeve e përpjekjeve Kuvendi i Lëvizjes, i mbajtur në Prishtinë (në shtëpinë e prindërve të Fatmir Brajshorit), më 27 korrik 1993, mori Vendimin për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fatkeqësisht, si pasojë e dekonspirimit të pjesëmarrësve në atë Kuvend dhe ndjekjes së tyre nga strukturat policore serbe, u pamundësua përkohësisht zbatimit i atij Vendimi.

• Sipas përcaktimit statutar të Lëvizjes, kur ndodhnin sulme me pasoja të rënda ndaj strukturave udhëheqëse të Lëvizjes, deri në përtëritjen e tyre, koordinimi/udhëheqja i kalonte Lëvizjes-Dega jashtë vendi (LPK-D.j.v.). Prandaj, në nëntor 1993, Këshilli i Përgjithshëm (KP) i LPK-D.j.v. vendosi të zbatonte Vendimin e Kuvendit për formimin e ushtrisë. Për shkaqe të rrezikshmërisë dhe ruajtje konspiracionit, KP ngarkoi Kryesinë për ta zbatuar atë vendim. Ajo, në ndërkohë, formoi Sektor të rëndësisë së veçantë (SRV), më përbërje: Ali Ahmeti, Xhavit Haliti dhe Jashar Salihu. Pas zgjedhjes së Jasharit kryetar i Fondit Vendlindja Thërret, është bërë zëvendësimi i tij nga Azem Syla. SRV vepronte si ekip kolegjial. Kryesia e atëhershme e Lëvizjes, deri në maj 1998 përbehej nga: Fazli Veliu (kryetar), Muhamet Kelmendi (nënkryetar), Emrush Xhemajli (sekretar), Gafurr Elshani (arkatar), Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla, Rexhe Iberdemaj dhe Adem Grabovci (anëtarë).

Për ndihma e furnizim logjistik lidhjet me Grupin e Drenicës ishin përmes Fehmi Lladrovcit, me Grupin e Dukagjinit Sali Kelmendi dhe me Grupin e Llapit/Gollakut Sabri Kiçmari dhe Ali Rama. Ndërsa koordinues i atyre tre “grupeve” në kuadër të UÇK-së në formim, ishte Ali Ahmeti. Azem Syla dhe Xhavit Haliti patën formuar “grupin” e tyre, të përbërë nga Nait Hasani, Rexhep Selimi, Xheladin Gashi, Bislim Zogaj, Sokol Bashota.

Fatkeqësisht ose fatmirësisht, varësisht nga qasja, “grupit” të Xhaviti dhe Azemit nuk i kanë besuar pjesëtarët e tre “grupeve” të sipërpërmendura. Kjo bëri që, qysh në zanafillë të formimit të UÇK-së të përvijoheshin dy organizime paralele: “grupi” i Xhavitit dhe Azemit, që rezultoi si bandë sabotuese e komplotiste, pothuajse pa ushtarë e pa veprimtari guerile, dhe tri “grupet”, që koordinoheshin nga Ademi, Zahiri dhe Adriani, të cilat ishin bërthamat zanafillore të UÇK-së në Kosovë. Përveç tyre, ishte edhe një “grup” në Makedoni...

• Më 3 dhjetor 1993, KP i LPK-D.j.v., njëkohësisht, formoi edhe Fondin “Vendlindja thërret” (F.V.Th.), për të mbledhur ndihma financiare në emigracion për UÇK-në, tashmë në formim. Koordinatori i parë i Fondit qe zgjedhur Musa Xhaferri. Pas tij dhe deri në përfundimin e aktivitetit (qershor 1999), Fondit V.Th. u koordinua nga Jashar Salihu.

Në nëntor 1994, ushtrinë që po formohej, Kryesia e Lëvizjes e pat emëruar: Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Përveç ndihmave vullnetare nga emigrantët, ishte vendos edhe për një shumë obligative prej 1.000 DM/Sfr në vit, për çdo anëtar të Lëvizjes, që ishte i punësuar. Gjithashtu u vendos që 60 % e të hyrave nga anëtarësia dhe nga aktivitetet e LPK-D.j.v., të derdheshin në F.V.Th.

Pothuajse të gjitha këto mjete, gjatë viteve 1994-1997, i janë dorëzuar Xhavit Halitit, sepse me kalimin e kohës ai është imponuar si më autoritari në SRV, pavarësisht se në fillim ishte përcaktimi për angazhim kolegjial. Ai duhej t’ia përcillte ato ndihma UÇK-së në Kosovë...

 

• Qysh në verë të vitit 1996 na ndodhen disa “eksese”, që dekonspiruan parregullsi në menaxhimin e mjeteve të Fondit.

Nga “grupet” e Ademit, Zahirit e Adrianit na patën ardhur kërkesa në Kryesi të Degës së Lëvizjes në Gjermani, për t’i ndihmuar financiarisht, meqë nuk kishin marrë ndihma nga F.V.Th. Nga mjetet e F.V.Th., që i dorëzoheshin Xhavit Halitit, një pjesë modeste duhet t’u jenë dhënë pothuajse vetëm Nait Hasanit dhe Rexhep Selimit! Tjerat duhet t’i ketë shpërdoruar Xhaviti për rrojtje të tij në Tiranë (ndoshta edhe për ble banesa, siç po i zbulohen kohëve të fundit). Por, sa mjete u janë dhënë Naitit e Rexhepit, gjatë viteve 1994-97, ata nuk kanë raportuar asnjëherë. Ndërkohë, raportimet e Xhaviti në Kryesi të Lëvizjes dyshoj të kenë qenë mashtrime. Kështu, ai e ka shpërdoruar mirëbesimin e tepruar që Kryesia kishte ndaj tij.

Në vitin 1996 Kryesia më thirri në mbledhje, për të dhënë llogari, për shkelje të “centralizmit demokratik”, nga se Kryesia e Lëvizjes-Nëndega në Gjermani u kishe dërguar ca ndihma modeste tri “grupeve” në Kosovë. Aty dëgjova dezinformimin diskreditues të Xhavitit: “Ato tri grupe të komitashëve, që nuk pranojnë disiplinën dhe subordinimin ushtarak, nuk i kemi ndihmuat financiarisht, sepse nuk janë pjesë e UÇK-së...” (parafrazim).

 

• Gjatë vitit 1996 u shpeshtuan aksionet guerile të UÇK-së. Bartës kryesorë të atyre aksioneve ishin kryesisht pjesëtarët e të tri “grupeve” që koordinoheshin nga Ademi, Zahiri e Adriane. Për aksione të “grupit” të Xhavitit dhe Azemit kemi vetëm mitizime të legjendarizuara, por jo të dhëna konkrete (përjashto një rrëfim konkret të Rexhep Selimit, se kishte hedhë një granatë xhepi në oborr të refugjatëve serbë, të ardhur nga Bosnja, pasi kishte dalë nga byrektorja, përballë pallatit të Radio Prishtinës, sepse refugjatët ishin të vendosur në “pavilone” prapa Radio Prishtinës...).

Në janar 1997 policia serbe, fillimisht, arrestoi Nait Hasanin, i cili ishte caktuar nga Xhaviti si koordinator (komandant) i atij grupi (që tashmë po e quanin “shtabi qendror”). Dhjetë ditë më vonë, më 31 janar 1997, policia i vrau në pusi Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. Më 16 tetor 1997, në sulmin gueril, nga policia serbe u vra edhe Adrian Krasiniqi.

Për vrasjen në pusi të Zahirit ka pas dyshime dhe akuza, sepse, në fillim të janarit, në Tiranë, ishte takuar Zahiri me Azem Sylën, dhe, për shkak se Zahiri ka refuzuar komandimin nga emigracioni, ata duhet të jenë grindur mes tyre. Pastaj duhet të ketë ndodhur edhe një takim i Zahirit me Nait Hasanin në Prishtinë. Ndërsa ditën kur ka ndodhur vrasja e Zahirit me shokë, në stacion të autobusëve në Prishtinë, duhet të jetë takuar Zahiri me Bislim Zogaj (i cili është kooptuar në “shtabin qendror” përmes Xheladin Gashit, me miratimin e Azem Sylës).

Edhe sot e kësaj dite nuk është sqaruar, përse duhej Bislim Zogaj, me 31 janar, pas një thirrje telefonike që duhet të jetë përgjuar nga policia, të lente takim me Zahirin në orën 16, në Stacion të autobusëve në Prishtinë. Menjëherë pas takimit Bislim Zogaj është arrestuar dhe për një javë askush nuk e ka ditur se ku gjendet ai. Ndërsa Zahiri me shokët e tij, pas atij takimi, janë vra në pritë të parapërgatitur. Pra, duket sikur Zahiri është nxjerrë në atë pritë.

Edhe Rexhep Selimi nuk është deklaruar saktë. Sipas Xhavit Halitit, në këtë kohë Rexhepi ka qenë në Tiranë, ndërsa sipas vet Rexhepit, ai ka qenë në Drenicë... [Të interesuarit mund të informohen më konkretisht për këto ngjarje nga libri i Shkodranit Bedri Islami, “Enigma e një vrasje të trefishtë”.]

I kritikueshëm është hezitimi i të gjithëve, për të mos bërë kërkesë për hetime profesionale, institucionale, për vrasjen në pusi të Zahirit, Hakifit, Edmondit, edhe pse institucionet kompetente do të duhej vet të ndërmerrnin hetime për ato vrasje aq goditëse!

Këto vrasje dhe arrestimi i Naitit, - po ashtu një arrestim i dyshimtë pasi është kapë në afërsi të banesës, pak qaste pasi kishte drekua me Xheladin Gashin dhe të fejuarën e tij në një restorant në Prishtinë, por që banesa nuk duhet t’i jetë bastisur, - ishin goditje e rëndë për UÇK-në, në formim.

Tashmë SRV ankohej për shkëputje të lidhjeve edhe me “shtab qendror” të UÇK-së dhe, siç informova më lartë, nuk po vendoste lidhjet me “grupet e komitashëve”. Në fakt, “shtabi qendror” i Xhaviti dhe Azemit që “avulluar”, pas burgosjes së Naitit...

Edhe përforcimi i UÇK-së me Fehmi Lladrovcin dhe shokët e tij, të cilët kishin bërë kërkesë për të shkuar nga emigracioni për përforcim të UÇK-së, sabotohej nga Xhaviti dhe Azemi, me arsyetimin mashtrues se “shokët në Kosovë nuk kishin nevojë për njerëz...”

 

• Me 5-7 mars 1998 forcat e armatosura të Serbisë e rrethuan Lagjen e Jasharëve në Prekaz. Në atë rrethim, pas luftimeve tre-ditore, forcat serbe vranë e masakrua 56 Jasharë...

Epopeja e Jasharëve shkaktoi revoltë të popullatës patriotike. Ajo filloi të kryengritej në luftë të armatosur çlirimtare.
Fatkeqësisht vrasjet dhe burgosjet e kuadrove deri me 7 mars 1998 e goditën rëndë UÇK-në, ende në formim. Kështu, plasja e kryengritjes e gjeti UÇK-në të papërgatitur për të qenë në gjendje ta koordinonte.

 

• Pak ditë pas Epopesë së Prekazit anëtarët e Kryesisë së LPK-D.j.v. kaluan nga Perëndimi në Tiranë, për të koordinuar radhët e UÇK-së dhe kryengritjen, që po merrte përmasa të vrullshme. Ajo Kryesi tashmë po improvizonte një si shtab të UÇK-së, i cili e kishte humbur edhe atë pak funksionalitet që e kishte para janarit 1997. Kjo ishte një masë e vonuar e Kryesisë, pasi ajo duhej të kishte ndërtuar strukturat qysh kur u shfaqën problemet rreth financimit (1996) dhe u krijuan kontradiktat e para pas arrestimit të Nait Hasanit dhe vrasjeve të Zahirit me shokë, në janar 1997...

 

• Në Kosovë UÇK-ja po vetorganizohej në zona, edhe pse po i mungonte një shtab funksional dhe efektiv. Vetë pjesëtarët e UÇK-së, sidomos anëtarët e Lëvizjes, të angazhuar më herët, por edhe ata që po angazhoheshin pas shpërthimit të kryengritjes, po i organizonin shtabet në zona të tyre, duke caktuar edhe komandantët e atyre shtabeve. Dhe vetë ato shtabe po e koordinonin luftën çlirimtare në shumë anë të Kosovës, duke krijuar kështu një si shtab qendror, që përbëhej kryesisht nga komandantët e shtabeve të zonave – të cilin e emërtuan Shtabi i Përgjithshëm. Ai vetorganizim i vrullshëm ushtarak i dha përmasa, formë dhe përmbajte UÇK-së.

Fatkeqësisht konsolidimin profesional të Shtabit të Përgjithshëm po e sabotonte “shtabi i Rognerit” (emërtim pezhirativ sipas hotelit “Rogner” në Tiranë, buzë Kryeministrisë, ku Xhavit Haliti i bënte takimet e shumta komplotiste). Ai “shtab” komandohej nga Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Hashim Thaçi. Kishte edhe argatë te mashtruar dhe mercenarë. Kështu, për shembull, në Drenicë, nga Sylejman Selimi qe propozuar Fehmi Lladrovci për komandant, por Rexhep Selimi e kundërshtoi, me spekulimin: “Do të thonë njerëzit nuk paska mbet kush këtu dhe po vijnë nga jashtë me na komandua.” Ndërsa në rastin kur u caktua Shukri Buja, nuk u ndoq i njëjta taktikë...

Siç rezulton nga vëzhgimet që kam bërë deri tani, nga janari 1997 deri në qershor 1998 ndikimi në UÇK nga emigrantët ishte pothuajse inekzistent. Pas Epopesë së Jasharëve UÇK-ja filloi të merrte përmasa dhe formë ushtarake nga njerëz të përgatitur për luftë dhe që kishin autoritet. Ajo UÇK e Vegjëlisë çlirimtare po furnizohej me armatim nga Sektori i saj logjistik në Shqipëri, të cilin e kishin organizuar Adrian Krasniqi, Ilir Konushevci, Qerim Kelmendi me bashkëluftëtarët e tyre. Por, fatkeqësisht atij Sektori i kishin munguar dhe po i mungonin mjetet financiare, meqë Xhaviti dhe Azem Syla, jo vetëm që e kishin bojkotuar, por po ua rrezikonin edhe praninë fizike në Shqipëri të koordinatorëve të atij Sektori. Përndryshe përvojë dhe kapacitete njerëzore për të fut armë fshehurazi, nga Shqipëria në Kosovë, i kishin, po të kishin armë e municion të bollshëm.

 

• Kryesia e Lëvizjes, respektivisht shtabi i improvizuar në Tiranë, në javën e dytë të marsit 1998 ndërmori një mori vendimesh urgjente, ndër të cilat: ndihmat financiare për UÇK nga emigracioni të centralizoheshin në Kryesi dhe të menaxhoheshin prej saj, Ali Ahmeti të përkujdesej për sistemim të ushtarakëve që po vinin nga Kroacia, Bosnja, Sllovenia, Perëndimi, për t’u angazhuar në UÇK, dhe të tjera vendime që i kanë protokolluar në procesverbale të mbledhjeve.

Për shkak të shoqërimit të Fehmi Lladrovcit gjatë vitit 1996-97, kur takuam një mori ushtarakësh, për të koordinuar angazhimin e oficerëve në UÇK, unë u caktova ndihmës i Ali Ahmetit.

Nga momenti kur u vendos për centralizimin e ndihmave financiare, Xhaviti, Azemi dhe argatët e tyre, i zunë pritat në Aeroport të Tiranës dhe në Portin e Durrësit, që t’i grabitnin ndihmat të cilat transferonin veprimtarët e F.V.Th. Për t’i bind që t’ua dorëzonin mjetet, u prezantoheshin rrejshëm si komandantë të shtabit të përgjithshëm. Ata, kështu, e pamundësuan arritjen e ndihmave financiare në Kryesi të Lëvizjes, që pastaj të investoheshin për blerje të armëve, municionit dhe pajisjeve tjera logjistike për UÇK. Konkretizim sqarues: në javën e tretë të marsit 1998 Xhemal Fetahaj, anëtar i Kryesisë së F.V.Th., i angazhuar në Gjermani, pat transferuar në Tiranë 300 mijë DM. Në aeroport të Tiranës ai ia dorëzon Xhavit Halitit, meqë ai ende nuk ishte i informuar për vendimin e Kryesisë. Mëpastaj Kryesia dhe Xhemajli kërkuan nga Xhaviti t’i kthente ato mjete, por ai, tashmë, si mospërfillës e komplotist, refuzon.

Ndoshta të vetmet mjete që duhet t’i ketë poseduar ato ditë Kryesia, duhet të kenë qenë 270 mijë DM. Këtë shumë, dy veta, me vetiniciativë, ia kishin marrë me dhunë Bujar Bukoshit, në zyrën e tij në Bonn. (Ato mjete para ca ditëve Muhamet Kelmendi, atëherë nënkryetar i Kryesisë së LPK-D.j.v., i prezantoi në fcb si ndihma për UÇK-në, nga Bujar Bukoshi, duke e heshtur faktin, se nuk ishin ndihma, por para të grabitura me dhunë.). Me ato mjete u blenë armë e municion nga Sektori i logjistikës dhe u bënë financime të disa veprimtarive të tjera, ndërsa me mjetet e Fondit V.Th., që i grabitnin Xhaviti e Azemi, financohej komploti kundër UÇK-së dhe kundër Lëvizjes.

Vendimi i Kryesisë që Xhavit Haliti dhe Azem Syla të mos i menaxhonin më mjetet e Fondit, duhet t’i ketë alarmuar dhe nxitur ekstra Xhavitin dhe Azemin për të marrë vendime konkrete edhe kundër kolegëve të tyre në Kryesi. Në mbledhje të Kryesisë, në fillim të prillit 1998, ku isha i ftuar të raportoja për gatishmërinë e ushtarakëve për tu sistemuar në UÇK, Xhaviti ua përplasi në fytyrë kërcënimin vulgar shokëve të deriatëhershëm të Kryesisë: “Shtabi i UÇK-së nuk i njeh më vendimet e Kryesisë dhe ju duhet të largoheni sa më parë nga Shqipëria...” (parafrazim)

Ajo arrogancë e Xhavitit naivisht më pat gëzuar. Sidomos për shkak se nga viti 1991, kur Xhaviti e kishte penetruar në Tiranë mega marionetën e shërbimeve serbe, Hajdinë Sejdinë, për komplote të mëdha, po mundohesh të bind Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin dhe Gafurr Elshanin, se Xhaviti ishte marionetë e Beogradit, por ata, jo vetëm që nuk më mirëkuptonin, por edhe më hidhëroheshin për atë demaskim që ia bëja. Ata ishin përkrahësit kryesor të Xhavitit, edhe pse nuk ishin në gjendje të tregonin, si, kush, kur, e kishte penetruar Xhavitin në “ilegale”, pavarësisht faktit se në demonstratat e pranverës 1981, demonstruesit e kishin rrahur, meqë dyshonin se ishte kuadër i SDB-së. Tashmë, kur Xhaviti i kërcënoi dhe i komplotoi konkretisht, edhe këta u binden cili ishte Xhaviti i vërtet, por ishte vonë, dëmi tashmë ishte i madh, i pa riparueshëm, me pasoja të mëdha.

Ajo duhet të ketë qenë mbledhja e fundit e asaj Kryesie në Shqipëri. Edhe qëndrimi i qeverisë shqiptare ishte mospërfillës ndaj asaj kryesie. Gjatë gjithë kohe që kryesia ishte në Tiranë nuk ndodhi asnjë takim i saj, qoftë me ndonjë ministër. Përkundrazi, mbështetja e Xhavit Halitit nga kryeministri Nano, po i sforconi sabotimet e komplotet, që të kishin pasoja sa më të mëdha.

Për shkak të asaj gjendjeje u vendos të thirrej Kuvendi i jashtëzakonshëm i LPK-D.j.v., për të gjetur zgjidhje për gjendjen pas atij komploti.

 

• Dy-tri ditë pas Epopesë së Jasharëve, në Muzeun Kombëtar, në Tiranë, u organizua një tubim komemorativ. Meqë organizatorët më njihnin qysh prej vitit 1991, m’u lutën të gjeja folës që kishte informacion. E luta Azemin, me mendimin se ka njohuri për Jasharët, por ai e as Xhaviti as që morën pjesë. Arsyet i dinë ata, por edhe unë e dija një version që e kishte paraqitur Xhaviti qysh në mbledhje të Kryesisë, në vitin 1996: Vëllezërit Hamzë e Adem Jashari ishin komitash, nuk pranonin disiplinë e subordinim ushtarak, prandaj nuk ishin pjesëtarë të UÇK-së, dhe si të tillë, nuk përkraheshin financiarisht, as me armatim e municion. Akoma më skandaloze: Të hollat, 50 mijë DM (kundërvlera e 25 mijë eurove), që Rifat Jashari (Vëllai i Hamzë dhe Adem Jasharit), me familjarë, farefis, miq e shokë, i kishte grumbulluar në Gjermani, pak javë para se të ndodhte ajo Epope, i janë dorëzuar Azem Sylës në Tiranë nga Lulzim Jashari, Djali i Ademit, dhe Ramiz Lladrovci, duke përcaktuar edhe listën e armëve që duheshin blerë dhe dërguar në Drenicë. Në fakt, asnjë armatim nuk shkoi në Drenicë dhe deri më tash Azem Syla nuk ka dhënë llogari, çfarë ka bërë me ato 50 mijë DM!

 

• Pesë-gjashtë ditë pas Epopesë së Jasharëve, Hashim Thaçi dhe Kadri Vesli, respektivisht kUmandantat Gjarpni dhe Luli, deri atëherë anonimusa në Zvicër, të shoqëruar edhe nga kUmandant Dervishi (Burim Marmullaku), na takuan në Hotel “Tirana” në Tiranë mua dhe Qerimin (Vëllain tim), atëherë i njohur me nofkën Dema. Ata kërkuan nga unë që të ndikoja te Qerimi t’u subordinohej ushtarakisht Gajrpnit, Lulit dhe Dervishit. Në pyetjen, çfarë përgjegjësie kishin dhe kush i kishte emëruar, ata nuk qenë në gjendje të informonin, ose u rezervuan qëllimisht, sepse, në fakt, ata vetëm simulonin dhe imponoheshin pa qenë të emëruar apo të caktuar nga ndonjë institucion ose strukturë kompetente. Ata e dinin se unë isha i informuar për gjendjen dhe njerëzit në UÇK dhe Lëvizje, kurse Qerimi i njihte ata qysh nga angazhimet e tyre të para në kuadër Lëvizje, si kolegë studentë që kishin qenë, e deri kur Hashimi e Kadriu ishin arratisur. Takimi përfundoi pa marrëveshje.

 

• Më 11 mars 1998, Fehmi Lladrovci, bashkë me bashkëshorten, Xhevën, me bashkëluftëtarët Bekim Berisha (“Abeja”), Ismet Jashari (“Kumanova”), Abedin Rexha (“Sandokani”), Xhelal Hajda, Mirush Daka, Kadri Hamiti, Agim Bajrami, Haxhi Shala, Sami Lushtaku, Shukri Buja e të tjerë (ca thonë se edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Fatmir Lima ishin me ta), depërtojnë fshehurazi në Kosovë. Kjo hyrje e Fehmiut me këta bashkëluftëtarë, do t’i shqetësonte ekstra kUmandantat e “shtabit të Rognerit”, Xhavitin dhe Azemin. Ata dinin për përvojën që kishin Bekimi dhe Fehmiu, prandaj druanin se do t’ua “grabisnin” UÇK-në. Aty e tutje “shtabi i Rognerit” u angazhuan për t’u bërë sa më shumë sabotime e komplote Fehmiut dhe Bekimit me bashkëluftëtarë, gjegjësisht gjithë UÇK-së në Kosovë. Angazhimi i tyre eskaloi deri aty, sa kUmandant Rexhep Selimi ka dhënë urdhër për dëbimin e Bekim Berishës nga Kosova! Megjithatë poshtërsia tipike “kosovare” e anashkalon edhe këtë krim dhe një subjekt partiak krenohet me kUmandant Rexhep Selimin!

Ky lloj përcaktimi i kUmandantave kundër Fehmi Lladrovcit me bashkëluftëtarë, ishte përvijuar më herët. Në nëntor 1996, Fehmiu pat bërë kërkesë në Kryesi të Lëvizjes, t’i jepej leje të hynte në Kosovë, bashkë me disa bashkëveprimtarë, për t’u angazhua si përforcim në UÇK. Fatkeqësisht, Kryesia e prolongon vendimmarrjen, meqë kundër hyrjes së Fehmiut në Kosovë, ishin kUmandantat Azem Syla dhe Xhavit Haliti; ata druanin se hyrja e tyre në Kosovë do t’ua minimizonte mundësitë për kapje të UÇK-së, në formim.

Vetëm në fund të marsit 1997 Fehmiut i miratohet kërkesa për të hy në Kosovë. Me 6 maj 1997, duke bërë përpjekje për të kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë, afër Vlahnës, ata hasin në pritë të kufitarëve të Shqipërisë. Bashkë me Fehmiun ishin Luan e Ramush Haradinaj, Rafet Rama, Selim Krasniqi, Abedin Rexha, Ramiz Lladrovci, Emrush Xhemajli, Gani Rama, Ali Ahmeti. Sapo kanë kaluar kufirin, janë ballafaquar me pritën serbe, nga e cila vritet Luan Haradinaj, i cili kishte marrë përsipër t’i printe grupit në atë depërtim në Kosovë, ndërsa plagosen Rafeti, Fehmiu e Ramushi...
 

(Digresion:)
Meqë më 11 qershor e pash afishimin përkujtues të Jakup Krasniqit, në FCB, me rastin e 20-vjetorit të dalës së tij të parë si zëdhënës i UÇK-së, mua m’u kujtua edhe ky komplot i “shtabit të Rognerit”, që kishte ditur ta gjente Jakupin, për inat, njëherit për përforcim të luftimit të Fehmi Lladrovcit, me të cilin Jakupi ishin grindur qysh në maj 1998, kur Fehmiu e kishte lutur Jakupin ta mbyllte shkollën në Drenas, sepse ishin në luftë dhe po rrezikoheshin nxënësit, ndërsa Jakupi, atëherë “pacifist” i LDK-së, kishte kundërshtuar...

Po i sjelli këtu, dy komente, që i bëra në përkujtimin që kishte afishuar Jakupi:

“Baca Jakup, përgëzime për këtë përvjetor, të lumtur për Ty!

Ndoshta e mban mend vizitën që e pate bërë, i shoqëruar me ‘ambasadorin’ Mujë Rugova, në zyrat e Fondit ‘Vendlindja thërret’, në kryeqytetin e atëhershëm gjerman, Bonn? Duhet të ketë qenë muaji maj 1998.

Ishte njoha jonë e parë fizike. Përndryshe, në prag të Konferencës së Rambujesë, kur ‘shtabi i Rognerit’ po impononte ‘përfaqësuesit’ e UÇK-së për Konferencë, të pata telefonuar që të sugjeroja Bardhyl Mahmutin për anëtar të delegacionit, si më të përgatiturin nga të gjithë ata që po impononte ai ‘shtabi i Rognerit’. Ti u përgjigje se nuk mund të ndikoje që të miratohej propozimi im për Bardhylin.

Meqë Ti, bisedën në atë vizitë që na bëre në zyrë të FVTh e pate filluar me një humor ironik, i zhgënjyer se nuk ishim shumë veprimtarë që të prisnin Ty, siç kishte propaganduar profesori Mujë Rugova, me pate pyetur për vlerësimin tim për kuadrot e UÇK-së dhe të ‘qeverisë së përkohshme’, duke thënë se kishe dëgjuar që unë i bija trup.

Përgjigja ime ishte: “Po e shprehi vlerësimin vetëm për Ju të dyve, meqë jeni këtu. Edhe sikur UÇK-ja me konkurs të kërkonte njeriun më të papërshtatshëm për zëdhënës, nuk do të kishte mundur ta gjente një tjetër, pos Ty, sepse Ty, po te të dëgjonin edhe Muja e Halili duke folur, koçët për tokë do t’u vareshin. Përndryshe, zëdhënësi i UÇK-së do të duhej të ishte orator i zoti, dhe të dinte t'i thoshte vetëm ato që duhet të thuhen. Kurse për profesorin Mujë, sikur me konkurs të kërkohej njeriu më i papërshtatshëm për të qenë ambasador i Kosovës në Gjermani, patjetër që do ta fitoje Ti, Profesor, meqë Ti pos haxhovishtës, që është gjuhë lokale e fshatit Tënd, Haxhaj, në Rugovë, nuk zotëron asnjë gjuhë tjetër...“

Druaj që ‘shtabi i Rognerit’ të ka pas emëruar Zëdhënës të UÇK-së, për intat të Fehmi Lladrovcit, meqë ai “shtab” donte ta përforconte krahun kundër Fehmiut...

Edhe fotografia që paske afishuar ngjaka me atë vlerësimin që ta kam bërë atëherë – tejet snobiste...

Ju falënderoj tani për atëherë, që nuk u hidhëruat, Ti as Profesori Mujë.

Shëndet dhe mbarësi.”
Dhe komenti tjetër:

“Baca Jakup, ka me të pëlqye edhe një ndodhi ‘pikante’, që e pate shkaktuar Ti, kur i pate dhënë intervistë serbofiles Renate Flottau (gazetare e Revistës gjermane Der Spiegel). Ti, naivisht, ishe prononcuar që UÇK-ja po luftonte për bashkim me Shqipërinë. Redaktori i revistës, rubrika për Europë Juglindore, Roland Schleicher, ma dërgoi intervistën para publikimit, i skandalizuar nga prononcimi yt. E kisha mik qysh nga koha e studimeve. E luta ta modifikonte paksa, para se ta dorëzonte, si version final, për t’u shtypur. E modifikoi. Pasi është botuar intervista është ankuar Renata, meqë pikërisht ajo deklaratë për bashkim i duhej asaj. U bë sherrnajë ai modifikim. Pas pak kohe, pronari i revistës e pat larguar nga puna redaktorin Schleicher, si ndëshkim për modifikim të intervistës...”

 

• Po më 11 mars 1998, rreth orës 9, duke qenë në terasë të lokalit Çaplini në Tiranë, shoh në trotuar një djalosh sportiv, të gjatë, me flokë sipër shpine, të lidhur mbrapa. E vlerësova për kuller emigracioni. E thirra. U tregua mospërfillës. Iu afrova dhe ia ledhatova shpatullën. E luta të pinte kafe me mua. Me tha ta lë rehat, në hallet e tij. Kur nisa ta tërheq për krahu, tha se po shihte cilin taksi ta marrte, për të shkuar në aeroport, meqë do të shkonte në Zvicër, nga se prej vitesh jetonte në Gjenevë. I thashë, pa pi kafe, nuk shkon dot. E hutoi insistimi im i marrë, sidomos kur i thashë, se po i iku aeroplani, për shkak të kafesë, do ia kompensoja dyfish biletën. “Ok, dy-tre minuta”, - qe përgjigjur. Kur u ulëm, u prezantua: “Bekim Shyti i Oshlanit të Vushtrrisë...”

Nuk thuhet kot se rasti është mbret i botës!
Ai ishte ardhur në Tiranë për të takuar njerëz të UÇK-së, që t’ua jepte negativin e fotografive që e kishte mbush me shkrepje gjatë varrimit të Jasharëve të martirizuar. Njëherit donte të armatosej dhe të kthehej për të luftuar. Nuk kishte takuar asnjërin, prandaj ishte dëshpëruar. Mbeta pa tekst, sepse nuk po më besohej që pikërisht ai kishte marrë pjesë në varrim dhe kishte sjellë negativ me fotografime, kur për atë Epope ende nuk kishim informacion konkret. Ia kërkova biletën e aeroplanit. E kishte ble atë mëngjes. E futa në xhep. Ia kërkova negativin. “Nuk ta jap, se nuk po të njoh”, - më kundërshtoi. E luta ta dërgonim të fotografisti, në anën tjetër të Bulevardit. Shkuam bashkë. E luta mjeshtrin të na i sillte fotot në “Çaplin”. Bekimi këmbënguli të rrinte aty. Kishte merakun mos po i dëmtohej shiriti celuloid. Sapo filluan të dalin fotot e para, pash ustain t’i rrjedhin lotët...

I telefonova redaktorit të RTK-së, Asllan Bajramit, të takoheshim. Bekimin e binda se duhej të rrëfente në televizion për llahtarinë që kishte përjetuar gjatë varrimit të Jasharëve. Kundërshtoi, me arsyetim se nuk kishte fol asnjëherë para kamerave dhe nuk kishte kuptim të delte me atë paraqitje. E binda se pikërisht ai origjinalitet kishte rëndësi. Na pritën Asllani dhe Besa Çeku. Përgatitën prezantimin, që ta emetonin në mbrëmje. Atë natë Shqipëria u shkreh në vaj, sepse ishte herë e parë që po shihnin fotografi të masakrave aq barbare.

Nga ai emetim, ato fotografi morën botën...
Të nesërmen na u hapën rrugët në një Shqipëri tjetërfare.

Bekim Shyti u skalit Hero në mendësinë time, nga ata që mbijetuan luftën. U stërvit shpejt për komandos, në një ambient të përshtatur në afërsi të Qerretit (Kavajë). I stërviste ushtaraku Kadri Kastrati, për të cilin thuhej se kishte stërvitur edhe komandos të Libisë, në kuadër të JNA-së. E pat arrestuar policia në Tropojë, bashkë me Qerimin (Kelmendi) dhe komandos tjerë, para se të arrinin te kufiri për të hy në Kosovë. Luta kUmandant Xhavit Halitin të intervenonte për lirim të tyre. U ndie i bezdisur, përse e luta, duke me thanë me tonë arrogant, të mos e bezdisja më me të tilla aventura.

Aksidentalisht ndodhi intervenim fatlum, përmes zv-drejtorit të përgjithshëm të Policisë Shqiptare, gjirokastritin Ilir Çano. Shkova në Ministri të brendshme për te takuar Ministrin. Më thanë që Drejtori i përgjithshëm i policisë mund të intervenon, ministri nuk është kompetent. U ngjita të zyra e Drejtorit Sokol Bare. Nuk e gjeta në zyrë. Po e prisja të dera. Rastësisht doli nga zyra e tij Iliri Çano, dhe me pyeti, përse po prisja para zyrës se Kolit, siç e thërrisnin Sokol Baren. Sapo zura t’i tregoj, me tha prit, me trego sa të hymë në zyrën time. U zemërua kur ia rrëfeva arrestimin e Vëllait Qerim me grupin e komandosëve, gjatë rrugëtimit për të hy në Kosovë. Çano telefonoi menjëherë shefin e policisë në Bajramcurr. E urdhëroi t’i lironte. Bile urdhëroi të mos ndodhnin më të tilla arrestime, por të këshilloheshin luftëtarët që të mos binin shumë në sy, për shkak se kritikonin ndërkombëtarët.

Ditën pasuese Bekimi me bashkëluftëtarë hyri në Kosovë, luftoi, u plagos shumë herë, si Komandos dhe si Komandant, por nuk iu largua Luftës (përjashtim ditët e qëndrimit në Spital Ushtarak në Tiranë, për mjekim urgjent të plagëve!)

Ky është komandanti fisnik, karakteristik, i UÇK-së së Vegjëlisë së Kosovës, si qindra të tjerë, e jo si kUmandantat e shpifur të “shtabit të Rognerit”!

Shembuj si të Bekim Shytit kishte gjithandej në Kosovë: Iliaz Kodra, Fehmi Ladrovci, Bekim Berisha, Agim Qela, Mujë Krasniqi, Rasim Kiçina, Ismet Asllani, Ismet Jashari, Bislim Zyrapi, Mensur Kosumi, Naim Maloku, dhe dhjetëra të tjerë, që nuk po ua konkretizoj dot emrat të gjithë meritorëve, të martirizuar e të mbijetuar. Nuk mund të anashkalohen dot ushtarakët nga Shqipëria londineze: Tahir Sinani, Dilaver Goxhaj, Adem Shehu, dhe të tjerë kolegë të tyre të devotshëm, që ishin pjesë aktive e UÇK-së në Kosovë!

Të tillë Komandantë, të martirizuar dhe të mbijetuar, e organizuan UÇK-në e Vegjëlisë, ata, bashkë me të gjithë ushtarët e bënë edhe historinë e saj famëmadhe!

 

• Pasoi një incident rastësor, tepër primitiv. Në lokalin “Piaza”, prapa Muzeut Kombëtar, në Tiranë, takova “Dajën e vogël”, gjegjësisht Azem Sylën (“Daja i madh” ishte Fazli Velia, kryetari shumëvjeçar i Kryesisë së LPK-D.j.v.). Kërkesën e tij për takim e pata (keq)kuptuar si dëshirë për t’u shfajësuar për një irritim që më kishte shkaktuar, më 22 shkurt 1998, dhe për të më komunikuar diç me rëndësi, në “konfidencë”.

Pasi kishim kryer mbledhjen e KP të Lëvizjes në Zvicër, më 21 shkurt 1998, u fola të madhe pjesëmarrësve, se po shkonim për Tiranë me Refik Hamitin dhe nëse kishin gjë për të dërguar atje, mund të na jepnin. Azemi tha se do të na jepte ca këpucë alpiniste. Të nesërmen, në aeroportin e Cyrihut takuam Azemin me një thes në dorë. Menduam se ka dalë të na i jepte këpucët, por jo, ai fluturoi vetë për Tiranë. E kritikova pse po shpenzonte, kur mund t’i dërgonim ne.

Tani në takim në “Piaza” zuri të rrëfente se si ishte dërmuar duke bajt “hekura”, siç e quante ai armatimin. E këshillova, nuk kishte nevojë, meqë ishte i moshuar dhe kishte Sektor të logjistikës. Duke belbëzuar, më thotë: “Po detyrohem, meqë më kanë emëruar kUmandant të përgjithshëm të UÇK-së.” (parafrazim) Humba përmbajtjen. I fola me zë kërcënues: “Po të dëgjova edhe njëherë duke mashtruar edhe të tjerë, do të grushtohemi, ndërsa kësaj radhe po të fali...” U largova i mllefosur deri në tepë të kokës. Megjithatë, si marionetë që ishte, në vend që të egërsohej, ai vazhdoi të mirësillej, si taktikë, deri sa ta realizonin komplotin.

 

• Gjatë javës së dytë të marsit 1998, pas Epopesë së Jasharëve, u ndërgjegjësuan edhe disa ushtarakë patriotë, që ishin arsimuar dhe kishin qenë pjesë e ushtrisë jugosllave. Këta ushtarakë vinin kryesisht nga Bosnja, Kroacia, Sllovenia dhe nga Perëndim. Po i përmendi disa emra që po më kujtohen tani, duke kërkuar ndjesë për ata që nuk do t’i përmend: Naim Maloku, Xhafer Jashari, Bislim Zyrapi, Halil Bicaj, Agim Qela, Agim Haziri, Agim Ramadani, Xhafer Kabashi, Fuad Ramiqi, Miftar Zyba, Ahmet Alishani, Agim Ramadani, Xhafer Gashi, Fadil Demiri, Ramadan e Binak Gashi dhe të tjerë. Disa ushtarakë fillimisht donin të sqaroheshin me “kryeministrin” Bujar Bukoshi. Atyre, si gjithë popullit, për shumë vite u ishin zhurmuar veshët dhe nga ai zhurmim u ishte mbushur edhe mendja, se Kosova kishte institucione shtetërore, edhe pse ishte fjala vetëm për simulime, që i toleronte pushteti i Millosheviqit, në kuadër të taktikës: të harxhohej në mënyrë të kontrolluar revolta e shqiptarëve, pa pasur nevojë për përdorim të dhunës policore e ushtarake, për t’i mbajtur të pushtuar. Shemsi Reçica ishte angazhuar para pak muajve këshilltar i Bujar Bukoshit. Për shkak të miqësisë së hershme, e luta Shemsiun ta bindte Bukoshin për një takim me ushtarakët. Pas ca peripecive ndodhi takimi, më 18 mars 1998, në ambiente të “zyrës së Kosovës” në Tiranë. Merrnin pjesë rreth 20 ushtarakë. Ishim edhe unë e Ali Ahmeti pjesëmarrës, si “palë” e ushtarakëve. Kërkesa ultimative e shumicës së ushtarakëve ishte që Bukoshi ta ndërronte kolonelin Ahmet Krasniqi, meqë ata nuk pranonin t’i subordinoheshin atij, gjegjësisht, të komandoheshin nga ai. Këtë qëndrim e mbështetnin në bindjen se ai kishte qenë marionetë e Beogradit edhe gjatë luftës në Kroaci. Bukoshi këmbëngulte që “pika”, - siç e quante ai Ahmet Krasniqin, edhe duke mashtruar se ate, tashmë, e kishte caktuar Prishtina (që duhej të vetëkuptohej “presidenti” Ibrahim Rugova), - ishte ministër i Mbrojtjes dhe komandant i FARK-ut (akronimi famoz për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës). Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Aty e tutje filloi të përvijohej përcaktimi i ushtarakëve, angazhimi në UÇK apo në FARK. Angazhimi në FARK ishte më tundues, për ata që preferonin mercenarizmin, sepse në FARK paguanin paga mujore.

Duke e parandie rrezikun nga komplotet diversioniste të FARK-ut, e diskutuam me ca ushtarakë taktikën që 5-6 veta duhej të angazhoheshin në Shtab të FARK-ut, si masë preventive që të pengonin provokimin e ndonjë lufte të armatosur të FARK-ut kundër UÇK-së. Besimin për ta diskutuar këtë taktikë e kisha në ushtarakë që kishin qenë bashkëveprimtarë të Fehmi Lladrovcit, ndaj të cilëve ai vazhdonte të kishte besim të madh: Xhafer Jashari, Fadil Demiri, Ramadan Gashi. Këta u dakorduan dhe u morëm vesh që të gjenin edhe dy-tre kolegë ushtarakë, dhe së bashku të pozicionoheshin sa më afër Ahmet Krasniqit, në shtabin e tij.

Dyshimet që FARK-u po formohej si strukturë komplotiste, diversioniste, i bazonim në mënyrën ad hoc të organizimit të tij. FARK-u nuk ishte një organizim i përvijuar gjatë viteve të “shtetësisë paralele” të Kosovës (1991-1998), por krijesë që bazohej në nismë të Ahmet Krasniqi, më 3 mars 1998. Në fakt, ishte simuluar një përpjekje, në vitin 1991, nga ca krerë të LDK-së, për të krijuar “forca të armatosura”, por, meqë ishte konsumuar ai simulim komplotist, ishte ndërprerë, me pasojat që i ka lënë pas. Ndërsa edhe “ministri i mbrojtjes”, Nikë Gjeloshi, i revoltuar për shkak të mospërfilljes, kishte dhënë dorëheqje qysh në maj 1995.

Më 3 mars 1998, Ahmet Krasniqi kishte vizituar ca kolegë të tij në Zvicër, dhe bashkë me ta kishin formuar “grup koordinues”, që iu “imponua” Bujar Bukoshit, në takimin që patën dy ditë më vonë, më 5 mars. Ky organizim i rrufeshëm po ndodhte paralelisht me planin ushtarak serb, për të sulmuar Jasharët. Dhe, po ndodhnin vendimmarrje të rrufeshme, që ngjanin se po zbatoheshin urdhra nga të njëjtit eprorë serbë, që të kishin një strukturë rezervë, komplotiste e diversioniste, nëse do të plaste lufta çlirimtare në Kosovë.

Sigurisht që FARK-un e vlerësuam si strukturë të rrezikshme, meqë mbrapa kishte potencial të madh financiar dhe kadrovik, kishte edhe mitin e shpifur: “institucionalizmi shtetëror”.

 

• Takim i parë me Fatos Klosin ndodhi në javën e tretë të marsit. Rastësisht isha mysafir te Vuthjanja Vera (Sadik) Bekteshi (ish-Komisar i Ushtrisë së Shqipërisë, por i burgosur dhe i dënuar me shumë vite burg në vitet e 70-ta). Aty erdhi Prof. Fatos Klosi, atëherë kryeshef i Shërbimit Informativ Kombëtar të Republikës së Shqipërisë (SHIK). U njoftuam. Shprehi keqardhje, pse po ndihej keq para kolegëve të shërbimeve simotra perëndimore, që nuk po mund t’u ofronte ndonjë informatë konkrete për UÇK-në. Kishte takuar Raif Gashin dhe Shaip Mujen, por nuk kishte mësuar gjë konkrete prej tyre. E kishte lutur Xhavit Halitin të takoheshin, por Xhaviti kishte refuzuar, me arsyetim se po e informonte kryeshefin e tij, kryeministrin Nano.

Për të mos dalë krejt pulë e lagur nga ajo bisedë, e gënjeva se Lëvizja e kishte caktuar Xhavitin si përfaqësues të saj në Tiranë dhe i premtova se do ta bindi të bisedonin. Në atë ndejë rasti i rrëfeva ato që dija. Kur u ngritëm për të shkuar, në momentin që po i afrohej xhipit, më tha më zë paksa përgjërues: “Shoferi do të martohet, por ka nevojë për 10 mijë dollarë, për ta bërë dasmën. Po patët, do ju lutesha ta ndihmoni.” (parafrazim)

Shumë me zhgënjeu, meqë sa kohë biseduam brenda, më nxiti simpati për patriotizëm fisnik dhe për virtyte njerëzore. Ndërsa intelektual ishte për të qenë, meqë ishte ligjërues universitar për fizikë.

Shkova në drejtim të Selisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, çelësat e të cilës na i kishte dhënë kryetari i Lidhjes, Poeti Xhevahir Spahiu. Ai ofroi ambientet e saj, deri edhe kabinetin e kryetarit, në dispozicion për të koordinuar veprimtarinë tonë. Në afërsi takova Xhavitin, Azemin dhe dy-tre veta të Kryesisë. Duhet të kenë qenë Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti, Gafurr Elshani. U fola për bisedën rastësore që kisha me Prof. Klosin. Xhaviti foli i inatosshëm: “Përse i futë hunët ku nuk të takon. Unë kam marrëdhënie me kryeshefin e tij, nuk më duhet Klosi...”

Ishte një grindje aksidentale mes armiqve të kamotshëm, por që taktizonim, siç thuhet, pa pas besë t’ia kthenim shpinën njëri-tjetrit...

 

• Pas betejës në Gllogjan, më 24 mars 1998, Ramush Haradinaj arratiset dhe strehohet në Shqipëri. Ai po kërkonte fajtorët, përse nuk ishin hyrë në Kosovë ushtarakë, si përforcim profesionistë, meqë, tashmë, duhej të ishte në dijeni se ushtarakët po prisnin në Tiranë për t’u sistemuar. Në Tiranë ai, përmes kushëririt të tij, Nasim Haradinajt, i cili tashmë ishte bërë argat i “shtabit të Rognerit”, duhej të ishte takuar me Xhavit Halitin. Këta dy, Nasimi dhe Xhaviti, duhej ta kishin dezinformuar Ramushin, se Ibrahim Kelmendi po sabotonte hyrjen e ushtarakëve në Kosovë, duke i mbajtur ata në Tiranë, me para të popullit. Ndërsa e vërteta ishte, se ushtarakët kishin filluar të humbnin durimin duke pritur sistemimin. Unë, që përkujdesesha për strehim të tyre në Tiranë, nuk ua tregoja të vërtetën - mungesën e shtabit, nga i cili ushtarakët pritnin të sistemoheshin, sepse nuk dëshiroja t’i dëshpëroja. Shtabi që po formohej në Kosovë, ende nuk ishte bërë në gjendje të merrej edhe me sistemimin e ushtarakëve që po pritnin në Shqipëri, ndërsa “shtabi i Rognerit”, me kUmandantat “zeka”, “daja” dhe “gjarpni”, ishte i përcaktuar dhe angazhohej, si e si ta bllokonte Sektorin e logjistikës, që të mos furnizonte me armatim UÇK-në, si t’i zhgënjente ushtarakët, bile edhe duke i denigrua me akuza e shpifje ordinere, që të mos pritnin të sistemoheshin, e të tjera sabotime e komplote të ngjashme.

Ramushi nuk qe interesuar të më takonte edhe mua, që t’i vërifikonte diezinformimet që duhet të ia kishin thënë Nasimi e Xhaviti, por, me turr prej harambashi, ka shkuar te bujtina “Tafili” (në Tiranë), ku ishin strehuar një pjesë e ushtarakëve dhe i ka fye e sharë ata që i kishte gjetur aty, me zhargon që përdorin rrugaçët ordinerë. Kur shkova unë, pastaj, gjeta Mensurin (Kasumi) duke qarë. Me treguan perse po qante. Ishte Luftëtar me nëntë plago në trup, nga lufta në Bosnje, prandaj ishte më emocional se të tjerët. U zemërova deri në egërsim. I telefonova Ramushit që të takoheshim për t’u sqaruar, por plasi grindja mes nesh në telefon, e cila eskaloi deri në sharje e kërcënime të ndërsjella, të cilat nuk i kemi sqaruar e pleqëruar asnjëherë...

Në ditët pasuese, Ramushi duhet të jetë informuar, cila ishte e vërteta, sepse pasoi armiqësimi i tij ndaj Xhavitit dhe Nasimit. U fol se i kishte lëshuar urdhër arresti Nasimit, për dezertim, por ushtarakëve, që i kishte sharë e denigrua, as mua, nuk na ka kërkuar ndonjëherë falje, meqë nuk e lejon krenaria e shpifur prej harambashi...

Pas largimit tim nga Tirana, jam informuar se ushtarakët pyeteshin nga kUmandantët, kush i ka thirr me u angazhua në UÇK. Në qoftë se ishin nga njerëzit me karakter labil, i angazhonin si argatë. Ndryshe i refuzonin. Bile, duhet t’i kenë detyruar të nënshkruanin deklaratë se i bindeshin urdhrave të “shtabit” (të Rognerit), etj. Mensur Kosumi ka dëshmua se kur e kanë pyet kush e kishte thirr, ishte përgjigj: “Fehmi Lladrovci...”!. Atëherë e kanë pyet se si e njeh Fehmiun. U është përgjigj: “Me i pas dhanë Zoti edhe tre Fehmi Lladrovca, Kosovën kaherë do ta kishim të lirë”. Mensurin e kanë mbajt ekstra në distancë...


• Arif Vladi ato ditë marsi shpesh me takonte në lokalin Çaplin. Në një moment me thotë se kishte dëshirë të bënte një këngë-marsh për UÇK-në. Në pyetjen time arrogante, kush po e ndalon, thotë se i duheshin të paktën 500 dollarë për tekstshkruesin dhe kompozitorin. E tha paksa i ndrydhur. Nuk e pata idenë për rëndësinë e marshit, por që ta heqja qafe, ia dhashë 1000 dollarë. Pas dy ditëve me thotë se është në përfundim dhe se po realizohej një marsh i mirë, motivues e mobilizues.

Në ditën pasuese mu ul kUmandant Azem Syla në tavolinë në lokalin Çaplin, për të simuluar sikur nuk ishte i armiqësuar ndaj meje. Taktizime të ndërsjella praktikonim. I them se po realizohej një këngë-marsh për UÇK-në. Prapë, i pa mbushur mend, më thotë se do të duhej të merrej leje paraprakisht nga ai, prandaj nuk do të pranohej. E përzura nga tavolina...

 

• Duhet të ketë qenë java e tretë e marsit 1998, kur Ruzhdi Saramati dhe Qemal Idrizi më takojnë në Tiranë, për të kërkuar përkrahje për veprimtarinë e tyre. Ata, në marrëveshje me Ilir Konushevcin, kishin formuar një ekip për të futur armatim e municion në Kosovë, në rajonin e Hasit të Shqipërisë. Kërkuan t’u siguroja një barkë gome (gomone), sepse u duhej për kalim të Drinit, dhe mjete financiare, për të zënë një shtëpi me qira, ku do të strehoheshin dhe do ta koordinonin veprimtarinë. Mora kontakt me Refik Hamitin në Gjermani, i cili tashmë ishte specializuar për gjetje të uniformave ushtarake, për përgatitje profesionale të emblemave të UÇK-së, për gjëra logjistike për të cilat kishte nevojë ushtria. Porosita të na dërgonte gomone. Meqë ishte shumë operativ, gomone kishte ardhur shpejt në Tiranë, por argatët e “shtabit të Rognerit”, që kujdestaronin në Portin e Durrësit për të pritur tragetet që vinin nga Italia, që t’i grabitnin ndihmat financiare dhe gjësendet logjistike, e kishin marrë gomonen dhe e kishin vendosur në depo. “Shtabi i Rognerit” kishte ngarkuar Shaip Mujen si shef të depos. Pas ca ditëve Refiku telefonon të pyet nëse gomonia po i plotësonte kushtet. Pyes Shaipin. Thotë, pa urdhër të Dajes (Azemit) nuk del gjë nga depoja. Bashkë me Ilirin (Konushevcin) takojmë “dajën” për ta marrë miratimin për gomone. Ai kundërshtoi, me arsyetim se para se ta porositnim, ishte dashur të merrej leja prej tij. E kapa pick afër qafe me “dashamirësi” dhe e urdhërova t’i telefononte Shaipit. Fatmirësisht dëgjoi...

Erdhi Qemali për ta marrë gomonen. Kërkoi që ta takonim Azemin, për t’i marrë leje që t’i merrnin armët dhe municionin, të cilat po vegjetonin në territor të Kosovës, buzë ca shkurreve. Bëhej fjalë për një kontingjent, futjen e të cilit e kishte organizuar Azemi. Kishte paguar hasjanë të Shqipërisë të ngarkonin me armatim e municion, ndoshta 45 kuaj e mushka, kishte filmuar me video gjithë aksionin, si spektakël. Ua ka caktuar vendin ku do t’i zbarkonin. Aty, ndoshta, do të duhej të vinin pjesëtarët e UÇK-së, ata që i përkisnin “krahut” të kUmandantave, për t’i marrë. Por për shkak të motit të keq, armatimin hasjanët mercenarë e kishin zbarkuar në një vend tjetër. Të paktën kështu janë bërë arsyetimet e mëvonshme.

U takuam Qemali Azemi dhe unë. Qemali ia rrëfeu gjendjen e atyre armëve dhe e luti për leje që t’i merrte ekipi i tij, sepse ato po ndryshkeshin në shi. Azemi u egërsua, duke akuzuar Qemalin për shpifës, meqë ato armë kishin arritur në destinacion. Mirë që Qemali më respektoi, meqë ai nuk ngjante me mua që vetëm ta pickonte paksa kUmandant Azemin. Ndoshta dy ditë më vonë, televizioni i Serbisë emetoi një reportazh, për sukses të madh të ushtrisë serbe, që kishin gjetur atë armatim e municion dhe me helikopter ushtarak e kishin transportuar që andej...

Interesant do të ishte të paraqitej tani ndonjë pjesëtar i UÇK-së, që do të dëshmonte se ishin komanduar të shkonin për t’i marrë ato armë e municionin në vendin ku Azemi u ka thënë mercenarëve hasjanë t’i zbarkonin, por që nuk i kanë gjetur, meqë janë zbarkuar në një vend tjetër. Them të paraqiten, meqë Azemi mund që nuk kishte porosit askënd të shkonte për t’i marrë, por ishte simulim në kuadër të sabotimeve e komploteve që bënte “shtabi i Rognerit”...

 

• Në fund të marsit ose në fillim të prillit, në Tropojë, brenda nate, ishin ardhur, nga anë të ndryshme të Kosovës, rreth 1400 veta. Kishin zënë vend në fshatin Viçidol, në kullë të Sylejman Berishës dhe rreth saj, meqë ishte bazë logjistike për UÇK-në. Na vjen njoftimi alarmues në Tiranë, për pamundësinë edhe për t’i ushqyer me bukë, e lere më për t‘i armatosur. Takoj Gafurr Elshanin për t’i kërkuar mjete financiare, meqë ai ishte menaxher i financave në kuadër të Kryesisë. Thotë se nuk kishin. Lutëm edhe Xhavitin. Ai tha, le t’u japin bukë ata që i kanë thirr...

Fatmirësisht, vuthjani Perlat Gojçi, nga Qeremi i Valbonës, tregoi gatishmëri për të na vozit me xhip të tij, mua e Gafurrin, gjatë natës, deri në Bajramcurr, dhe shfaqi bujari për të paguar ushqimin për ta, qoftë e nevojshme, për një muaj ditë.

Në Bajramcurr u informuam për gjendje vërtet alarmante. Xhipin e UÇK-së, që e kishin mbushur me bukë e djathë, për ta dërguar në Viçidol, e kishte konfiskuar policia. Takuam shefin e policisë, në Bajramcur, Jonuz Hyka. Ai tregoi se ishte i urdhëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Sokol Bare, që të bllokohet furnizimi me ushqim i refugjatëve nga Kosova dhe ata të mbaheshin të rrethuar, nën kontroll, deri sa të pranonin të regjistroheshin e sistemoheshin si refugjatë. Na propozoi të shkonim në Viçidol, t’i bindnim që të regjistrohen refugjatë, që të shpërndaheshin, pastaj, në kampe, në qytete të ndryshme, meqë ashtu kishte urdhëruar kryeministri Nano. Na këshilloi që të caktoheshin tre veta, të cilët do t’i përfaqësonin të tjerët në biseda me institucionet e vendit.

Shkuam. U llahtarisëm. Për shkak të rrugëtimit të gjatë e të rrezikshëm, ishin sfilit. Tashmë aty bënte freskët. Po nirthnin, edhe për shkak të urisë, meqë, të lodhur për gjumë, kishin fjetur të shtrirë në livadh…

Njëri, si më oratori, shprehu gatishmëri për të qenë në atë grup përfaqësues. U prezantua arsimtar i anglishtes dhe kryetar i LDK-së, në Junik. Emrin ia kam harruar. U paraqitën edhe dy veta. Arsimtari i anglishtes na luti t’ia mundësonim kontaktimin telefonik me Ilaz Ramajlin, “ambasadorin” e Kosovës në Tiranë. Fanol Bardhaj kishte me vete telefonin satelitor. Unë kisha numrin e zyrës. U lidhem me Ramajlin. I foli arsimtari. Ramajli i tha se nuk mund t’i ndihmonte për asgjë.

Duke u kthye në Bajramcurr takojmë gjatë rrugës tre ushtarakë. U prezantua Gjenerali Kudusi Lame. Rrëfeu se po shkonte t’i shprehte gatishmërinë policisë, për t’i rrethuar refugjatët edhe me ushtarë, nëse do të kishte nevojë si përforcim. U fjalosëm. Ia thash ca slogane pompoze, folklorike, se si po e koritnin Malësinë, duke i dënuar luftëtarët e Kosovës me uri. U përgjigj se ishte ushtarak, që zbaton urdhrat e qeveritarëve…

Në të ngrysur, zv-shefi i policisë, malësor korpulent, gati dy metra i gjatë, më skajoi anash dhe më këshilloi ta mashtroja shefin Jonuz Hyka që të shkonim në Tiranë, për të gjetur zgjidhje, ndërsa ai, gjatë natës, do të lejonte, fshehurazi, të dërgohej ushqim në Viçidol. I telefonova Prof. Fatos Klosit. E luta të na priste mua dhe kryepolicin Jonuz Hyka. Ai, tashmë, ishte informuar për gjendjen alarmante në Tropojë. Llogariti kohën. Tha se rreth orës 23 na pret në zyrë. U dakordua edhe kryepolici Hyka. Por, tha se xhipi i policisë është rrangallë, prandaj mund të angazhonte një mik që kishte xhip të ri, por që duhej të paguhej. Ai kërkoi 200 dollarë plus karburantin. U dakordova. Prelani më kishte dhuruar 1000 dollarë. U armatosëm deri në dhëmbë, meqë druanim pritat. U fjalosëm gjatë rrugës me pronarin e xhipit, që e ironizova për profiter lufte. Foli se edhe Besnik Tafën (Krasniqin) po e paguanim. Ishte fjala për kushëririn e Adrian Krasniqit, në shtëpinë e të cilit, në Bajramcurr, ishte qe tre-katër vjet, bazë e logjistikës. E sigurova se nuk kisha informacion të jetë paguar ndonjëherë, as ai, as të tjerë familjarë. Shoferi tha: „E pi gjakun e djalit tim, nëse do të marrë ndonjë cent e qindarkë, as për karburant. Mendoja se të gjitha shërbimet i paguani, prandaj kërkova të paguhem.” Kryepolici Hyka e kritikoi ate për atë fisnikëri.

Në Tiranë gjetëm Prof. Klosin duke na pritur në kabinetin e tij, në selinë qendrore të SHIK-ut. Po priste të vinte edhe Sokol Bare. Rrëfeu se po irritoheshin nga skandali i të qenit i paarritshëm kryeministri Nano, edhe pse me ligj qeveritar, ai duhej të ishte i arritshëm gjatë 24 orëve, nga kryeshefi i SHIK-ut dhe nga Drejtori i përgjithshëm i policisë.

Në kabinet të Klosit filluam të grindemi me Sokol Baren. Në grindje e sipër ma komunikoi urdhrin e arrestimit. Prof. Klosi foli duke shtrënguar nofullat: “Mikun nuk pretet dot në besën time!” U prish ndeja. U kthyem edhe më të paqartë se sa para se të shkonim. Në mëngjes, kur arritëm në Bajramcurr, kryepolici Hyka urdhëroi të mblidheshin policët në oborr. Iu rrëfeu për viziton në Tiranë, duke thënë se jemi të urdhëruar nga Drejtori i përgjithshëm Bare, t’i mbajmë të rrethuar refugjatët, deri sa të pranojnë të regjistrohen e të sistemohen. Fola edhe unë ca slogane patriotike, duke bërë njoftimin se në kullë të Sulejman Berishës ka plot armë e municion dhe luftëtarët do të vetëmbroheshin...

Policët komunikuan dezertimin, njëri pas tjetrit, duke arsyetuar, nuk mund ta durojnë më trupin që po i shkaktohej Malësisë. Kryepolici Hyka, i zemëruar, hodhi çelësat e zyrës para këmbëve të mija, duke thënë: “Tani e tutje je shef ti, meqë ty po të dëgjojnë...” Mora çelësat dhe e zura për krahu kryeshefin Hyka, duke e qetësuar. Shkuam në zyrë. Në bisedë e sipër, për alternativat racionale për gjendjen, hynë në zyrë pjesëtarët e njësisë speciale “brisku” (ashtu quhej, nëse nuk e kam mbajt mend gabim). Kishin ardhur nga Tirana me helikopter, si përforcim.

Komandanti i njësisë pyeti ku gjendet Ibrahim Kelmendi. Iu përgjigja. Ma komunikoi arrestimin. E pyeta nëse ishte shqiptar ose minoritar. Gjithë inat u përgjigj se ishte patriot nga Labëria. Ia rrëfeva gjendjen, pothuajse përvajshëm. I thashë: “urdhëro, më arresto, që ta turpërosh edhe Labërinë, siç po turpërohet Tropoja!” Bërtiti: “Ku është çelësi i foristradës? Mos më thënçin shqiptar po guxoi të më ndalojë kush, t’u dërgojmë bukë vëllezërve...”

Dezertoi edhe Njësia speciale. U çlirua Tropoja nga marionetat Fatos Nano dhe Sokol Bare!

 

• Duhet të ketë qenë fillimi i prillit, kur Perlat Gojçi me thirri ta takoja një skraparlli, me të cilin ai kishte njohje. U takuam në Hotelin “Miniri”, përball Hotelit “Tirana”. Ai ofroi 3000 kallashë, fringo të ri, që i kishte grabitur në depo të fabrikës në Poliçan. Ishin të staxhionuar profesionalisht. Çmimi toptan 100 USD copa. Në fakt, çmimi në tregun ilegal ishte rritur, sepse FARK-u dhe “shtabi i Rognerit” garonin mes tyre, për ta ngritur çmimin, që vegjëlia leckamane të mos mund të armatosej. Garuam paksa për ulje çmimi. I thashë se po i telefonoj Ilir Metës, që të ndikon në ulje çmimi. M’u përgjërua të mos i telefonoja, sepse do ta detyronte të na i falte. Tha se Iliri kishte urdhëruar aktivistët e tij, të grumbullonin armë dhe municion, që t’ia dhuronin UÇK-së. Përfundimisht u morëm vesh për 30 euro copën. Kërkoi gjysmën e shumës së çmimit si paradhënie. I thashë që nuk i kisha dhe se do ta kishte Ilirin dorëzani. Nuk pranoi. Perlati i tha se 45 mijë dollarët i kishte te ai dhe do t’ia jepte ato, dhe 45 mijë të tjera, kur do t’i thoshte Ilir Konushevci që i kanë marrë armët. Garantimi i Perlatit atij i mjaftoi. Fatkeqësisht kUmandantët Xhavit e Azem më kritikuan që po merresha edhe me tregti armësh. Ata donin që ne të mos dinim me cilin çmim mund të bliheshin armët dhe municioni.

 

• Ilir Konushevci / “Mërgimi” e dinte veten si pjesëtar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, meqë komanda e “grupit” të Llapit-Golakut e kishte caktuar të zinte vendin e Zahir Pajazitit, i cili sapo kishte filluar koordinimin me “Shtabin Qendror” të Nait Hasanit dhe Rexhep Selimit. Por, asnjëherë Iliri nuk kishte pas rast të merrte pjesë në ndonjë mbledhje të asfarë shtabi dhe as që dinte ku është ai dhe cilët e përbënin. Vetëm në shtabin e improvizuar nga Kryesia e Lëvizjes, gjatë tre javëve të marsit dhe javën e parë të prillit, ishte pjesëtar dhe merrte pjesë në mbledhje, pothuajse, të përditshme.

Nga mesi i prillit Iliri e luti kolonelin Bislim Zyrapi, që të angazhohej me kolegë për ta bërë një projekt, se si do të duhet të organizohej Sistemi logjistik i UÇK-së. Pasi ata e hartojnë bashkërisht projektin, Iliri takohet me Xhavitin që ta diskutonin. Duhet të ketë qenë i shoqëruar bashkë me Bislimin. Sapo e merr në dorë, Xhaviti e gris, duke ia prerë shkurt Ilirit, se vetëm ata që ngarkohen nga shtabi bëjnë projekte, e për logjistikë janë bërë projekte dhe është sistemi i organizuar...

Nuk do koment ajo lloj arrogance e Xhavitit!

 

• Më 17 prill 1998 ndodhi takimi në mes të Naim Malokut e Xhavit Halitit, me ndërmjetësim të Muhamet Kelmendit, në Hotel “Tirana” në Tiranë. Fillojnë bisedën për të ditur për ndonjë plan konkret, kur do të sistemoheshin ushtarakët, meqë po humbnin durimin, duke pritur vendimmarrjen e shtabit. Xhaviti i thotë Naimit, mund të shkonin nga kishin ardhur, meqë UÇK-ja nuk ka nevojë për oficerë të JNA-së. Sharjen që ia ka bërë Xhaviti me atë rast Naimit nuk po e evidentoj, meqë nuk e kam mbajtur mend, të fjalëpërfjalshme.

Mërzia dhe hidhërimi i Naimit më detyruan ta shoqëroja deri në Bajramcurr, në agun e ditës së nesërme. Ai iu tha kolegëve që po nisej për në Kosovë dhe tashmë të mos pret askush sistemim nga shtabi i Xhavitit, por të gjente secili mënyrën për t’u futur në Kosovë, në zonën ku e ka vendlindjen, pastaj Shtabi brenda do të bëjë sistemime, sipas nevojave në zona.

Qerimi (Kelmendi) është përkujdes në Bajramcurr të gjente ushtarët më të sprovuar, për kalim kufiri, meqë edhe për inat të Xhavitit, donim të mos dështonte hyrja e Naimit në Kosovë, aq më pak t’iu ndodhte ndonjë tragjedi fatale nga kufitarët serbë.

Can Demiri (“Korabi”), Ahmet Pulatani (i martirizuar më 7.7.1998, në Morinë të Gjakovës) dhe Muharrem Sejdia i Smolocës, tashmë i ndjerë, e shoqërojnë Naimin dhe Afrimin (Bashën) deri të Shtabi i ZO të Dukagjinit. Për pak kohë, kënaqësinë për suksesin e hyrjes së Naimit në Kosovë na e pat prishur lajmi i shpifur serb, se e kishin vrarë Naim Malokun. Fatmirësisht, doli të ishte vetëm pjesë e luftës speciale...

Kështu, UÇK-ja e vegjëlisë së Kosovës, për çdo ditë po rritej e forcohej, përkundër sabotimeve dhe komploteve nga “shtabi i Rognerit” dhe kUmandantave të tij!

• Duke qenë në Bajramcurr erdhën Muhamet Kelmendi dhe Adem Grabovci dhe më urdhëruan të udhëtoja, sa më shpejt, për Tiranë dhe prej atje t’i mbledhja plaçkat për ta lëshuar Shqipërinë, meqë qeveria kishe marrë vendim të mos i toleronte më gjatë veprimtarët e eksponuar të Lëvizjes. U ktheva, jo pse desha t’i dëgjoja ata, por se doja të verifikoja atë komplot të kUmandant Ademit, që tashmë e kishte besuar Muhameti. Për Ademin isha sqarua se tashmë ishte bërë argat i asaj bande, por nuk e dija, nëse ishte i komanduar, ose vepronte për inat të kolegëve në Kryesi, kundër të cilëve kishte komplotuar Xhaviti. Ata ma paguan taksinë nga Bajramcuri në Tiranë.

Në mëngjesin pasues dola në Hotelin “Tirana”, kur zakonisht, pinin kafe miqtë e kamotshëm, Kristaq Porodini, Ilir Çano dhe rrethi i miqve të tyre. Ilir Çano ishte zv-drejtor i përgjithshëm i Policisë shqiptare, gjegjësisht zëvendës i Sokol Bares (të cilin “shtabi i Rognerit” e pat angazhuar edhe si këshilltar në Rambuje...). Ua shfaqa hidhërimin tim kundër vendimit të qeverisë, për të na dëbuar nga Shqipëria. Iliri reagoi me tonë të mllefosur: “Kujt po i duhen këto marrëzi, kur nuk ka asnjë vendim të tillë?!” I sqarova ata, qysh e kishim gjendjen konfliktuale, meqë i çmoja për fisnikë, pavarësisht se ishin të pozicionuar pro Xhavitit, por jo për të bërë hile e komplote, por me mendimin se po e përkrahnin çështjen e Kosovës. Vërtet u erdhi keq dhe u falënderuan që pata besim të rrëfeja pa rezerva.

• Zhvillimet kishin marrë përmasa serioze. Gjykova të kërkoja mendim konkret, pa rezerva, nga Iliri (Konushevci) dhe Qerimi (Kelmendi). U takuam dhe vendosëm që Qerimi dhe unë të shkonim në Gjermani. Iliri ishte i mendimit se Qerimi duhej të merrte pjesë në Kuvendin e Lëvizjes, që tashmë ishte caktuar të mbahej me 2 maj, për t’i përfaqësuar bashkëveprimtarët. Arsyetoi edhe me nevojën për mjekim, nga plagët që kishte marrë në sulmin gueril, ndaj policisë serbe, në vitin 1996, por edhe si taktikë, që të zbuteshin kUmandantat e “shtabit të Rognerit”, sepse Qerimin e kishin halë në sy, për shkak se nuk po mund ta subordi­nonin. Ndërsa shkuarja ime, u arsyetua me domosdoshmërinë për të ndikuar në rritjen e grumbullimit të ndihmave financiare, duke disiplinuar veprimtarët, të mos dorëzonin më mjete financiare, as Jashar Salihut në Zvicër, as Xhavit Halitit e Azem Sylës në Tiranë, kur dihej se i përpinte “vrima e zezo”.

Edhe Bislim Zyrapin e këshillova që të simulonte qëndrim kritik ndaj ne Kelmendëve, sapo t’i paraqitën kUmandantat për ta subordinuar. Arsyetova se ai ishte shumë i nevojshëm për UÇK-në në Kosovë, me përvojën e tij komanduese gjatë mbrojtjes së Sarajevës nga sulmet serbe, duke e këshilluar për taktizim e vigjilencë, meqë kUmandantat po shfaqnin rrezikshmëri serioze ndaj atyre që nuk ishin të dëgjueshëm. Të dy e dinim se kUmandantat Gjarpni e Luli, do të hynin herë pas here në Kosovë, për të bërë sabotazhë e komplote, ndërsa Zeka e Daja nuk guxonin të shkonin në Kosovë...

Në fund të prillit 1998, Qerimi dhe unë shkuam në Gjermani.

 

• Deri në mbajtje të Kuvendit Xhaviti, Azemi dhe Hashimi e përforcuan “shtabin e Rognerit”. Nga mënyra se si u bashkuan dhe si po sabotonin e komplotonin, dyshova se ata po komandoheshin nga një qendër e shërbimeve simotra, armiqësore.

Tashmë, mirëkuptimin e deriatëhershëm shoqëror, ndoshta vetëm taktik, e zëvendësuan me komandim të vrazhdët. Në shërbim të tyre ishin: Rexhep Selimi, Xheladin Gashi, Sokol Bashota, Shaip e Shaban Muja, Jashar Salihu, Adem Graboci, Bilall Sherifi, Fatmir Limaj, Agush e Shukri Buja, Nasim Haradinaj, Xhabir Zharku, Milaim Zeka dhe ca të tjerë, që nuk po më kujtohen tani. Farudin Gashi (“faruku”) ishte në shërbim të Azemit, por nuk kishte rang të lartë komandues, në dukje.

Ende nuk kam mundur të formoj mendim konkret, nëse gjithë këta i përvetësuan dhe i subordinuan, duke e shpërdoruar mirëbesimin dhe duke i mashtruar, se ata ishin Shtabi i Përgjithshëm, i vërteti, i UÇK-së, apo edhe prapa, disave nga këta qëndronte ndonjë shërbim armiqësor, që i komandonte t’i subordinoheshin “shtabit të Rognerit”.

Sidomos për Jashar Salihun po më vinte keq, meqë kishim respekt të madh, të ndërsjellë, dhe e çmoja për shumë të fisëm e të virtytshëm, por njëkohësisht edhe për besnik naiv ndaj bashkëveprimtarëve. Pozicionimi i gabueshëm i Jasharit ishte goditja më e rëndë ndaj UÇK-së, meqë ai i menaxhonte rreth 70 % të ndihmave financiare të Fondit V.Th., të cilat, fatkeqësisht ai ia dorëzonte “shtabit të Rognerit”. Edhe pse ai ishte i zgjedhur nga KP i LPK-D.j.v., megjithatë, po zbatonte urdhrat e “shtabit të Rognerit”, dhe jo të KP e as të Kryesisë, as asaj deri në Kuvend të jashtëzakonshëm (maj 1998), por as të KP dhe të Kryesisë që dolën nga Kuvendi i jashtëzakonshëm, edhe pse Jashari u zgjodh edhe nënkryetar i Kryesisë.

 

• Kuvendi LPK-D.j.v., - ishte i jashtëzakonshëm ose i 5-ti, e kam të ngatërruar, - duhet të jetë mbajtur më 2 e 3 maj 1998 në Zvicër. Nuk e mbaj mend numrin e saktë të pjesëmarrësve, por duhet të kenë qenë rreth 100 veta, nga të cilët 89 delegatë – sipas proces verbalit të votimit për Këshillin e ri të Përgjithshëm. Aty pritej të thyheshin shtizat. Unë u përcaktova të mbaja qëndrim të heshtur, pa anime, meqë i vlerësoja, pothuajse, barazfajtorë “krahun” e Xhavit Halitit dhe Azem Sylës, dhe “krahun” e Muhamet Kelmendit, Emrush Xhemajlit, Ali Ahmetit e Gafurr Elshanit. Xhavitin dhe Azemin i (dis)kualifikoja si sabotues dhe komplotistë, ndërsa katër të tjerët pse i kishin toleruar dy të parët, edhe pse, qysh gjatë vitit 1996, atyre u doli tymi, që po e sabotonin e komplotonin UÇK-në, gjegjësisht, po mundoheshin ta kapnin të tërën, ndoshta për ta keqpërdorur, pastaj, nga shërbimet e Beogradit.

Kryetari Fazli Veliu ishte një si mumie...

Fatkeqësisht, Adem Grabovci me bashkëveprimtarë të subordinuar rishtas, përmes Komisionit të Verifikimit të Mandatave, i drejtuar nga Agush Buja dhe Sejdi Gega, kontrabanduan Hashim Thaçin e Kadri Veselin në Kuvend, edhe pse nuk kishin të drejtë të merrnin pjesë. Ndërsa nuk e lejuan Qerimin (Kelmendi), as si mysafir, që vërtet vinte nga Kosova. Pra, Hashimi e Kadriu, në aspektin statutor, ishin anëtarë të LPK-së D.j.v. dhe vetëm nëse i delegonte baza, ose nëse ishin anëtarë të ndonjë strukture udhëheqëse, që Statuti parashihte pjesëmarrjen në Kuvend, mund të merrnin pjesë. Kurse përfaqësues e mysafirë të Lëvizjes nga Kosova, ishin të mirëpritur. Unë nuk u brengosa shumë për mospjesëmarrjen e Qerimit, meqë druaja që do të fajësohej për ndonjë ekses me përmasa të rënda, që pritej ta provokonin komplotistët.

Dhe shpejt u pa përse ishin kontrabanduar Hashimi dhe Kadriu në Kuvend. Hashimi , në një moment përplasjesh të forta, me ton të ngritur, akuzoi ne mënyrë shpifarake kundër disa anëtarve të kryesisë, sikur, gjoja Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli dhe të tjerë anëtarë të Kryesisë, të cilët kishin miratuar shkuarjen e Fehmi Lladrovcit me bashkëveprimtarë në Kosovë, në maj 1997, ishin fajtorë për vrasjen e Luan Haradinajt. Nuk e kishin pse u dhimbsej Launi, por po e shpërdornin si “mjet” për komplot. Hashimi akuzoi edhe për disa ndodhi të tjera, siç ishte vrasja e Zahirit me shokë, e disa të tjera, por ndoshta nuk janë me rëndësi, dhe nuk i kam mbajt mend të gjitha. Më vonë, në Mbledhjen e përbashkët të dy Këshillave të Përgjithshëm, i vjetri dhe i riu, Hashimi i kishte modifikuar shpifjet e tij dhe i kishte të shkruara, me një letër që duhet të jetë në arkivin e Organizatës.

Kuvendi vendosi që KP të zgjedhte një komision i posaçëm hetimor për t’i shqyrtuar akuzat , i kryesuar nga Bedri Islami, anëtarë Sejdi Gega dhe Ujkan Nikçi (kur ky i fundit u largua, u zëvendësua nga Naser idrizi), dhe, pastaj, të thirrej Mbledhja e Jashtëzakonshme e Këshillit të Përgjithshëm. Deri atëherë Kryesia, kishte karakter të përkohshëm. Në Kryesi të re u zgjodhën: Bedri Islami kryetar, Jashar Salihu nënkryetar, Ali Ahmeti, Bardhyl Mahmuti, Sejdi Gega, Agush Buja, Ibrahim Kelmendi, anëtarë. Kjo përbërje tregoi se shumica e Kuvendit votoi Aliun e akuzuar dhe jo kUmandantat Xhavit, Azem, Hashim!

Urtia dhe përvoja ndihmuan që aty të mos ndodhnin përplasje eksplozive!

Dy “krahët” në kryesi ishin pothuajse të barabartë, meqë Jashari, Bardhyli dhe Agushi, ishin argatë të “shtabit të Rognerit”, ndërsa Aliu, Sejdiu dhe unë, ishim kundër. Bedriu ishte, sipas vlerësimit tim, neutral dhe, nuk kam nevojë ta fsheh mendimin e atëhershëm, të pa ndryshuar asnjëherë: ishim me fat që e kishim në ato rrethana aq konfliktuale! Në Kuvend, që e quanim edhe Mbledhje e Përgjithshme, Bedri Islami, mori më së shumti vota; nga 89 delegatë mori 88 vota! Hasan Ukhaxha, i propozuar për kryetar, nuk pat pranuar kandidimin, edhe pse që aplauduar nga të gjithë, që do të thotë qe zgjidh me aklamacion.

Të gjithë ishim të vetëdijshëm se duhej të menaxhonim gjendje, jo vetëm tepër e konfliktuale, por edhe sabotuese e komplotiste, si në UÇK, ashtu edhe në Lëvizje.

 

• Mbledhja e parë e Këshillit të Përgjithshëm (KP), u mbajt në Gjermani, më 9 maj. Në mbledhje ishte thirrur si mysafir edhe Qerimi (Kelmendi), ndoshta për ta zbutur fajin që nuk ishte lejuar të merrte pjesë në Kuvend. Në mbledhje ishte edhe Xhavit Haliti. Por, për të simuluar të lodhurin nga angazhimet, ishte shtri në një anë të sallës në një bankë dhe po simulonte sikur po flinte. Nga “shtabi i Rognerit” kishin ardhur përfaqësues Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Aty Hashimi lexoi edhe letrën, gjoja në emër të Këshillit të Përgjithshëm Lëvizjes, brenda vendit, - edhe pse vet prej viteve ishte në “ekzil” në Zvicër, - duke shpif edhe për data, se ku e kur janë thirr ato mbledhje (inekzistente). Ishte pështjellim. Disa herë anëtarët e kryesisë para majit 1998 kishin informua për veprime të Lëvizjes brenda vendit, kishin shkrua komunikata në emër të tyre dhe, si duket, “shtabi Rogenerit”, përfitoi prej tyre me e paraqitë gjendjen sikur kishte Këshill Përgjithshëm edhe në Kosovë.

Duke qenë në mbledhje, na arriti lajmi i kobshëm për vrasjen e Ilir Konushevcit. U shokuam. U vendos pauzë, për të vazhduar më vonë. Qerimi, pothuajse në afeksion emocional, tha se nuk duhet t’i kërkohen diku tjetër urdhërdhënësit e vrasjes së Ilirit, ata janë këtu, dhe shikoi nga Azemi. Gjendja mund të eskalonte, prandaj u ndërpre mbledhja. U mor vendim që vazhdimi i mbledhjes të bëhet pasi të jenë kontrolluar të gjithë, nëse kanë armë me vete dhe nëse po, t’i dorëzonin të shokët, që ishin marrë me organizim teknik dhe siguri të mbledhjes...

Ishte vërtet situatë e rëndë të ishim në të njëjtin ambient Qerimi, unë, me Xhavitin dhe Azemin. Edhe unë i dyshoja ata dy për urdhërdhënës të vrasjes, duke u bazuar në zhvillime e përjetuara gjatë marsit dhe prillit...

Edhe kjo mbledhje kaloi pa shpërthim eksplozive, meqë secili ishim të vetëdijshëm për përmasat që mund të merrte dhe pasojat që do të kishte.

Shokuese ka qenë për mua, kur, pastaj, mora vesh se vetë kryeministri Nano kishte urdhëruar të mos zhvillohen hetimet për vrasjen e Ilirit dhe Hazir Malajt. Dhe isha i bindur se atë urdhër ai nuk jepte dot pa kërkesë të Xhavit Halitit...

 

• Pas hidhërimeve që na shkaktoi vrasja e Ilirit dhe Hazir Malës, në pusi, në mesnatë, në Qaf Mali, më 9 maj 1998, mendoja se Kryesia do të bëhej më operative kundër “shtabit të Rognerit”, sepse gjykoja se Jashari, Bardhyli dhe Agushi nuk janë marioneta as mercenarë të kUmandantëve. Me këta kisha pas përherë marrëdhënie tepër shoqërore dhe e dija se do të merreshim vesh. Isha i sigurt se “shtabi i Rognerit” nuk do të guxonte të kërkonte prej tyre që të angazhoheshin për ta futur në kthetra edhe Fondin V.Th. në Gjermani. Përndryshe, ndjeja qetësi edhe për faktin se Fondi në Gjermani, si në asnjë shtet tjetër, ishte i zyrtarizuar me regjistrim në Gjykatë, në emër të Bashkësisë Demokratike të Shqiptarëve në Gjermani (akronimi gjermanisht DVAD e.V.), kishte edhe status zyrtar të bamirësisë. Prandaj, edhe sikur do t’ia delte “shtabi i Rognerit” të bënte komplot, xhirollogarinë bankare të Fondit nuk do të mund ta përdornin, por as shumicën e veprimtarëve në Gjermani nuk do t’i përvetësonin e kapnin dot, edhe duke mashtruar “në emër të shtabit”. Ata i dinin kapacitetet e mia ndikuese në Gjermani, dinin edhe përmasat e krimeve të tyre dhe, prandaj, nuk donin të më provokonin, që të publikoja gjithë të vërtetën, siç e kisha shpreh në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, për krimet e tyre, ose të më detyronin të bëhesha më i papërmbajtur për vendimmarrje kapitale - që të luftoheshin, siç po na luftonin.

Komisioni i Posaçëm që u ngrit me vendim të Mbledhjes së Përgjithshme dhe mori aprovimin edhe të KP, pasi kishte analizua gjithë rrjedhat e ndodhura, kishte intervistua shumë anëtarë të organizatës dhe të UÇK-së, kishte realizua ballafaqime dhe ishte mbështetë në dokumente arkivorë, kishte arrit në përfundimin se, të gjitha akuzat ndaj shokëve të kryesisë paraprake, si ndaj Ali Ahmeti, Muhamet Kelmendi, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshanit, nuk qëndronin; ato ishin sajesa politike, komplotiste. Komisioni konstatoi se në Kosovë nuk kishte KP funksional, se në rastin e tentim-hyrjes në Kosovë të Fehmi Lladrovcit me shokë nuk kishte pas dekonspirim nga ata që e organizuan shkuarjen e tyre, por nënvizoi edhe disa përgjegjësi e mosrealizime. Komisioni, përmes raportit të paraqitur nga kryetari i Komisionit dhe kryetari i Kryesisë, Bedri Islami, potencoi gjithë besimin e Organizatës atyre që ishin akuzuar pa të drejtë nga kUmandantat. Ky vendim ishte dëshmi se ndodheshim para një tentimi të rrezikshëm...

Në këtë mbledhje të KP, për herë të parë u mor në analizë Fondi V.Th., u detajuan punët dhe u zgjodh Kryesia e re të Fondit, me kryetar Jashar Salihun, nënkryetar Xhemal Fetahu dhe Ibrahim Kelmendi, Xhevat Bislimi, Binak Berisha, anëtarë. Sejdi Gega u ngarkua me detyrën e përgjegjësit financiar të Organizatës , me synim, të kishim edhe një kontroll mbi Fondin. U përcaktua se Fondi duhet të jetë i centralizuar, me kontrollime periodike dhe në përbërje të Fondit, si drejtues apo anëtarë, të angazhoheshin me autorizime edhe njerëz me autoritet, që nuk ishin anëtarë të LPK-së.

Tashmë, mjetet në Fond V.Th. ishin të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e shtabeve të zonave; Llap-Gollaku kishin të ngarkuar si ndërlidhës, qysh nga viti 1996, Sabri Kiçmarin dhe Ali Ramën, Zona e Shalës kishte autorizuar Naser Idrizin, për Dukagjin deri në mars 1998 ishte Sali Kelmendi, ndërsa pas kërkesës me shkrim të Ramush Haredinajt, drejtuar kryesisë së Lëvizjes, u caktua Ali Ahmeti, veç detyrave të tjera që kishte ai, por edhe i gjithë sektori logjistik në Shqipëri, ishte në shërbim të tyre dhe nuk po ndodhte më që Shtabi i Dukagjinit të kërkonte mjete financiare, e t’u thuhej nuk ka, Zona e Jezercit kishte ndërlidhës Gani Nuhën. Mirëprisnim kërkesat edhe nga zonat të tjera, meqë në secilin shtab kishte pjesëtar që dinin se Fondi në Gjermani nuk ia dorëzon mjetet “shtabit të Rognerit” por ua përcjell zonave ne Kosovë. Zonat që nuk kërkonin financa nga Gjermania, vlerësoja se po përkrahen nga “shtabi i Rognerit”. Në fund të Luftës, rezultoi se asnjë shtabi të zonave në Kosovë, nuk i ishte dhënë asnjëherë, asnjë qindarkë, nga “shtabi i Rognerit”!

Fatkeqësisht, UÇK nuk kishte kapacitete logjistika qe t’i harxhonte të gjitha ndihmat që, tashmë, grumbulloheshin në Fondin V.Th. në Gjermani.

Kështu, në heshtje, sikur bëmë një pakt. Jashar Salihu me përkrahësit e tij, të mos kërkonin t’u jepnim mjete nga Fondi në Gjermani, ndërsa unë nuk durohesha pa u thënë, herë pas here, se mjetet që po ia dorëzonin ata “shtabit të Rognerit”, nuk po shpenzoheshin për UÇK, ndoshta as rreth 30 % e tyre...

Si kryesi, qysh në fund të majit 1998, vendosëm ta dyzonim logjistikën në Shqipëri, për shkak të sabotimeve të Azemit dhe Xhavitit: Sektori që kishin ngritur Adriani, Iliri, Qerimi me bashkëveprimtarë, të mos i subordinohej Azem Sylës. Në vend të Ilir Konushevcit caktuam Gani Nuhën. Ndërsa, edhe me kërkesë të Ramushit, caktuam Raif Gashin si blerës të armëve për atë Sektor dhe si transferues të financave, që jepeshin nga Fondi V.Th. në Gjermani. Ndonjëherë, Raifi, i cili duhej të vepronte nën drejtimin e Ali Ahmetit, duhet t’ia kenë dalë të merrte ndonjë ndihmë simbolike që i menaxhonte Jashar Salihu, për t’i shfrytëzuar për blerje të armëve, municionit dhe gjësendeve, për UÇK-në, por ato të dhëna nuk i di. Në një ballafaqim të mëvonshëm në Tiranë, doli se në disa raste ai, Raifi, kishte marrë mjete edhe nga “shtabi i Rognerit”; mbaj mend të ketë treguar vetëm për një rast, që kishte marrë 200 mijë DM...

 

• Gjatë majit, Osaman Kelmendi (vëllai im) më njoftoi se kishte biseduar me Kastriot Tushën dhe Manjolla Nallbanin, që të binin një ekip për një turne muzikor në Perëndim, për t’i motivuar bashkatdhetarët për Luftën çlirimtare dhe për të mbledhur ndihma për UÇK. Ata ishin të gatshëm të angazhoheshin falas. Caktova ekipin që do të merrej me organizim të turneut. Në moment të fundit i telefonova Remzi Ejupit, pronarit të Euro Kohës, që të na sponsorizonte biletat. Ai menjëherë tregoi gatishmëri, bile shtoi, meqë ne ishim shumë të zënë, ai ishte i gatshëm dhe kishte përvojë, ta organizonte turneun, ndërsa të hollat e biletave do t’i dorëzonte në Fondin V.Th. E mirëprita atë gatishmëri, meqë vërtet kishim shumë ngarkesa. Ekipi i këngëtarëve u kompletua, për të qenë tepër imponues për bashkatdhetarët. Turneu zgjati rreth dy muaj, ndonjëherë edhe dy koncerte në ditë, meqë sallat nuk i zonin të interesuarit. Biletat shiteshin 50 DM, me njoftim se janë ndihma për UÇK-në dhe jo për fitim të këngëtarëve. Kur ia kërkova të hollat Remziut, më tha se ishte marrë vesh me Xhavitin (Halitin). Gati në përmbyllje të turneut takova Xhavitin, e pyeta sa të holla i kishte pranuar nga Remzi Ejupi. Tha asnjë qindarkë, pos që ia kishte dhuruar një celular modern. Kur u fjalosa me Remziun, u arsyetua se duhej të lidhesha me Adem Demaçin, ai do të tregonte kujt i janë dorëzuar ato mjete, por që, për shkaqe konspiracioni, nuk ka dashtë të informojë më herët. Shkurt e shqip, rreth 4.5 milionë DM na i grabiti Remzi Ejupi i Euro Kohës! Turpi e mbuloftë përjetësisht!

Pas Lufte e takova Remziun në Prishtinë, ia ngërdhuza pak dhëmbët, por meqë e dinte që i kam “haribo”, nuk pjerdhi. Megjithatë tashmë më tha ta pyesja Remin, dhe jo Adem Demaçin, siç kishte mashtruar përpara. E pyeta Remin. Më tha të mos bëhem merak, me (psudo)arsyetim: “në rregull është ai biznes”. Insistova të di konkretisht. Reagoi duke thënë që mua duhet të më mjaftonte përgjigja, “në rregull është ai biznes”, siç thuhet zakonisht në ushtri. Fatkeqësisht, më shkaktoi dyshim, se e kishte korruptuar Remzi Ejupi edhe Komandant Remin, duke e tjetërsuar në kUmandant...

 

• Ndonjë shpjegim tjetër nuk kam, për përpjekjen komplotiste të planifikuar në Oslo, më 21 maj 1998. Gjykoj që “shtabi i Rognerit”, i shqetësuar për masivizimin e UÇK-së në Kosovë, duhej të jetë kujtuar të merreshin vesh me krerët e FARK-ut, që ta koordinonin e sforconin veprimtarinë sabotuese, komplotist e diversioniste, kundër UÇK-së. Xhavit Haliti, si herëve të tjera, (sh)përdori Adem Demaçin që të improvizonin një delegacion përfaqësues të UÇK-së, në takim me përfaqësuesit e FARK-ut. Ata morën Shaban Mujën, si babaxhan që shfaqej, meqë Xhavitit do t’i duhej edhe ai, për ta rritur legjitimitetin përfaqësues. Për vendtakim kishin zgjedhur zyrat e Fatmir Zymerit në Osllo. Më në veri, nuk kishin ku të shkonin. Për ata që kanë informacion, din pjellë e kujt ishte Fatmiri dhe sa ka qenë i angazhuar në Osllo kundër Lëvizjes dhe UÇK-së, si kryetari i Degës së LDK-së në Norvegji...

Delegacionin e FARK-ut e përbënin Ahmet Krasniqi dhe Agim Mehmeti, i pari “ministër i Mbrojtjes” dhe komandant i FARK-ut, i dyti zëvendës i të parit, për bindjen time të atëhershme dhe të tanishme, marioneta të Beogradit.

Meqë ai komplot nuk ia arriti qëllimit, të dy palët spekuluan pastaj për përmbajtën e marrëveshjeve dhe, pasuan fajësime të ndërsjella për moszbatim të tyre. Por, atëherë dhe tani, kam besuar, se atje janë takuar kolegët mes tyre – kryemarionetat e Beogradit: Ahmet Krasniqi dhe Xhavit Haliti...

Pas atij takimi pason pagesa e një rate Xhavit Halitit, nga Ahmet Krasniqi, në sasi prej 4 milionë US $, po në muajin maj. Kam vlerësuar se ato i duheshin shpejt Xhavitit, sepse i duhej t’i blinte Fatos Nanon, Fatos Klosin, Sokol Baren, e ndonjë më të vogël, që t’i toleronin edhe kUmandantat e FARK-ut në Shqipëri, t’i kishte “shtabi i Rognerit” si përforcim, që ta komplonin bashkërisht UÇK-në.

Fatkeqësisht, kemi mundësi të debatojmë e zhurmojmë vetëm për “ndihma” dhe honorare, të cilat kemi mundur t’i zbulojmë, si ato 3.2 milionë DM që i ka pranuar “Dervishi” / Burim Marmullaku, nga Halil Bicaj (interesant do të ishte të rrëfente “Dervishi”, kujt ia ka dorëzuar ato ndihma, nëse nuk i ka përvetësuar për vete). Atëherë dyshoja, tani besoj, se ndihmat që ia jepte Bujar Bukoshi Xhavit Halitit dhe të tjerëve, nuk ishin ndihma për UÇK-në, por për komplotim të UÇK-së. Dhe që t’i jepte, Bukoshi komandohej nga Beogradi. Përndryshe, Bujar Bukoshi e dinte ku duhej t’i dorëzonte ndihmat për UÇK-në. Qysh në dhjetor 1996, Jashar Salihu dhe unë e patëm takuar Bukoshin në aeroport të Cyrihut. Jashari, në cilësi të kryetarit të Fondit V.Th., i rrëfeu për gjendjen, dhe ju përgjërua, edhe me sy të përlotur, që ta ndihmonte UÇK-në. Por, marioneta Bukoshi, për të kamufluar sabotimin, qe përgjigjur: “Sapo të kam dritë jeshile nga Prishtina do të ndihmoj.”

 

• Me 21 qershor 1998 bëjnë betimin në Shqipëri ushtarët e brigadës së FARK-ut, para komandantit Ahmet Krasniqi. Shumica e ushtarëve pjesëmarrës nuk duhet të kishin informacion se FARK-u ishte formacion diversionist e komplotist. Ajo brigadë u komandua të bënte diversion kundër UÇK-së dhe Luftës së saj çlirimtare në Dukagjin. Komandant qe caktuar marioneta Tahir Zemaj.

Kur brigada ka hy në Dukagjin, duhet të jenë ndalur nga ushtarët e UÇK-së, të komanduar nga oficeri Sali Veseli. Tahir Zemaj është urdhëruar të kthehej prapa ose do të arrestohej, ndërsa ushtarët mund të kalonin në formacione të UÇK-së. Duhet të ketë ndërhy “shtabi i Rognerit”, personalisht Xhavit Haliti, për ta manipuluar Ramush Haradinajn, se për atë brigadë kishte marrëveshje në mes të dy shtabeve...

Për pasojat diversioniste e kriminele të asaj brigade është folur e shkruar herë pas here, por nuk dihen të gjitha pasojat që pat shkaktuar. Tahir Zemaj, në shoqërim të Ramiz Muriqit dhe bashkëveprimtarëve të afërt, kthehen në Shqipëri, nëpër Mal të Zi, të përcjellë nga shërbimi malazez...

 

• Në qershor 1998 befasohem nga vizita e një belgu, i cili ishte ardhur nga Cyrihu, për t’u takuar me mua, në zyrë të Fondit V.Th. në Bon. Kishte parë një intervistë timen, që kishte emetuar televizioni gjerman ZDF. U prezantuar si konsull nderi i Kinës, me seli në Cyrih. Ai ofroi mundësi për të blerë në Kinë çfarëdo që kishim nevojë, vetëkuptohet, me çmime tepër më të lira se gjetiu. Ta zëmë, isha informuar që snajperët 12.8, në Amerikë, bashkëveprimtarët tanë i paguanin 4-5 mijë USD copën, plus shpenzimet për t’i sjellë në Shqipëri. Të njëjtit snajperë, që bliheshin në Amerikë por që prodhoheshin në Kinë, kushtonin në Kinë rreth 250 USD. Meqë ai, konsulli, e kishte zyrën në Cyrih, ia qava hallin që kryeprokurorja e Zvicrës, “principielja” Carla del Ponte, na e kishte bllokuar xhirollogarinë e Fondit V.Th. në Zvicër. Nëse do të na zhbllokonte, mund të blinim armatim në Kinë. Pas dy ditëve ai kërkoi 50 mijë USD, për ta korruptuar kryeprokuroren. Ia dhashë. Xhirollogaria na u zhbllokua pas dy-tre ditëve...

Në gusht, ditën kur mbaruam vizitën te presidenti shqiptar, Rexhep Meidani, shkova në drejtim të Kinës. Me vete kisha një ushtarak të FARK-ut, mitrovicaliun me mbiemrin Kalaveshi. Ma propozoi komandanti i logjistikës së FARK-ut, koloneli Xhafer Jashari, si njohësin më të mirë teknik të armëve. Me ne, vetëkuptohet, ishte edhe konsulli i Kinës.

Me profesorin Klosi ishim marrë vesh, paraprakisht, që të mos na i bllokonin armët, nëse do t’i blenim në Kinë, kur kinezët do të ateronin në aeroportin ushtarak, në Shqipëri, duke simuluar zbritje emergjente, siç e kishte idenë konsulli i Kinës...

Në një llafomani në emision televiziv në Tiranë, para ca kohe pata dëgjuar Profesor Klosin duke e ironizuar atë bisedim që kishim pas, si një nga “fantazitë” e atëhershme, duke ma përgojuar konkretisht emrin, për të favorizuar Xhavitin për konstruktiv, ndoshta sepse Xhaviti kishte pas “ndjeshmëri” për dasmën e shoferit të Klosit, ndërsa unë nuk e kisha...


• Në gusht të vitit 1998 Presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë na ftuan në vizitë. Fillimisht profesor Klosi , në emër të Fatos Nanos, ftoi kryetarin Bedri Islami, por ai nuk pranoi të ishte i vetëm dhe se duheshin bërë takime institucionale, zyrtare edhe pse nuk do të publikoheshin. Pasoi pritja që na bëni presidenti Meidani. Ishim gjith Kryesia; së bashku me ne, qoftë në takimin e parë me Fatos Klosin, si takim mirëseardhje, qoftë tek Presidenti Mejdani, kishim me vete edhe Xhavit Halitin, edhe pse nuk ishte më anëtar i Kryesisë së Lëvizjes.

Në takimin me Presidentin Mejdani u habitëm kur ai na tha se po gëzohet që ju shoh bashkë, nga se kishin informacion që jemi nda në dy grupe. Në pyetjen e Bedri Islamit se nga kush e keni këtë informacion, u përgjigj Fatos Klosi se e kishin prej tij. Në vazhdim të pyetjeve se nga e ka ai këtë informacion, ai u përgjigj se e kishte prej shërbimit të tij. Në fjalën e tij Jashar Salihu filloi të falënderonte shtetin shqiptar për ndihmën. Ndërhyra: “Jashë, pse po i falënderon, këto nuk po na ndihmojnë kurrgjë, veç po pengojnë”. Atëherë bëmë pyetjen, përse Shteti shqiptar nuk po na jep armë falas, siç kishim shpresuar e prit. Presidenti Mejdani sqaroi se kishte dhënë urdhër. Fatos Klosi saktësoi se kryeministri Nano dhe ministri i mbrojtës Hajdaraga kërkonin urdhëresë me shkrim nga Presidenti, kanë refuzuar ta zbatojnë urdhëresën me gojë. Mejdani paksa nervoz: “Këtu paska ndodh puç...!” (parfarazim) Bedri Islami pyeti, përse nuk e jep me shkrim. Presidenti ju përgjigj: “Po ta jepja me shkrim, nesër do ta botonte Nju Jork Taims-i...”

Ulur, pranë meje, ishte këshilltari i Presidentit, Preç Zogaj, i cili mbante me zell shënime, duke më sinjalizuar, me prekje gjuri, që të mos isha aq i drejtpërdrejtë. Presidenti Meidani e pat hetuar dhe ndërhyri: “Kështu i kemi mësuar të flasin studentët e fizikës”, meqë kishte informacion për mua, nga kolegu i tij, tashmë i ndjerë, Petrit Skende, të cilin e kam pas profesor shumë të çmuar në Prishtinë, në studime të fizikës...”
Sigurisht kUmandantit Xhavit nuk i erdhi mirë që u dekonspirua ai sekret, sepse na e shurdhonte edhe b... duke lavdëruar kryeministrin Nano për përkrahje dhe ndihma...

Fatkeqësisht, në pritjen të kryeministri Nano, atë pasdite, nuk munda të merrja pjesë, sepse u nisa në drejtim të Kinës...

Edhe në mbledhjen tek kryeministri Nano, siç jam informuar pastaj nga Kryetari Bedri, është ngrit problemi i armatimit dhe i logjistikës. Në kryeministri ishin në takim edhe zv-kryeministri Kastriot Islami, ministri i mbrojtjes, Hajdaraga, ministri i brendshëm, këshilltarë të Fatos Nanos. Kur ministri i mbrojtjes po refuzonte të jepte armatim, Fatos Klosi bëri propozimin që armatimi t’i kalonte Shërbimit të tij dhe ai të ia kalonte UÇK-së, por edhe ky propozim nuk qe pranua.

Në takimin me kryeministrin Nano ka pas edhe debate të tjera. Kanë zgjatur deri në orët e vona të natës, edhe me përplasje të tjera, deri sa është pranuar që edhe RTSH (televizioni shqiptar) të pasqyronte luftën e UÇK-së, veprimtarinë e Lëvizjes dhe të Fondit V.Th., që deri atëherë ishte bërë shoqërisht, nganjëherë me korruptim e kërcënime. Kryesia ka informuar se do të rriste përfaqësimin e saj në Shqipëri.

 

• Po në gusht i patëm thirrur Azem Syla dhe Raif Gashi në mbledhje të Kryesisë, në Tiranë, të raportonin, për sasinë e armatimit dhe municionit që i kishin futur në Kosovë dhe për shpenzimet financiare. Raifi i kishte të shkruara sasinë që kishte futur Sektori logjistik, që tashmë po e udhëhiqte Gani Nuha, në vend të Ilirit të martirizuar, ndërsa Azemi nuk dinte as të belbëzonte. Azemi raportoi para se të raportonte Raifi dhe, prandaj, dukej se u ndie si i dhier kur i dëgjoi të dhënat që i prezantoi Raif Gashi, sepse sasia që paraqiti Azemi, vetëm gojarisht, ishte simbolike, në krahasim me ato që paraqiti Raifi. Ky raportim ishte një trokitje e mirë në ndërgjegjësim të Jasharit dhe Agushit, për të rimenduar menaxhimin e mjeteve të Fondit, që deri atëherë po ia dorëzonin, pothuajse, vetëm kUmandantëve Xhavit Haliti dhe Azem Syla.

 

• Duke qenë larg Shqipërisë, me 12 dhe 21 shtator, mora sihariqet për vrasjen e Azem Hajdarit dhe Ahmet Krasniqit. Nuk jam hipokrit që tani ta fsheh gëzimin që ndjeva atëherë, për ato dy vrasje. Që të dy ishin rrezik i përhershëm i Luftës çlirimtare në Kosovë. Për të dy kisha bindjen se janë marioneta të Beogradit...
Të drejtin e shpërblen fati, thonë spiritualistët.

Fati i parë: Vrasja e Azem Hajdarit (sh)përdorët për të bërë grushtshtet. Nuk ia dalin. Fatmirësisht, ato trazira e frikësojnë kryeministrin Nano, dhe prandaj qe arratisur në Makedoni. E pason Pandeli Majko, si kryeministër. Ky ishte një grusht serioz edhe kundër “shtabit të Rognerit”.

Në një nga takimet paraprake që bashkë me Bedri Islamin kishim zhvilluar ne Gjermani, me përfaqësues të Shtetit shqiptar, zv-ministrin e mbrojtjes dhe ambasadorit, u kishim përcjellë propozimin që të gjitha shpenzimet e ushtrisë shqiptare për transport, ushqim, veshmbathje, karburant, etj., do të përballoheshin nga Fondi V.Th., nëse armatimin e jep falas Shteti shqiptar. Edhe ata lehtësoheshin nga një barrë e madhe, edhe ne nuk rrezikonim me blerje armatimi, me jetë njerëzish, reduktoheshin mundësitë e korruptimit dhe vjedhjeve. Për këtë kishim kërkuar që të angazhoheshin specialistë të ushtrisë shqiptare, me përvojë dhe atdhetarë. Kësaj kërkese tonë Shteti shqiptar nuk i ktheu kurrë përgjigje dinjitoze.

Një nga qëndrimet më të dinjitetshme të kryeministrit Majko, por edhe të zv-kryeministrit Meta, ishte që, për UÇK-në, të mos shpenzonim më mjete financiare duke blerë armatim e municion në Shqipëri, qoftë në treg të zi, qoftë nga oficerët e korruptuar të Ushtrisë Shqiptare, por t’i jepnim listat, çfarë kishim nevojë, që t’i merrnim ato falas. Kjo gatishmëri i qe shfaq Kryetarit Bedri Islami, në nëntor 1998. Por edhe këtë ofertë hezituam ta zbatojmë, kryesisht nga kundërshtimi i kUmandantit Azem Sylës. E njëjta ofertë nga Kryeministri Majko është përsërit edhe një herë në shkurt 1999.

Fati i dytë: Bujar Bukoshi e emëroi oficerin pejan, Ismet Alia, për t’i “trashëguar” postet, tashmë, të të ndjerit Ahmet Krasniqi. Nuk më besohet që ta ketë ditur Bukoshi, se cili ishte dhe ku gjendej Ismeti, por dikush duhet t’ia ketë sugjeruar. Ismeti ishte atashe ushtarak i Bosnjes në Turqi. Ai pranon emërimin, por e lut Bukoshin të pranonte përfaqësimin e përkohshëm nga Koloneli Halil Bicaj, deri sa qeveria e Bosnjes ta shkarkonte Ismetin nga përfaqësimi diplomatik.

Fillimisht Halili e kishte lutur Ismetin t’i jepte afat dy-tre ditë për t’u përgjigjur. Halili ishte përcaktua, qysh në fillim, se ishte ushtarak i UÇK-së, dhe, prandaj, nuk donte të ishte në krye të FARK-ut armik. Ai menjëherë erdhi në Gjermani, për t’u konsultuar me mua, meqë kishim respekt të ndërsjellë. Në mes ishte vëllai i Halilit, Enveri, bashkëveprimtar shumëvjeçar, shumë i vyer dhe i respektuar, në kuadër të Lëvizjes në Gjermani. Sapo ma rrëfeu gjendjen, pa ndonjë hezitim u gëzova dhe e urova për mision të ri. E sigurova se do t’i dilnim zot shkuarjes së tij në krye të atyre strukturave, meqë isha i sigurt se, jo vetëm që nuk do të kishim nevojë të mbrohemi më nga diversionet e komplotet e FARK-ut, por edhe FARK-u do të shkrihej në UÇK, si njësi e saj, pa pas nevojë ta bënim njoftimin përkatës publikisht. Unë po vazhdoja të thirresha në kompetencën që kisha, si ndihmës i Ali Ahmetit, të cilin e çmoja si anëtar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. [Fatmirësisht Aliu kishte mbijetuar një tentative për atentat në Shqipëri, më 25 shtator 1998...]

Bashkë me Halilin shkuam në Tiranë, por të kujdesshëm, që të mos binim në sy se ishim bashkë. Fshehurazi takuam Ali Ahmetin dhe Bislim Zyrapin. Vendosëm që ai vendim të mbetej vetëm në mesin tonë, që të mos e merrnin vesh marionetat e Beogradit, në “qeverinë” Bukoshi, në FARK dhe në “shtab të Rognerit”, sepse do të rrezikohej suksesi i atij komploti, tashmë pozitiv.

Fatmirësisht Ismeti nuk u shkarkua fare nga Qeveria e Bosnjes dhe Halili mbeti në ato përgjegjësi deri sa mbaroi Lufta. Por, pas luftës, kUmandantët e “shtabit të Rognerit”, të faktorizuar shumë nga protektorët ndërkombëtarë, penguan që Halili të sistemohej në strukturat që pasuan demobilizimin e UÇK-së. E pata informuar Komandantin Agim Çeku, duke e këshilluar që ta merrte afër vetes, por për arsyet që nuk i kuptova, nuk e realizoi kërkesën time. Uroj që Çeku, të ketë ndonjëherë guxim dhe ndërgjegje, të thotë gjithë të vërtetën, se në cilat përmasa ishte argat i “shtabit të Rognerit”. Gjithsesi, me pat dëshpëruar dëgjueshmëria mjerane e tij ndaj kUmandant Gjarpnit. Në prani të Rexhep Qosjes dhe Martin Berishajt, në vizitë që i bëmë në Shtab të TMK-së, Agimi m’u pat përgjigjur në pyetje përkatëse, se asnjëherë nuk kishte pranuar financa për nevoja të Shtabit, bile as të holla xhepi, dhe as raport financiar nga askush, sa kohë që ka qenë shef i Shtabit...

 

• Në fillim të vitit 1999, Bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht Brukseli dhe Vashingtoni, u përcaktuan për të gjetur zgjidhje konkrete për ndërprerjen e Luftës në Kosovë, meqë Serbia nuk ia kishte dalë ta shtypte UÇK-në, deri në fillim të vitit 1999, për çka duhet të ketë pas leje të heshtur nga Vashingtoni dhe Brukseli. Ai përcaktim u konkretizua me mbajtjen e “Konferencës paqësore për Kosovën”, në Rambuje (Rambuillet) të Francës. Data e fillimit të Konferencës qe caktua 6 shkurti. “Grupi i kontaktit” caktoi pjesëtarët e delegacionit shqiptar. UÇK-ja përfaqësohej kryesisht nga kUmandantët e “shtabi i Rognerit” dhe disa argatë të tij...

Ditën që filloi punimet Konferenca, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së bëri publik vendimin për emërimin e Sylejman Selimit Komandant të Shtabit. U gëzova edhe për faktin se ishte vendim konstruktiv, për të legalizuar UÇK-në si ushtri serioze, por edhe si hakmarrje kundër kUmandantit Azem Syla. Atë lajm delegacioni i “shtabit të Rognerit” në Rambuje e përjetoi si puç ushtarak...

Në emër të Kryesisë së Organizatës, kryetari Bedri Islami i dërgoi telegram urimi dhe mesazh përshëndetjeje Sulejman Selimit, që, pas bisedës telefonike deklaroi se as nuk e kishte ditur se mund të ndihmohej nga Fondi V.th. (Vetëm në fund të luftës, kur ai ishte komandant i Gardës, nga Fondi V.Th., përfaqësia në Tiranë, që menaxhohej nga Halil Selimi dhe Ramiz Lladrovci, i është dërguar atij një ndihmë e konsiderueshme...)

Gjatë ditëve që po mbahej Konferenca në Rambuje përjetova ngjarje dramatike. Nga Kryesia ishim caktuar, si koordinatorë të angazhimeve jashtë Konferencës, Bardhyl Mahmuti, Sabri Kiçmari dhe unë. Bardhyli nuk erdhi, për shkak të mllefit që nuk e kishin caktuar pjesëtar të delegacionit të UÇK-së, meqë ishte ku e ku më i përgatitur dhe më me përvojë se të gjithë pjesëtarët e “shtabit të Rognerit”. Pranë godinës ku po mbahej Konferenca zumë me qira një kat të hotelit, për veprimtarë e mysafirë. Pranë hyrjes kryesore në Kështjellë, ku ishin stacionuar antenat e televizioneve botërore, zumë me qira një sallon të restorantit, që aty gazetarët të mund të rrinin, të informoheshin nga ne, e të pinin pa pagesë. Organizim të ngjashëm nuk kishin të tjerët.

Ndoshta në ditën e 12-të të Konferencës, dy “operativë” gjermanë më takojnë dhe më pyesin, nëse kishte pas ndikim te delegacioni i UÇK-së, në Konferencë, ngrirja e Fondit V.Th. në Gjermani. Unë as që dija që ishte marrë një vendim i tillë. U thash, me inat, se nuk e kisha informuar fare delegacionin, që të mos e trazoja. Fatmirësisht ishte vetëm masë shantazhuese, 4-5 ditore, si mjet presioni.

Në ditën e 14-të, një kuadër operativ i austriakut Wolfgan Petritsch, i cili ishte përfaqësues i BE-së për organizim të asaj Konference, më pyeti nëse kisha njohuri për një francez, i cili përherë po e udhëzonte Hashimin brenda në Konferencë. Unë e gënjeva: “jo”. Ai tha se ai ishte kuadër i shërbimit ushtarak francez, por nuk po e kuptonin prezantimin e tij si shok dhe këshilltar i Hashimit. Në fakt, m’u kujtua të më kishte thënë Bashkëveprimtari veteran, Rexhep Halimi, që jetonte në Cyrih, se Hashimi po shoqërohej shpesh me një francez, i cili ngjante në kuadër të shërbimeve inteligjente. Rexha, siç e thërrisnim, kishte krijuar intuitë e dhunti detektivi, për t’i vëzhguar edhe bashkëveprimtarët. Në banesë të tij, si të ishte çajtore publike, kohë të gjatë kalonin Xhaviti, Hashimi dhe të tillë “badihavxhinj”, meqë ai ishte shumë mirëpritës. Bukurie Gjonbalaj ose Dukagjin Gorani, që ishin të angazhuar si përkthyes në Konferencë, por që kishin të drejtë të dilnin herë pas here jashtë asaj Kalaje ku mbahej Konferenca, më patën rrëfyer për përkujdesje të angazhuar të një shoku francez ndaj Hashimit...

Kryeministri Pandeli Majko kishte dërguar dy këshilltarët e tij për siguri kombëtare, Kadena dhe Isarai (ua kam harruar emrat), të cilët u ankuan se nuk po dëgjonte Sokol Bare të kthehej në Tiranë, meqë nuk ishte adapt për të qenë këshilltar i delegacionit të UÇK-së.

Ditën e parafundit, më takojnë dy “operativë teknikë”, po të stafit të Petriqit, tepër të nervozuar. Më akuzojnë për pengues të nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Hashimit. Sipas tyre, Hashimi duhet t’i kishte thënë Petriqit, se frikësohej të firmoste, meqë komandantët e UÇK-së do ta dënonin për tradhti kombëtare dhe se ata komandantë ndikoheshin nga ekstremisti Ibrahim Kelmendi. U irritova shumë. U thash se nuk ishte e vërtetë, se mund ta vërtetonin edhe nga Sabri Kiçmari, i cili kishte folur me komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimin, dhe ai i ka thënë që e respektonin secilën marrëveshje që firmos delegacioni i Kosovës, meqë UÇK-ja është ushtri, nuk është subjekt politik as huntë ushtarake. Njësoj na kishin thënë edhe komandantët e shtabeve të zonave. Nuk u mjaftova me kaq. U thash se Hashimi është marionetë e Shërbimit ushtarak francez dhe “shoku” që e ka Hashimi brenda, është aty për ta komanduar Hashimin, që të mos e nënshkruajë marrëveshjen. Shkuan të hutuar nga sqarimi im.

Ditën e parafundit, Ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, tepër i hidhëruar, mbajti konferencë shtypi. Isha i pranishëm. Po e prisja ta takoja kur të mbyllej konferenca. Më pa. Më foli ashpër, duke më thënë se po mendonim që vetëm ne shqiptarët kemi besë. “Na keni hidhëruar shumë me refuzim të nënshkrimit”, - pat thënë. Ia ktheva: “Hashimin nuk po e lejon DGSE-ja franceze, sepse është marionetë e tyre.” E kapi shpejt informimin dhe tha që u dashka të ndërhyjë president i Francës...
Shumë më ka tronditur paraqitja e fundit e Zëdhënësit të Lokemadhës Ollbrajt, Jems Rubi, i cili mezi përfundoi paraqitjen e tij para gazetarëve, meqë fliste gjysmë përvajshëm...

Është interesant se kundër nënshkrimit të marrëveshjes ishin pothuajse vetëm tri “personalitete”: Sali Berisha, Adem Demaçi dhe Hashim Thaçi.
Konferenca zgjati 17 ditë. Përfundoi pa nënshkrimin e marrëveshjes, të cilën e pat ofruar, përfundimisht, Grupi i kontaktit, si prodhim i kompromiseve 17-ditore.
U vendos të vazhdohej me rundin e dytë të Konferencës, për shkak të Hashim Thaçit, i vet-imponuar si udhëheqës i delegacionit të Kosovës, i cili nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen (anëtarët e tjerë të delegacionit ishin dakord).

Më 18 mars, filloi rundi i dytë i Konferencës, tashmë në Paris. Në fakt, u organizua vetëm ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes, nga Delegacioni shqiptar, meqë tashmë duhej të kishte ndodhur ndërhyrja te DGSE-ja franceze, që Hashimi të urdhërohej ta nënshkruante marrëveshjen.

Fatmirësisht marrëveshjen nuk e nënshkroi Delegacioni i Serbisë, por, ky interval, prej rreth tri javësh, i dha kohë Serbisë të dislokonte forca edhe më të shumta policore e ushtarake në Kosovë, që të kishin kapacitete më të madha për t’u hakmarrë ndaj popullsisë civile dhe për të bërë luftë më agresive kundër UÇK-së...
Fatmirësisht NATO, e hidhëruar nga refuzimi serb i marrëveshjes, filloi bombardimet ndaj pozicioneve ushtarake e policore serbe, në Kosovë e Serbi, më 24 mars 1999, që zgjatën deri më 10 qershor, kur Serbia e deklaroi kapitullimin.

 

• Nuk e di kohën e saktë, mund të ketë qenë fillimi i prillit 1999, kur më rastisi të jem në një tavolinë të një lokal, afër zyrës së Fondit V.Th., në Tiranë, me Ramiz Lladrovcin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe një i katërt, që nuk po e njihja. Ai kishte një shkop ortopedik, meqë këmbën e kishte në gips. Ma prezantoi Ramizi me fodullëk: “Sabit Geci është, Brahë!” Krejt spontanisht i fola: “Ti je hajni zullumçar, që të përflet krejt Drenica?! Nëse këta kanë respekt për Ty, për shkak të karakterit të tyre, ose për shkak të tutës, Ti është dashur t’u thuash, jeni kuadro të afirmuar të UÇK-së dhe nuk duhet të rrini me mua, sepse mund të ju shohin gazetarë e agjentë të shërbimeve të huaja...” Ramizi ma takoi gjurin nën tavolinë, që të mos flisja. Reagova: “Mos më pengo t’ju këshilloj, se ju ka përfshi dëliri i madhështisë, e nuk po dini as të taktizoni...”

Bashkëveprimtari Rrahim Rama më pat kritikuar goxha rreptë, duke më thënë se kishte dëgjuar ta kisha akuzuar Hashimin, që gjatë hyrje-daljeve nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas, e kishte transportuar, nga Qafëthana në Jazhincë dhe anasjelltas, një shef i policisë së Makedonisë. E sqarova, por prapë nuk u bind. Rastisi të jemi bashkë në një restorant, në Shkup, afër selisë së Kryeministrisë. I telefonova Zymri Qamilit të vinte. Zymriu, pos shef i policisë, arriti të bëhej edhe zv-ministër i Brendshëm në Makedoni. I njoftova me Rrahimin. I fola Zymriut: “Rrahimit i kam rrëfyer për angazhimin tënd patriotik, gjatë luftës në Kosovë, në transportimin e Hashimit, duke qenë shef i policisë, me auto të policisë, por ky nuk më ka besuar.” Ai u përfshi nga dallgë e kënaqësisë dhe ia rrëfeu me entuziazëm atë angazhim Rrahimit. E pyeta, kush e kishte urdhëruar. Nuk pranoi të tregonte. Rrahimi u ndie keq, që po vërtetohej edhe kjo akuzë që ia kisha bërë Hashimit...

• Në prill 1999, na pat ftuar në vilën qeveritare Sekretari i shtetit të Gjermanisë, Z. Wolfgan Inschinger (Ishinger), pothuaj gjithë udhëheqësit e subjekteve politike, të imigracionit shqiptar në Gjermani, për të na këshilluar, të bashkëpunonim sa më shumë, për të përballuar gjendjen. Pasi përfunduam pjesën kryesore të prezantimit të mendimeve tona për gjendjen, me lutjen që na bëri nikoqiri Ishinger, gjatë koktejit na foli paksa të skajuar mua dhe një shoku, se si po i vinte keq për UÇK-në që po përfaqësonin diletantë mashtrues, si Hashim Thaçin e Kadri Veselin. I konkretizoi rastet, kur i kishin takuar gjatë luftës në Kosovë. Si të ngarkuar të “Grupit të Kontaktit”, iu kishin propozuar ndonjë gjë dhe ata kishin simuluar, se do pyesin shtabin dhe do t’ua kthenin përgjigjen. “Sorollateshin ca kohë dhe na i thoshin mendimet e tyre, sikur ishin përgjigje të shtabit...”

Nuk po anashkaloj kujtesën për qëndrimin e Hashimit dhe Kadriut, disavjeçar në Zvicër. Nuk kanë bërë aktivitete, as, të paktën nuk kanë mësuar gjermanishten, edhe pse shteti ua kishte paguar kurset. Dhe jo vetëm kaq, por nuk lexonin e nuk shkruanin gjë, qoftë ndonjë shkrim të thjeshtë për “Zërin e Kosovës”. I kisha këshilluar të shkruanin. Kishin provuar. Redaktori Bislim Elshani më pat thënë, mos më bezdis me të tillë gjysmanalfabetë, sepse më lehtë e kam t’i shkruaj vetë ato shkrime, sesa t’ua korrigjoj atyre...

Tani po me kujtohet edhe një rast që përmban mjerimin e asaj kategorie. Më rastisi t’i shoqëroja, si përkthyes, Xhavit Halitin dhe një bashkëveprimtar tjetër (meqë nuk ishte kUmandant, nuk po ia them emrin), kur ata patën termin, në ent social në Zvicër. Nëpunësja iu tha se nuk do të toleroheshin më të papunë. Duhet të shkonin të punonin si floristë (kopshtarë lulesh). Xhaviti pat reaguar: “Jemi të strehuar politikë, si intelektualë, nuk jemi në Zvicër për të hapur kanale.” Ajo u irritua: “Po të kishit qenë intelektualë, nuk do të kishit nevojë të vinit të shoqëruar me përkthyes, pas kaq shumë vitesh, edhe pse ua kemi paguar shumë herë kurset e gjuhës, të cilat as nuk i frekuentonit rregullisht...”

Edhe në Hotelin “Tirana” më kishte rastisur të shoh profesor duke e notuar Xhavitin, gjoja për provimet që i kishte dhënë. Po mbaronte “studimet” për gjuhë dhe letërsi shqipe! I thash në të tallur: “Shko të paktën shiko ku gjendet fakulteti filologjik, mos le nam...”
Edhe kur po mashtronte Hashimi, se po bënte studime postdiplomike në Universitet të Cyrihut, e pata diskredituar duke i thënë se në Cyrih nuk mund të studiohet në drenicakçe. Ai nuk e dinte as ku ndodhej Universiteti në Cyrih...
Këtë përgatitje intelektuale kishin kUmandantat. Bile, Azem Sylën e kam vërejtur të prezantohet edhe me “Dr.”, meqë më ngjan se e kishte blerë përmes interneti një “doktoratë”. Akademik i doktoruar pa mbaruar asnjë fakultet!

 

• Fatkeqësisht, kUmandant Azem Syla kishte angazhuar huliganë të sojit Milaim Zeka e Xhabir Zharku (“kUmandant Qorri”), që të pengonin gazetarët e televizioneve ndërkombëtare, të mos bënin reportazhe për Luftën. Tashmë kishte interesime të mëdha, për shkak të angazhimit të NATO-s. Arroganca e tyre duhet të ketë pas ato përmasa, sa të ankohet personalisht vetë Gjenerali Clark, pse Milaim zeza e kishte penguar CNN-in. Ndërsa televizionet e tjera ankoheshin se Milaimi iu stërshiste minutazha të incizimeve, që ua kishte shitur edhe televizioneve të tjera...
Milaimi tashmë ishte meritor, sepse kishte bërë edhe dokumentar biznesor për Adem Jasharin dhe kishte inskenuar, në mars 1998, paraqitje të kUmandantëve Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Ata në atë inskenim mbanin maska, dhe flisnin si komandantë kryesorë të UÇK-së, duke simuluar sikur paraqiteshin nga Kosova, edhe pse inskenimi ndodhte në Tiranë...

 

• Konferenca e Rambujesë na e “polli” një “qeveri të përkohshme”. Aty e tutje Gjarpni (Hashimi) u bë “kryeministër”, Daja (Azemi) “ministër i mbrojtjes”, e kështu me radhë, deri edhe kUmandant Adem Grabovci “ministër financash”, me simulime të shpifura, si të “qeverisë Bukoshi”, që më kishin neveritur gjatë tetë vjetëve pararendëse...

 

• Më 9 prill 1999 duhet të ketë filluar e ashtuquajtura betejë e Kosharës. Qe 19 vjet zhurmohet, kush ishin protagonistët kryesorë të saj, gjegjësisht kush është më meritori. Palët zhurmuese ende nuk po janë në gjendje të ofrojnë konkretizime, që ndonjëri nga shtabet, në datë të caktuar, me pjesëmarrës të caktuar, ka marrë vendim të protokolluar, duke caktuar datë, orë e minutë të fillimit të sulmit dhe të ketë caktuar komandant për betejë, etj., etj.
Këto ditë sërish plasi debati. Dhe në mes të kujt se?! Anton Qunit e Nasim Haradinajt! Komunikova me ta edhe në privat, për t’i pyetur për vendimmarrje. Vetëm pështjellime...

Atëherë dhe tani, kam menduar dhe mendoj, nëse vendimmarrësi ose vendimmarrësit kanë qenë shqiptarë patriotë, atëherë kanë qenë entuziastë naivë, meqë ishte me rrezik të akuzohej Shqipëria, si agresore për atë sulm nga territori i saj. Përndryshe, më shumë dyshoj t’i ketë urdhëruar Shtabi i ushtrisë serbe, përmes marionetave shqipfolëse, që i kishin në terren, që të krijonin “provë” për ta akuzuar Shqipërinë për agresion...
As Nasimi e as Antoni nuk e dinin, se nga shtatori 1998, FARK-u nuk ishte autonom, nën udhëheqje të “qeverisë” së Bukoshit as nën komandim të “presidentit” Ibrahim Rugova, por ishte njësi e UÇK-së, sepse Komandanti Halil Bicaj e kishte integruar FARK-un në UÇK të Kosovës, kundër uçk-së së kUmandantave të “shtabit të Rognerit”!
Sa të mjerë më ngjanin këta mjeranë naivë, kUmandantat Nasim Haradinaj e Anton Quni...

 

• Duhet të ketë qenë fillimi i majit 1999, kur Migjen Kelmendi dhe Bukurie Gjonbalaj ia dolën të dalin nga Kosova dhe të vinin në Gjermani. Ftova një funksionar të lartë qeveritar gjerman që të dëgjonte rrëfimet e tyre për gjendjen në Kosovë. Shtrova darkë në një restorant afër zyrës së F.V.Th., në kryeqytetin e atëhershëm gjerman, Bon (Bonn). Me atë funksionarin kisha krijuar afërsi qysh nga greva 18-ditore e urisë, që e patëm në Bon, në maj të vitit 1996. Ndenjëm gjatë. Në një moment, meqë kishte pi goxha mirë, funksionari më qortoi, përse po i shkaktonim Gjermanisë probleme me F.V.Th., meqë po kritikohej nga qeveritë tjera për tolerimin unikat zyrtar. U vetëmbrojta se po na duheshin ndihmat financiare të migrantëve, për të financuar UÇK-në. Tha: “Përse nuk i harxhonin njëherë mjetet e fondit të qeverisë Bukoshi që po vegjetojnë në sefa të Dojtsche Bank, meqë ju mjaftojnë, bile sikur keni tepër, prandaj këto ditë Z. Bukoshi i ka transferuar 500 milionë DM në Beograd...” U shokova! Nuk ishte ndonjë funksionar karaxhoz, të sajonte shpifje. Se si u nervozova kundër zuzërisë sënë: kUmandantët Xhavit Haliti, Hashim Thaçi dhe ca kUmandantë tjerë po bashkëpunonin fshehurazi me atë mega marionetë, bile edhe mega bandit, për ta komplotuar sa më brutalisht UÇK-në dhe Kosovën dhe tani po dëgjoja edhe për atë mega komplot – transferin e 500 milionë DM në vlugun e Luftës...

 

• Në fillim të qershorit 1999 Jashar Salihu më luti të transferoj 8 milionë DM, ndihma urgjente për UÇK-në, me arsyetimin se ai nuk i posedonte ato mjete. Më telefonuan edhe të tjerë, për të ma mbushur mendjen. Meqë ishim në gjendje të mirë dhe të hyrat ishin rritur, aq sa UÇK-ja të mos kishte kapacitete për t’i shpenzuar, ua miratova lutjen. Ngarkova Mark Bardhajn nga Peja, me banim në Bochum dhe Vesel Bacajn, nga Pepajt, me banim në Euskirchen, që t’i dërgonin 4 milionë DM, në Lubjanë, ku ishte caktuar dorëzimi i gjysmës se shumës së kërkuar. Ndërsa Ibrahim Ibërdemajn e ngarkova që t’i dërgonte në Austri 4 milionë DM. Fatkeqësisht, pranuesi në Lubjanë, rezultoi të ishte Gani Thaçi (vëllai i Hashimi), ndërsa në Austri ishte Fatmir Zymeri i Oslos. Sapo i mësova emrat e tyre u hidhërova në ato përmasa, sa asnjëherë nuk ia kam falur Jasharit atë faj...
Asnjëherë nuk munda të informohesha, ku u “avulluan” ato 8 milionë DM, por di që Ganiu dhe Fatmiri, pas luftës, u eksponuan si milionerë në Kosovë...

 

• Në fillim të qershorit 1999 (ndoshta me datë 8) u mbajt samiti i G8 për Kosovën, në Këln të Gjermanisë, nikoqir i të cilit ishte kancelari gjerman Gerhard Shrëder. Hashimi mu lut të merresha me aspektin “logjistik” të vendosjes së tij, meqë donte të ishte “buzë” atij samiti, si “kryeministër” i “qeverisë së përkohshme” të Kosovës.

U përcaktova t’i rezervoi vend në Hotel Maritim, në qendër të Këlnit. Kur u thash në hotel për ditët që na duhej rezervimi, mora përgjigje se ishte i tëri i rezervuar nga qeveria gjermane, për mysafir të samitit. Unë i mashtrova, duke ju thënë se është i ftuar edhe kryeministri shqiptar Thaçi, prandaj erdha për të bërë rezervimin. Më besuan. Ma dhanë dëshminë për rezervim dhe një ID-Card që ishte përgatit për mysafirët që do qëndronin në atë hotel gjatë samiti.

Kur arriti Hashimi në Aeroportin Këln/Bonn, policia kufitare nuk e lejoi të hynte në Gjermani, meqë në kompjuter rezultoi se kishte urdhër arresti. E izoluan rreth dy orë. I telefonova një funksionari qeveritar, në numër privat. Intervenuan dhe e liruan. Kur arritëm në Hotel, ai dhe Bilall Sherifi u ngjitën në dhoma për të lënë valixhet dhe për të ndërruar rrobat. Unë mbeta në holl duke i pritur. Në atë moment me paraqitet një zotëri, duke m’u drejtuar në emër dhe duke me pyet nëse ishte ardhur Hashimi. E fliste gjermanishten me aksent francez, jo edhe aq mirë. Meqë shfaqa habi, ai ma dha kartëvizitën, duke më thënë se është shok i Hashimit. Emri i tij: Arnaud Danjean. I shënonte edhe funksioni shef departamenti për Ballkanin, në DGSE [Direction Générale de la Sécurité Extérieure / shqip i bie: Drejtoria Gjenerale për Siguri të Jashtme, diç ngjashëm me CIA amerikane, BND gjermane]. Menjëherë i bëra lajkë: “Po, me ka fol shpesh Hashimi për Ty, se të ka shok të mirë, prandaj meqë je shok i Hashimit, je shok edhe imi...” (parafrazim). Dhe meqë Hashimi e Bilalli po vonoheshin, biseda ekskaloi në grindje, meqë nuk shquhem për simulim të injorantin, si taktikë. I pata thënë: “Mos ndoshta po me tall për injorant, meqë një shef sektori i DGSE-së nuk mundet me qenë shok me Hashimin, por Hashimin e keni marionetë, ndërsa Ti je epror dhe ke ardhur për të na i bërë komplotet e radhës edhe këtu, si në Rambuje e gjetiu...” Biseduam edhe si e kur ishin njohur. Tha se ishin njohur në Cyrih, në kurs për gjuhë gjermane. Por unë e kontestova, duke thënë se nuk ishte logjike që DGSE-ja të dërgonte një shef sektori për të mësuar gjermanisht në Cyrih, kur ka mundësi në Strasburg të Francës, sepse në Cyrih përdorët gjermanishtja zvicerane. Nuk ngurrova t’ia përplas, se gjetja dhe rekrutimi i Hashimit duhet të ketë ndodhur me ndërmjetësim të shërbimit partner të Serbisë. U rezerva t’ia them edhe ca gjera, që në ndërkohë i dija.

Kur Hashimi zbriti, na gjeti në grindje e sipër. Nuk i erdhi mirë që tashmë ma pa në dorë edhe kartëvizitën e tij.

Siguria në Këln ishte tepër e lartë; ishte vështirë lëvizja për takime. Hashimi duhej të shkonte në takim me Tony Blaer, sepse e kishin paracaktuar. Përball stacionit hekurudhor BKA (Enti federal për kriminalistik) kishte ngrit qendër koordinuese për siguri të samitit, në Excelsior Hotel. Sapo u paraqita aty me arrestuan, duke me fajësuar për diversionin që kisha bërë, me vendosjen e Hashimit në Hotel Maritim. Pas rreth dy orëve me liruan, pasi i luta të telefonin funksionarin qeveritar...

[Para ca ditëve u surprizova kur një mik ma dërgoi një foto, ku ishim të fotografuar, ulur rreth tavoline, Bilall Sherifi, Danjean Arnaud, Hashimi dhe unë, më 8 qershor 1999, në Këln.]

 

• Ndodhi mrekullia: Më 10 qershor kapitulloi Serbia!

Qysh ditën e kapitullimit, pothuajse, u ndërpre krejtësisht dhënia e ndihmave financiare në Fondin V.Th., qoftë përmes bankës, qoftë përmes veprimtarëve. Pas dy-tri ditëve “ministri i financave” i “qeverisë së përkohshme”, kUmandanti Adem Graboci, e bëri publik komplotin e radhës: Fondin “Vendlindja thërret” e shpalli “fond të qeverisë së përkohshme”! Banditët e inkriminuar të “shtabit të Rognerit”, tashmë profiterë të luftës, u katapultuan në “qeveri të përkohshme”!

Paralelisht, si kundërpërgjigje, publikova njoftimin se Fondi “Vendlindja thërret”, në Gjermani, e mbylli veprimtarinë.
Më 16 qershor 1999, kisha rezervuar fluturimin, me Kompaninë ajrore hungareze Malev, për Tiranë. Planifikuam të shkonim bashkë, me Naser Idrizin, nga Aeroporti i Hamburgut. Fluturimi ishte në ora 8. U zgjova në ora 3, që të arrija tamam, nga Këlni në Hamburg. Mitrovicaliu Veton Jashari po më dërgonte në aeroport, me auto të tij. Duke qenë në udhëtim, rreth orës 5, më cingëron celulari. Komandanti i ekipit të policës speciale, që po e bastiste banesën time, me urdhëroi të kthehesha, meqë kishte urdhër arresti për mua. U grindem, paksa. Nuk hyra fare në Aeroport në Hamburg, meqë e dija se do më arrestonin. Hipa në tren, në drejtim të Zvicrës dhe përfundova në Bari. Prej andej, me traget, arrita në Durrës. Në ndërkohë u informova se ishin bastisur zyrat e Fondit dhe banesat e shumë bashkëveprimtarëve. Nga zyrat kishin konfiskuar gjithë dokumentacionin dhe kompjuterët, ku ishin regjistruar të gjitha të hyrat, meqë kishim krijuar databas.

Në Prishtinë takoja shpesh funksionarë gjermanë, që më thoshin të mos brengosesha, nga se ishte një veprim rutinor për t’u arsyetuar para aleatëve, sepse shteti gjerman ju kishte toleruar, zyrtarisht, të mblidhni ndihma për ushtri terroriste, e të tjera broçkulla të ngjashme. Pas një viti, policia e ktheu dokumentacionin, por, tashmë, ishin të tjerë ata që e kanë pranuar atë dokumentacion.
Pas katër vjetësh prokuroria pat ndërprerë hetimet, pa ngritur padi, me arsyetim se nuk kanë gjetur prova për shpërdorime.
Fatkeqësisht, shteti gjerman konfiskoi rreth dy milionë DM të Fondit, që policia i mblodhi gjatë bastisjes, dhe ato që ishin në xhirollogari, me arsyetimin se Ministria e financave ka pas anuluar statusin e bamirësisë...

Uroj të mos e kenë zhdukur dokumentacionin e Fondit kUmandantat e “shtabit të Rognerit”!

 

• Në tetor 1999, Telekomi gjerman ma pat dërguar një faturë me rreth 1.2 milionë DM borxh, për shpenzimet që ishin bërë për telefona satelitorë. Bëhej fjalë për 140 telefona satelitorë që i kishte në shërbim UÇK-ja. Edhe 30 të tjerë, i kishim marrë nga një firmë private (CPN), në fillim të majit 1999, meqë na ofroi për 4,- DM minutën, ndërsa nga Telekomi e kishim 4.5,- DM. Ajo faturë më krijoi shqetësim ekstra. Isha marrë vesh me Ushtrinë gjermane, që do të paguante ajo. Në fund të marsit, duke parë që në muaj, po detyroheshim të paguajmë rreth 250 mijë DM, rastësisht mu tek t’i telefonoja Shtabit ushtarak për Kosovën, që e kishte krijuar Ushtria gjermane. Në takimin që pata, u ankova se nuk jemi më në gjendje financiare që të paguanim telefonat satelitorë, që tashmë po i shërbenin për informim edhe NATO-s. Pas disa konsultimeve më propozuan që të shkoja në Telekom dhe t’u thosha se do t’i mbylli telefonat dhe aty do të merrja përgjigje. Vërtet, në Telekom, ku kishte ndodhur intervenimi, më thanë që të mos brengosesha, sepse nuk do të paguanim më. Por, tani, fatura që më kishte ardhur, megjithatë, me shqetësoi. Nuk kishim bërë marrëveshje me shkrim. Druaja mos Telekomi ishte penduar.
Ia prezantova “ministrit” Adem Grabovci faturën, me lutje që ta paguante “fondi i qeverisë së përkohshme”. Mu përgjigj se nuk e kisha vlerën aq, prandaj duhej të shkoja ta paguaja me burg...
Edhe një përjetim zhgënjyes, nga kUmandanti Adem!
Fatmirësisht, Telekomi gjerman nuk e ka përsëritur më atë kërkesë.

 

• Në Kosovën e pasluftës nga vet UÇK-ja urreshin shumë  kUmandantat e “shtabit të Rognerit”: Xhaviti, Azemi dhe Hashimi. Azemi jetonte si bukla. Hashimi ndihej më i sigurt, sepse e mbronte DGSE-ja franceze. Xhaviti, jetonte në suitë të Hotel Grandit, po përherë me truproja. Pothuajse të gjithë pjesëtarët e shtabeve të zonave dyshonin në Xhavitin dhe Azemin si pagues të mercenarëve vrasës (tropojanin Besim Demiri me vëlla e shokë) për vrasje të Ilir Konushevcit, ndërsa për vrasje të Behajdin Allaqit e dyshonin Hashim Thaçin. I urrenin edhe për grabitje të ndihmave financiare të UÇK-së, etj.

Hashimi më qaste për t’më shpërdoruar, se nuk ishte siç dyshohej, përndryshe nuk do të më kishte për këshilltar, edhe pse unë kisha refuzuar të isha këshilltar i tij. Ai e dinte se ata që më njihnin, me respektonin.

Në skenë doli edhe një konflikti politik. Tashmë u bënë “bllok” Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, Ramiz Lladrovci dhe simpatizantët e tyre, kundër “shtabit të Rognerit”. Kur rikujtoj ato përplasje, mrekullohem se si nuk ndodhën shpërthime vrastare, me pasoja groteske.
Tepër i neveritshëm ishte dëliri i madhështisë që përshfaqnin kUmandantat dhe argatët e tyre, me xhipa e auto të shtrenjtë, që u vërsulen për të grabitur edhe prona shtetërore e shoqërore...

Me xhipa blu, binin në sy sidomos Vëllazëria Selimi, që e shoqëronin “ministrin e brendshëm”, Rexhepin, shokun, ndoshta edhe kolegun, e Fadil Syleviqit...

 

• Në fund të qershorit mbajtëm Kuvendin e Lëvizjes, në Prizren. Si anëtar i Kryesisë duhej të merresha me çështje organizimi të Kuvendit. Vendosëm ta mbanim në Prizren, edhe për hir të Lidhjes së Prizrenit. Meqë bëja pjesë në grupin që përgatiste dokumentacionin për Kuvend, formuluam propozimin që Kuvendit t’i propozohej shpërndarja e Lëvizjes. Unë isha pro sepse shihja në terren, që shërbimet serbe dhe partitë politike “legale” të Kosovës kishin mashtruar turmat që ta urrenin Lëvizjen, si gogol kujdestar për të gjitha të këqijat. Arsyeja tjetër ishte se UNMIK-u nuk regjistronte organizata, por vetëm parti politike, që do të kishin të drejtë të merrnin pjesë në zgjedhje. Në Kuvendin e LPK morën pjesë të gjithë drejtuesit e zonave operative, vegjëlia e UÇK-së, me përjashtim të Ramush Haredinajt, i cili, në takimin me të, na mbështeti politikisht, por si ushtarak nuk i donte të vinte. Nga kUmandantat erdhi në Kuvend vetëm Hashimi me ca argatë. Ai propozoi që Kuvendi të shndërrohej në konsultativ dhe jo vendimmarrës, por, propozimi i tij nuk u votua. Propozimin për ta shpërndarë Lëvizjen, dhe për të formuar parti, e votuan pothuajse të gjithë të pranishmit (rreth 240 veta, ndoshta katër vota ishin kundër dhe dy abstenime). Grupi i punës për formim të partisë ishin Bedri Islami, kryetar, Jashar Salihu, Xhevat Bislimi, Adnan Asllani, Ramiz Lladrovci, (të tjerët i paskam harruar). Bedri Islami bëri përpjekje që të angazhohen edhe nga Familja e Adem Jasharit, se kishte lidhje të forta me ta, por i thanë: “Nëse do me ba parti me hashimthaça, nuk vijmë, nëse do me ba parti ti me shokë të mirë, vijmë me ju”. Mes tyre kishte pas gjithmonë ndasi të fortë.

Unë u deklarova se nuk doja të merresha me veprimtari partiake, as qeveritare.

Gjatë ditëve që punohej për formimin e partisë kishte përplasje të forta. Edhe Shaban Shala kishte rezerva për kUmandantë, por ishte për pajtim. Një ditë i thashë Bedri Islami të mos u ngutet me krijim partie, vetëm pse po të ngutet me u kthye në Gjermani. Ai më tha se “po nuk u krijua tani, nuk do të bëhet për shumë muaj e ndoshta kurrë”. Njerëz pranë Thaçit, Jakup Krasniqi e Bilall Sherifi, na thoshin se Hashimi vjen në parti, veç po u zgjodh kryetar me aklamacion. Kur nuk u imponuan dot, atëherë “shtabi i Rognerit” mobilizoi gjithë potencialin për të sabotuar formimin e partisë. Ndodhi që “kryeministri” Thaçi ta kërcënonte edhe Jashar Salihun, pse po e  mbështeste Bardhylin. Mes Bardhylit dhe Hashimit ishte gjendje lufte. Si më informuan, Bardhyli, në mbledhje të përbashkët me shtabin e drejtorinë politike i kishte thënë në sy se “ju doni me vra shokët kryesorë, doni me vra Bedriun se keni frikë se del kryetar, doni me më vra mua, por, po më ndodhi diçka, tanë agjencitë e botës e dini se jeni ju vrasësit”. (parafrazim).

Më rastisi të shihja një skenë groteske, në vilën e ortakut të Arkanit, ku Hashimi kishte vendosur “qeverinë e përkohshme”. Jashari u trondit aq shumë nga kërcënimi që ia bëri Hashimi, sa i plasën lotët qurk. Asnjëherë nuk po më shqitet mendimi, se atë natë, aty, Jasharit i plasi kanceri në tru nga kërcënimi i Gjarpnit, duke ia mbyllur para kohe rrojtjen...

Ndonjëherë ndihem i penduar që pata penguar Komandant Sami Lushtakun, i cili kishte ardhur me shumë ushtarë, ta shkretonte atë strofull të Gjarpnit...
Ndodhi themelimi i partisë. Fillimisht më shumë vota mori Bedri Islami, por ai u tërhoq pas këshillës sime se UNMIK-u nuk do të lejonte që një shtetas shqiptar të ishte drejtues i një partie politike në Kosovë. Në rundin e dytë garuan Bardhyl Mahmuti dhe Shaban Shala. Kryetar u bë Bardhyl Mahmuti. Fatkeqësisht ai nuk qe në gjendje ose nuk dështi të sfidonte komplotin e Gjarpnit. Ajo parti u tjetërsua në PDK – korporatë private e Hashimit me kUmandantë dhe pjesëtarë tjerë, të rekrutuar në ndërkohë edhe në bandën “pronto”...

• Disa ditë pas Lufte, me propozim që bëra, “kryeministri” Thaçi simuloi gatishmërinë që ta përkrahte idenë për formim të një televizion privat. Angazhova Visar Rekën të gjente një shtëpi me qira. Luta stafin teknik të TV-Arbëria në Tiranë të na ndihmonin me përvojën e tyre. Ofruan një variant që do të kushtonte vetëm rreth 50 mijë USD. Dështuam. Vilën që e gjeti Visari për televizion, Hashimi e bleu për vete, me duket 500 mijë DM. Në prapashpinë Hashimi pat angazhuar, kë tjetër pos bojaxhiut Fatmir Zymeri, t’i blente pajisjet moderne për televizion. Pas ca javësh erdhën paketimet, për të cilat, thuhej se kishin kushtuar rreth 600 mijë USD. Edhe ato paketime u “avulluan” pas një kohe dhe televizioni nuk u formua. Po Fatmir Zymerin e angazhoi Gjarpni të botonte një gazetë ditore. Edhe në atë aventurë u “avulluan” rreth 1.5 milionë DM. Sikur më ngjante, kUmandantat qëllimisht po dështonin gjithçka, për të krijuar mendimin se jemi dështakë...

 

***


Njerëz të mirë, sidomos Ju që nuk keni qenë në gjendje të mbroheni nga ndikimi e manipulimi që ka ndodhur përmes luftës speciale të shërbimeve armiqësore, kundër UÇK-së, që nuk jeni mbrojtur dot as nga ndikimi që ua kanë shkaktuar mitizmet e shpifura për kUmandantat, - vetëdijesohuni për UÇK-në e Ademit, Zahirit, Adrianit, Luanit, Bekimit, Fehmiut, Xhevës, Ilazit, Ismetit, Mujës, respektivisht të 2.132 heronjve e dëshmorëve që u martirizuan, duke qenë në ballo të UÇK-së heroike! Mos e përçmoni e urreni UÇK-në, për shkak të rreth 5-6 kUmandantave, sepse, në mos tjetër, bëni xhynah e blasfemi ndaj Tyre, siç shprehej Nëna ime, ndjesë pastë, për raste të ngjashme.

Uroj të ndërgjegjësoheni për të dalluar Komandantët e devotshëm, fisnikë, nga kUmandantat sabotues, komplotistë, profiterë, plaçkitës, vrasës!