Enjoying our demo? Submit your e-mail and we will get back to you with personalised offer.

Histori

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) III

Akademia e Shkenca e Shqipërisë 10/06/2018
Abstrakti
Texti i plotë

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) III

Mbrojtja e trojeve shqiptare

 

Shqipëria dhe Kongresi i Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878)

 

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.

Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit.

Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale.

Image

Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste. Këtë kërkesë ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit Kongresit të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që miratoi më 15 qershor.

Megjithëse kjo platformë e autonomisë ishte pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa të tjera, që parashikonin formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Kështu, në memorandumin, që një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan më 13 qershor 1878 lordit Bikonsfild, kryetar i delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit, pasi flitej hollësisht për rrezikun që i kanosej tërësisë territoriale të Shqipërisë nga shtetet fqinje, parashtrohej si zgjidhja më e përshtatshme për çështjen shqiptare, në kushtet në të cilat ndodhej Evropa Juglindore, formimi i një shteti shqiptar të pavarur. Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar do ta çlironte popullin shqiptar nga zgjedha shekullore osmane, do të krijonte në Ballkan një mburojë kundër pansllavizmit rus dhe do të shërbente si një element ekuilibri në lindje.

Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”.

Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit. Të mbledhura për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik. Në Kongres Fuqitë e Mëdha nuk u udhëhoqën nga parimi i lirisë së popujve, por nga interesat e tyre të veçantë, të cilët ishin në kontradiktë të thellë ndërmjet tyre. Perandoria Ruse luftonte për të sanksionuar kushtet e Traktatit të Shën-Stefanit, kurse Britania e Madhe me Austro-Hungarinë përpiqeshin të pakësonin sa më shumë përfitimet e Rusisë dhe t’i përforconin pozitat e tyre në Evropën Juglindore. Perandoria Gjermane orvatej të kënaqte Austro-Hungarinë për të mos e lënë që të bashkohej me Francën dhe ta neutralizonte kundërshtimin e Rusisë, duke provokuar keqësimin e marrëdhënieve të saj me Perandorinë Britanike. Synimi kryesor i Francës ishte izolimi politik i Gjermanisë, kurse Italia, nga ana e saj, kërkonte zgjidhje të tilla që do të çonin në dobësimin e pozitave të Austro-Hungarisë në Gadishullin Ballkanik.

Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit.

Sipas traktatit të ri, përfitimet politike e territoriale të Rusisë u pakësuan si në Gadishullin Ballkanik, ashtu edhe në Azinë e Vogël. Ideja e një principate bullgare, nën sovranitetin e sulltanit, mbeti në fuqi, por kufijtë e saj u zvogëluan gati trefish. Kongresi i Berlinit vendosi që territori i saj të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan. Viset në jug të maleve Ballkan do të formonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane me emrin Rumelia Lindore. Viset e Maqedonisë, së bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të cilat me Traktatin e Shën-Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin gjithashtu nën sundimin osman. Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore, duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës e të Nishit; këto, me Traktatin e Shën-Stefanit, i qenë premtuar Bullgarisë. Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit. Sipas Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.

Përfitime tokësore në kurriz të Perandorisë Osmane patën sidomos dy fuqi të mëdha, të cilat nuk kishin marrë pjesë fare në luftën ruso-turke: Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe. Austro-Hungaria fitoi të drejtën për të pushtuar ushtarakisht, gjoja për t’i administruar, Bosnjën dhe Hercegovinën, përveç limanit Spic, në brigjet jugore të Dalmacisë, të cilën e aneksoi zyrtarisht; po ashtu fitoi të drejtën për të mbajtur garnizone ushtarake në sanxhakun e Novi Pazarit. Britania e Madhe, e cila u paraqit në Kongres si mbrojtësja më e flaktë e Perandorisë Osmane, i shkëputi kësaj ishullin e Qipros.

Me përkrahjen e Anglisë e të Francës, Kongresi i Berlinit mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë, e cila gjithashtu nuk kishte marrë pjesë në luftën ruso-turke. Athina pretendonte të aneksonte Thesalinë, Maqedoninë, Kretën dhe sidomos Epirin (vilajetin e Janinës). Pas mjaft debatesh, Kongresi, duke marrë parasysh kundërshtimin që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë, nuk pranoi që këto t’i jepeshin Greqisë, ndërsa për pretendimet greke në Epir, Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit nga Greqia do të ishte i rrezikshëm për të dyja palët, pasi aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe si Greqisë, ashtu dhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek. Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e Mëdha.

Vendimet e Kongresit të Berlinit cenonin rëndë interesat e popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike. Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale. Malit të Zi, përveç trojeve me popullsi të përzier shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise thjesht shqiptare (krahinat e Plavës, të Gucisë e të Rugovës), sikundër edhe Serbisë (krahinat e Vranjës, të Trenit e të Pirotit). Bullgarisë nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por, nga ana tjetër, iu dhanë Greqisë (e cila nuk përfitonte asgjë nga Traktati i Shën-Stefanit), viset e Çamërisë. Veç kësaj, me Traktatin e Berlinit lindi edhe një rrezik tjetër për trojet shqiptare. Ky rrezik vinte nga Austro-Hungaria, e cila, përveç pushtimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës, fitonte gjithashtu të drejtën të vendoste garnizone ushtarake dhe të ndërtonte rrugë strategjike në sanxhakun e Novi Pazarit “deri përtej Mitrovicës”. Me këto koncesione Vjena hidhte hapin e parë për të pushtuar një ditë krejt Kosovën dhe për të dalë pastaj në Selanik.

Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit, dy prej tyre preknin, njëri tërthorazi e tjetri drejtpërdrejt, dy çështje që kishin lidhje me aspektin politik të trojeve shqiptare, që do të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë Osmane. E para trajtohej në nenin 23 të traktatit. Sipas këtij neni, Porta e Lartë detyrohej të hartonte për viset ballkanike, që ndodheshin nën sundimin e saj të plotë, “rregullore organike” për një administrim autonom të vilajeteve, pak a shumë të njëllojtë me atë që i qe dhënë ishullit të Kretës më 1868. Me qëllim që këto “rregullore” t’u përshtateshin nevojave të vendit, Porta duhej të ngarkonte “komisione të posaçme” për hartimin e tyre, në të cilat “elementi vendas duhej të përfaqësohej në shkallë të gjerë”. Projektet që do të hartoheshin për çdo vilajet, thuhej në po këtë nen, para se të hynin në fuqi, do të miratoheshin edhe nga Komisioni Evropian që u krijua nga Fuqitë e Mëdha për Rumelinë Lindore. E dyta ishte përfshirë në Protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit dhe kishte lidhje me venomet e Mirditës. Fillimisht çështja u ngrit nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë. Këta kërkuan nga Porta e Lartë që ajo t’i respektonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet” (domethënë: venomet), të cilat “popullsia e Mirditës i gëzon ab antiquo” (që në kohët e lashta). Përfaqësuesi osman e kundërshtoi këtë propozim që e pengonte Portën e Lartë ta nënshtronte Mirditën, duke u kapur pas faktit se zotimi për të respektuar venomet në këtë krahinë binte në kundërshtim me nenin 23, i cili e detyronte atë të zbatonte reforma administrative në vilajetet e Turqisë Evropiane. Megjithatë ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend të zbatonte reformat e saj në krahinën e Mirditës. Fuqitë e Mëdha mbetën të kënaqura nga deklarata e përfaqësuesit turk, e cila u përfshi në Protokollin nr.13, duke marrë kështu vlerën e një zotimi zyrtar. Të dyja këto vendime ishin negative për Shqipërinë.

Me nenin 23 Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, jo pse e detyronin Perandorinë Osmane t’i pajiste viset ballkanike me administratë autonome “të përshtatshme” me nevojat e tyre, por me të drejtën që fitoi Porta e Lartë për ta mbajtur edhe në të ardhmen ndarjen administrative që ishte në fuqi, pra copëtimin e trojeve shqiptare ndërmjet katër vilajeteve të ndryshme. Reformat administrative autonomiste i kërkonin vetë qarqet përparimtare rilindëse, por ato i kushtëzonin këto reforma me bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom. Pajisja e katër vilajeteve me “rregullore organike” të veçantë, gjoja në përshtatje me nevojat e vendit, do t’i vështirësonte edhe më tej lidhjet ekonomike, shoqërore, politike e kulturore ndërmjet krahinave shqiptare të këtyre vilajeteve. Për më tepër, e drejta që fituan me nenin 23 Fuqitë e Mëdha për të ndërhyrë në këtë çështje, u dha atyre mundësinë, siç shkruante pak më vonë Abdyl Frashëri, që t’u jepnin reformave karakter joshqiptar, por serb në vilajetin e Kosovës, bullgar në atë të Manastirit dhe grek në vilajetin e Janinës. Si rrjedhim, me zbatimin e nenit 23 rritej më tepër në të ardhmen rreziku i aneksimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje ballkanike dhe vështirësohej më shumë lufta e shqiptarëve për bashkimin e këtyre trojeve në një vilajet të vetëm autonom.

Po ashtu, me Protokollin nr. 13, Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, sepse çështjen kombëtare shqiptare e reduktuan vetëm si problem të popullsisë së saj katolike dhe në mënyrë të veçantë vetëm si çështjen e një krahine të saj, siç ishte krahina e vogël dhe e prapambetur e Mirditës, e cila, sipas tyre, nuk aspironte gjë tjetër, veçse të ruante statusin e saj partikularist e patriarkal. Protokolli nr.13 i hapte kështu rrugën Vjenës, e cila gëzonte prej kohësh të drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të Perandorisë Osmane (kultusprotektoratin), që të ndërhynte lirisht në jetën e brendshme të Mirditës dhe ta kthente atë në një pikëmbështetje të avancuar për ekspansionin e saj të mëtejshëm drejt brigjeve shqiptare të Adriatikut dhe drejt viseve të Ballkanit Qendror.

 

Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-turke.Aksioni i Gjakovës (korrik-shtator 1878)

Vendimet e Kongresit të Berlinit e shtuan zemërimin e shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha dhe kundër Portës së Lartë. Nga të katër anët e vendit u bënë protesta për të kundërshtuar shkëputjen e trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Kudo u shpreh gatishmëria e masave popullore për të mos lëshuar, qoftë në veri, qoftë në jug, asnjë pëllëmbë tokë të banuar nga popullsi shqiptare. Megjithatë, pasi mbaruan punimet e Kongresit të Berlinit, vëmendja e shqiptarëve u drejtua kryesisht nga fati i trojeve veriore, pasi vendimi i Fuqive të Mëdha për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë në favor të Malit të Zi kishte formë të prerë. Si i tillë ai duhej të zbatohej menjëherë, kurse vendimi për viset jugore do të merrte formë përfundimtare më vonë, pasi ishte i lidhur me bisedimet turko-greke.

Tensioni i madh politik që pushtoi opinionin publik krijoi një truall të favorshëm për rritjen e shpejtë të autoritetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për shtrirjen e saj organizative, brenda pak javëve, në të katër anët e vendit.

Pasi u kthyen në krahinat e tyre delegatët që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit, besëlidhjet lokale ose komisionet e vetëmbrojtjes, që ishin krijuar më parë, u kthyen menjëherë në degë të Lidhjes Shqiptare. Në ato krahina, ku ato mungonin, u organizuan mbledhje të posaçme, të cilat formuan degët lokale të Lidhjes. Duke marrë parasysh vështirësitë e ndërlidhjes së degëve të shumta me Komitetin Kombëtar dhe për ta rritur operativitetin e këtyre degëve në përshtatje me rrethanat lokale, në fillim të korrikut u formuan në bazë vilajetesh tri komitete ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare me qendër në Prizren, në Shkodër dhe në Janinë. Me to u lidhën degët e shpërndara në sanxhakët dhe në kazatë e këtyre vilajeteve. Meqenëse më 1878 vilajeti i Manastirit ishte suprimuar, degët e formuara në sanxhakët e Dibrës, të Ohrit e të Manastirit u lidhën me Komitetin Ndërkrahinor të Prizrenit, kurse ato të sanxhakut të Korçës me Komitetin Ndërkrahinor të Janinës. Lidhjet ndërmjet Komitetit të Janinës dhe komiteteve të Prizrenit ose të Shkodrës kryheshin sipas rastit, nëpërmjet degës së Elbasanit ose nëpërmjet degës së krijuar posaçërisht për këtë qëllim në Selanik, e cila shërbente si ndërmjetëse për lidhjet e komiteteve ndërkrahinore të vilajeteve me Komitetin e Stambollit. Për të shpejtuar lidhjet ndërmjet tyre, komitetet krahinore shfrytëzuan edhe linjën telegrafike, madje, nëpërmjet telegrafistëve atdhetarë, edhe shifrazhin sekret telegrafik.

Në përshtatje me situatën e krijuar, Komiteti Ndërkrahinor i Janinës u ngarkua me detyrën që të merrte masa politike e ushtarake për të parandaluar ose, në pamundësi të kësaj, për të kundërshtuar shkëputjen e Çamërisë në favor të Greqisë. Për këtë qëllim në dhjetëditëshin e tretë të korrikut 1878 u organizua në Janinë një Kuvend i gjerë Ndërkrahinor me përfaqësues të të gjitha degëve të vilajetit. Pasi vendosi të shprehte botërisht vendosmërinë e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë çdo lëshim të trojeve të tyre në favor të Mbretërisë Greke, Kuvendi Ndërkrahinor caktoi për çdo kaza numrin e forcave vullnetare, që do të mobilizoheshin për të hyrë në luftë menjëherë sapo të dilte nevoja. Në të njëjtën kohë përfaqësuesit e degëve të Jugut miratuan një memorandum, me të cilin paralajmërohej Porta e Lartë se shqiptarët ishin të vendosur të viheshin edhe kundër saj, në rast se ajo do të tërhiqej përballë pretendimeve shoviniste të Athinës.

Në mbledhjen që mbajti më 24 korrik 1878, nën drejtimin e Abdyl Frashërit, Kuvendi Ndërkrahinor i Janinës, krahas vendimeve që mori për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë, shqyrtoi edhe çështjen e formimit të vilajetit autonom shqiptar. Për këtë qëllim, më 24 korrik 1878, u hartua një rezolutë e veçantë, në të cilën aspirata e shqiptarëve për autonomi është formuluar nëpërmjet tri kërkesave: bashkimi i trojeve të tyre në një vilajet të vetëm, zhvillimi i gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare dhe zbatimi menjëherë në Shqipëri i reformave të përshtatshme me nevojat e saj, sikurse ishte krijimi i “milicisë shqiptare” me forca të rekrutuara nga e gjithë Shqipëria. Lidhja parashikonte që vetëm në vilajetin e Janinës të mblidhte 30 mijë burra të armatosur.

Kjo rezolutë, në të cilën shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë në dorë çdo aneksim të tokës së tyre nga Greqia, madje edhe në kundërshtim me qëndrimin e Portës së Lartë, shqetësoi qarqet qeveritare të Stambollit. Në telegramet që i dërgonte kryetarit të Kuvendit Ndërkrahinor të Janinës më 3 dhe 25 gusht, kryeministri turk shpejtoi t’i qetësonte shqiptarët, duke u zotuar se nuk do t’i lëshonte Greqisë asnjë pëllëmbë tokë nga vilajeti i Janinës.

Gjithashtu, në përshtatje me situatën e krijuar, dy komitetet ndërkrahinore të Veriut u mobilizuan për të kundërshtuar me armë dorëzimin e kazasë së Gucisë (ku bënte pjesë edhe Plava) në favor të Malit të Zi. Për mbrojtjen e tyre në Shkodër u zhvillua një miting popullor, pas të cilit filluan menjëherë përgatitjet për të rekrutuar vullnetarë dhe për të grumbulluar armë. Brenda pak ditëve, në fillim të korrikut, në rrethin e Shkodrës u regjistruan rreth 6 mijë vullnetarë. Qytetarët dhe fshatarët dhanë kontribut në të holla e drithë. Një mobilizim i tillë ndodhi edhe në Kosovë, sidomos në Gjakovë e në Pejë. Më shumë se kudo mobilizimi përfshiu banorët e Plavës e të Gucisë. Shqiptarët, të cilët përbënin shumicën dërrmuese të këtyre dy krahinave, u vunë në gatishmëri të plotë, duke vëzhguar ditë e natë lëvizjet e ushtrive malazeze përtej kufirit. Sipas vendimit që mori Komiteti Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit, vullnetarët e krahinave të tjera do të qëndronin në shtëpitë e tyre në pritje për t’u nisur në front sapo të lëshohej kushtrimi.

Përgatitjet politike dhe ushtarake të Lidhjes së Prizrenit tregonin se nenet e Traktatit të Berlinit, që cenonin të drejtat kombëtare të Shqipërisë, nuk mund të zbatoheshin pa dhunën e armatosur kundër shqiptarëve që do të ushtrohej ose nga Mali i Zi, ose nga Perandoria Osmane. Për ta mënjanuar këtë konflikt tepër të kushtueshëm dhe me përfundime të pasigurta për Malin e Zi, knjaz Nikolla kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, duke e akuzuar Portën e Lartë si organizatoren e Lidhjes së Prizrenit.

Për Perandorinë Osmane kazaja e Gucisë, me më pak se 10 mijë banorë, nuk kishte asnjë rëndësi ekonomike e strategjike në krahasim me territoret e gjera të Bullgarisë, të Bosnjës, të Hercegovinës etj., që asaj iu shkëputën nga Traktati i Berlinit. Por Porta e Lartë nuk donte që, për shkak të një krahine të parëndësishme kufitare, të ndizte revoltimin e mëtejshëm të 1,6 milion shqiptarëve, të cilët do të mbeteshin brenda kufijve të Perandorisë. Si rrjedhim, ajo ngurroi të dorëzonte Plavën e Gucinë, duke u justifikuar para Fuqive të Mëdha me arsyen e vërtetë, me rrezikun e një konflikti të armatosur ndërmjet saj dhe shqiptarëve.

Ndërkaq, në dhjetëditëshin e tretë të korrikut u acaruan marrëdhëniet e Portës së Lartë me shqiptarët, për shkak të qëndrimit të këtyre të fundit ndaj pushtimit të Bosnjës e të Hercegovinës nga Austro-Hungaria. Kur më 22 korrik ushtritë austro-hungareze filluan marshimin drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, autoritetet shtetërore osmane u kërkuan krerëve të Lidhjes Shqiptare që t’u vinin në ndihmë me forcat e tyre të armatosura boshnjakëve, që kishin rrëmbyer armët kundër pushtuesve të huaj. Kërkesën e Stambollit e miratuan vetëm qarqet sulltaniste, të cilat u përpoqën të bindnin Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes për të marrë pjesë në luftën kundër Austro-Hungarisë, ndërsa anëtarët e tij nuk pranuan, duke përdorur si argument nevojën e ngutshme që kishte vendi për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Presioni i qarqeve qeveritare dhe i elementëve turkomanë vijoi katër javë, derisa më 19 gusht 1878 Këshilli i Përgjithshëm, i mbledhur posaçërisht për këtë qëllim, e hodhi përfundimisht poshtë kërkesën e Portës së Lartë. Lidhja vendosi të mos dërgonte forcat e saj të armatosura kundër invazionit austro-hungarez në Bosnjë, me arsyen e thjeshtë se ato ishin krijuar për të mbrojtur interesat kombëtarë të Shqipërisë e jo të Perandorisë Osmane. Me këtë qëndrim Lidhja e Prizrenit u dha, pas miratimit të kanunit kombëtar më 2 korrik 1878, goditjen e dytë planeve të sulltanit. Goditjen e tretë ajo ua dha tre javë më vonë me vrasjen në Gjakovë të mareshalit Mehmet Ali pashë Maxhari.

Pas dështimit të planeve të saj në lidhje me Bosnjën e me Hercegovinën, Porta e Lartë filloi të shqetësohej si nga rruga e veprimeve të pavarura në të cilët tashmë kishte hyrë Lidhja Shqiptare, ashtu edhe nga trysnia e madhe që po ushtronin Fuqitë e Mëdha në lidhje me zbatimin e Traktatit të Berlinit kundrejt Malit të Zi e Mbretërisë Greke. Trysni të fuqishme ushtronte sidomos Rusia cariste, e cila po e kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të veta nga Rumelia Lindore me dorëzimin nga ana e Perandorisë Osmane të trojeve që i qenë premtuar Malit të Zi. Kërkesën e plotësimit të detyrimeve, që rridhnin nga Kongresi i Berlinit, ia parashtroi Stambollit edhe princi i Malit të Zi, më 13 gusht 1878. Për t’u çliruar nga ky presion e sidomos nga ai që ushtronte Rusia, ushtritë e së cilës ndodheshin në afërsitë e Stambollit, Porta e Lartë vendosi të shpejtonte veprimet për dorëzimin e këtyre trojeve, duke përfshirë këtu edhe Plavën e Gucinë. Në përgjigjen që i dha princit të Malit të Zi, më 20 gusht, Ministria e Jashtme e njoftonte knjaz Nikollën se qeveria perandorake kishte caktuar mareshalin Mehmet Ali Pashën si komisar i jashtëzakonshëm për të kryer formalitetet e dorëzimit të Plavës e të Gucisë.

Në fund të gushtit u dërgua në Shqipëri mareshali Mehmet Ali pashë Maxhari si komisar me fuqi të jashtëzakonshme për kufijtë turko-malazezë, i shoqëruar nga një adjutant i sulltanit. Ai u porosit që, para se të shkonte në kufi, ta bindte Komitetin e Lidhjes të mos e kundërshtonte dorëzimin e Plavës e të Gucisë dhe të mos i sillnin atij pengesa në zbatimin e Traktatit të Berlinit.

Qysh në fillim u mor vesh se mareshali turk kishte marrë përsipër të shpërndante Komitetin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare në Prizren dhe, pasi të kryente dorëzimin e Plavës e të Gucisë, do të vinte në Shkodër për të shpërndarë edhe aty Komitetin Krahinor të Lidhjes. Prandaj lajmi i misionit të Mehmet Ali pashës u prit me zemërim në Shqipëri. Në Prizren, Komiteti Kombëtar i Lidhjes u shpreh kundër pjesëmarrjes së mareshalit në komisionin e kufirit. Po kështu, në një mbledhje të fshehtë që u mbajt në Shkodër nga aktivistët më radikalë, u vendos që të mos e linin komisarin e sulltanit as të hynte në qytetin e tyre.

Mehmet Ali pasha arriti në Prizren më 25 gusht 1878 dhe ra menjëherë në kontakt me anëtarët e organeve qendrore e ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare. Ai u përpoq të bindte veçan udhëheqësit e saj për kotësinë dhe dëmin e kundërshtimit të shqiptarëve, pasi, sipas tij, jo vetëm Porta e Lartë, por as Fuqitë e Mëdha nuk do të tërhiqeshin; ato do ta zbatonin me çdo kusht Traktatin e Berlinit. Në një mbledhje të përbashkët me të gjithë krerët e Lidhjes, më 26 gusht, ai përdori, midis të tjerave, edhe kërcënimin, duke u lënë një afat prej 24 orësh për t’u menduar. Por të nesërmen askush nuk u paraqit në mbledhje. Për më tepër, atë ditë u vra nga njerëzit e Lidhjes Shqiptare me atentat, në kafenenë “Marash” të Prizrenit, telegrafisti i Mehmet Ali pashës, të cilin mareshali e kishte sjellë me vete për të ruajtur sekretin e raporteve që do t`i drejtonte Portës së Lartë. Vrasja e telegrafistit ishte një paralajmërim që Lidhja e Prizrenit i drejtonte Maxhar Pashës dhe nëpërmjet tij qeverisë osmane, për të hequr dorë nga dorëzimi i trojeve shqiptare.

Mehmet Ali pasha nuk qe në gjendje as t’i bindte udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare, as edhe të shpërndante Komitetin Kombëtar sipas porosive të posaçme që kishte marrë në Stamboll. Megjithatë, mareshali turk nuk hoqi dorë nga misioni i tij. Më 31 gusht ai u nis për në Gjakovë i shoqëruar nga tri batalione ushtarësh turq, duke kërkuar nga Mitrovica që t’i dërgonin në ndihmë edhe një batalion tjetër. Edhe në Gjakovë ai thirri më 1 shtator në një mbledhje krerët e degës së Lidhjes, të cilët u përpoq t’i bindte që t’i nënshtroheshin vullnetit të sulltanit. Por këtu ai gjeti një qëndrim më të rreptë. Me përjashtim të kryetarit të degës së Lidhjes, Abdullah pashë Drenit, i cili si përfaqësues i krahut sulltanist u bashkua me Maxhar Pashën, të gjithë anëtarët e tjerë, të udhëhequr nga patriotët e vendosur Sulejman Vokshi e Ahmet Koronica, e ftuan mareshalin osman që të mos e vijonte më tej rrugën drejt kufirit malazez. Sapo morën vesh nisjen e tij, udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare për Gjakovën, lëshuan kushtrimin, të cilit iu përgjigjën mijëra malësorë të armatosur. Më 1 shtator, nën drejtimin e Ali pashë Gucisë, ata u grumbulluan në malin Erenik, duke zënë rrugën që kalonte prej Gjakove në Plavë e në Guci. Në këto rrethana, Mehmet Ali pasha e shtyu marshimin për në kufi dhe u struk në sarajet e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë. Pas kësaj, për t’i dhënë një paralajmërim tjetër më të prerë, po atë mbrëmje qytetarët e malësorët gjakovarë, rreth 4 500 veta të armatosur, të cilët i qenë përgjigjur kushtrimit të Lidhjes Shqiptare, lanë malin Ereç dhe zbritën në qytet, ku rrethuan sarajet e Abdullah pashë Drenit. Të nesërmen, më 2 shtator 1878, një delegacion gjakovarësh u paraqit përsëri te Abdullah pashë Dreni (në sarajet e të cilit ishte strehuar Mehmet Ali pasha) dhe i dha një ultimatum prej 24 orësh që ta përcillte mareshalin nga kishte ardhur. Të dy pashallarët shpresuan se me gjashtë kompanitë, rreth 600 veta që mbronin sarajet, me 30 trimat që kishin me vete dhe me ndihmat që prisnin t’u vinin nga Mitrovica, nga Prizreni dhe nga miqtë e tyre, do ta shtypnin kryengritjen. Në të vërtetë atyre u erdhën vetëm 70 malësorë nga Fandi i Gjakovës, të mashtruar prej priftit të tyre.

Më 3 shtator, pasi mbaroi afati i ultimatumit, rreth 4 500 kryengritës, që mbanin të rrethuar sarajet, filluan sulmin. Përleshja ishte e ashpër dhe me humbje të mëdha për të dyja palët. Në mbrëmje u bë një armëpushim prej 24 orësh për të rifilluar bisedimet, të cilat vijuan gjatë natës dhe gjatë ditës së nesërme, por pa ndonjë rezultat. Në mbrëmjen e 4 shtatorit rifilluan luftimet. Më 5 shtator gjendja e të rrethuarve u keqësua, pasi shumica e ushtarëve që mbronin sarajet u dorëzuan. Batalioni që u nis nga Mitrovica për t’i ardhur në ndihmë Maxhar Pashës u shthur rrugës dhe shumica e ushtarëve të tij, duke qenë shqiptarë, u bashkuan me kryengritësit. Më 6 shtator 1878, pas një sulmi të rreptë që ndërmorën luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat e kompanive turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan. Pastaj kryengritësit arritën t’u vënë zjarr sarajeve. Mehmet Ali pasha dhe Abdullah pashë Dreni mbetën të vrarë gjatë sulmit të fundit. Me vrasjen e tyre luftimet morën fund me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare. Gjatë këtij luftimi treditor të dyja palët patën humbje të mëdha, të rrethuarit rreth 90 veta, forcat e Lidhjes rreth 500 veta.

Image

Atlasi historik

Përpjekja e armatosur e Gjakovës ishte frymëzuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndërsa me organizimin e saj të drejtpërdrejtë u mor dega e Lidhjes për Gjakovën. Udhëheqësit kryesorë të saj ishin Ahmet Koronica, Sulejman Vokshi, Ali bej Gucia, Jakup Ferri dhe Ismail Myderizi, së bashku me krerët e esnafëve të qytetit të Gjakovës.

Përpjekja e Gjakovës pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Në saje të pjesëmarrjes së gjerë të masave popullore dhe të gjakut të tyre të derdhur në këto luftime, kjo ngjarje shënoi fitoren e plotë të vijës atdhetare shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Aksioni i Gjakovës tregoi se Lidhja e Prizrenit ishte një organizatë krejtësisht e pavarur nga Porta e Lartë, madje ajo ishte e vendosur që, për të mbrojtur tërësinë territoriale të atdheut, të luftonte edhe kundër saj. Në të vërtetë, Lidhja e Prizrenit, e cila u formua për të kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha dhe u përgatit për të hyrë në luftë kundër ekspansionit të shteteve fqinje, dëshmorët e saj të parë i la në luftë kundër Perandorisë Osmane.

Luftimet e Gjakovës patën jehonë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë në tri drejtime: si një akt që cenonte Traktatin e Berlinit në lidhje me detyrimet territoriale të Perandorisë Osmane ndaj Malit të Zi; si një aksion që keqësoi më shumë marrëdhëniet e Portës së Lartë me shqiptarët; si një veprim që e vështirësonte më keq zgjidhjen e problemeve të krijuara nga Kriza Lindore në Gadishullin Ballkanik.

 

Kuvendi i Dibrës dhe rezoluta e tij (1 nëntor 1878)

Me aksionin e Gjakovës, Lidhja e Prizrenit bëri një hap të rëndësishëm përpara. Opinioni shqiptar priste tani që Porta e Lartë të ndërhynte energjikisht për të vënë në vend dinjitetin e saj, të shkelur rëndë. Nga ana tjetër, vëzhguesit e huaj, të cilët e vlerësuan këtë aksion si një kryengritje kundër Stambollit, prisnin që ajo të shtrihej edhe në viset e tjera të Shqipërisë.

Porta e Lartë në fillim mendoi të ndërhynte duke ndërmarrë një fushatë ushtarake ndëshkimore kundër gjakovarëve dhe Lidhjes Shqiptare. Për këtë, më 8 shtator u nisën nga Selaniku për në Kosovë forca të shumta ushtarake, të cilat, me urdhër nga Stambolli, u ndalën më pas një pjesë në Ferizaj dhe të tjerët në Shkup. Qeveria e sulltanit arriti në përfundimin se në atë situatë nuk mund të ndërmerrej asnjë masë ushtarake e ndëshkimore ndaj shqiptarëve, sepse nuk ishte në interesin e saj të shkaktonte një luftë, që funksionarët e saj e quanin civile, me shqiptarët. Një veprim i tillë do të bëhej shkak për një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri, të cilën, siç dëshmojnë dokumentet bashkëkohëse, Stambolli nuk ishte në gjendje në atë kohë ta shtypte. Prandaj Porta e Lartë e la në heshtje përleshjen e Gjakovës, duke ua ngarkuar përgjegjësinë e gjakderdhjes disa personave të “pandërgjegjshëm”, kundër të cilëve deklaroi se do të merreshin masa në kohën e duhur.

Për një kryengritje të armatosur kundër Stambollit në këtë periudhë, kur rreziku i copëtimit territorial ndodhej në momentin e tij më të mprehtë, nuk qenë të interesuara as qarqet atdhetare shqiptare. Megjithatë, ato mendonin se tani që lëvizja kishte ecur mjaft përpara, ishin krijuar rrethana të favorshme për ta detyruar Portën e Lartë që të lëshonte pe në lidhje me të drejtat autonomiste të Shqipërisë pa qenë nevoja për një kryengritje të armatosur kundër saj. Kjo çështje u trajtua nga Komiteti i Stambollit gjatë dhjetëditëshit të tretë të muajit shtator 1878.

Image

Pasi analizoi gjendjen e re politike, Komiteti i Stambollit, në mbledhjen e fshehtë që zhvilloi nën kryesinë e Abdyl Frashërit, vendosi ta ngrinte me forcë para Portës së Lartë çështjen e formimit të Vilajetit Shqiptar. Vendimi i Komitetit u shpall botërisht si lajm, pa emër autori, më 27 shtator 1878, në gazetën “Terxhuman-i Shark”, që botohej nën drejtimin e Sami Frashërit në kryeqytetin perandorak. Sipas këtyre lajmeve, Lidhja Shqiptare kishte hartuar një program prej 7 pikash. Në pikën e parë thuhej se sovraniteti i sulltanit do të ruhej në Shqipëri dhe se asnjë pëllëmbë tokë shqiptare nuk duhej t’u jepej shteteve të tjera. Në pikën e dytë kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë, domethënë bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një njësi të vetme politiko-administrative. Pikat e tjera trajtonin prerogativat autonomiste dhe parimet kushtetore që duhej të kishte ky vilajet. Të gjithë nëpunësit do të ishin shqiptarë. Në administratë e në shkollë do të përdorej gjuha shqipe. Osmanishtja do të përdorej vetëm në korrespondencën me Portën e Lartë. Vilajeti i Shqipërisë do të kishte gjithashtu ushtrinë e vet kombëtare. Shqipëria autonome do të qeverisej nga një regjim demokratik. Të gjithë banorët, pa marrë parasysh dallimet fetare e shoqërore, do të kishin të drejta dhe detyra të barabarta. Vendi do të qeverisej nga organe pushtetore të zgjedhura demokratisht prej tyre. Çdo nahije (lokalitet), çdo kaza (rreth) dhe çdo sanxhak (prefekturë) do të kishte këshillin e vet të zgjedhur periodikisht. Organi më i lartë do të ishte Kuvendi i Madh i Vilajetit i zgjedhur nga këshillat e sanxhakëve, i veshur me pushtet legjislativ dhe ekzekutiv. Kuvendi i Madh do të zgjidhte qeverinë e vilajetit (Këshillin e Vilajetit). Qeveria do të përgatiste ligjet, do të studionte reformat, do të hartonte buxhetin dhe do të zgjidhte gjykatën e përgjithshme, të cilat do t’ia paraqiste për miratim Kuvendit të Madh. Vendimet e Këshillit të Vilajetit, thuhej në këtë program, do të zbatoheshin nga të gjithë banorët e vilajetit. Ato do të ishin të detyrueshme edhe për qeverinë perandorake osmane.

Pasi programi i ri u shpall botërisht, u ftuan të gjitha degët e Lidhjes së Prizrenit që ta miratonin dhe të ngarkonin një delegacion të përbërë nga personalitete shqiptare të njohura për t’ia paraqitur atë Portës së Lartë. Në shumë krahina të vendit u hap një diskutim i zjarrtë ndërmjet aktivistëve atdhetarë, që e mbështetën programin e ri dhe qarqeve sulltaniste, të cilat u ngritën kundër përmbajtjes së tij. Me qëllim që të tërhiqnin në anën e tyre përkrahësit e krahut të moderuar, në mjaft krahina udhëheqësit u detyruan të bënin një lëshim, - të hiqnin dorë nga pjesa e fundit e programit (nga parimet kushtetore që duhej të kishte Vilajeti i Shqipërisë), rreth të cilave u përqendrua diskutimi më i rreptë.

Në fillim programi u shtrua për diskutim në degën e Lidhjes Shqiptare për Dibrën, me nismën e së cilës u mbajt në Dibër, më 14 tetor, një kuvend i jashtëzakonshëm, ku morën pjesë krerët e qytetit të Malësisë dhe të Fushës së Dibrës, që miratuan një rezolutë, të hartuar mbi parimet e programit të Komitetit të Stambollit. Pasi protestohej kundër copëtimit të trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit dhe pasi flitej për rrezikun e asgjësimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, në rezolutë vihej në dukje se për të larguar këtë rrezik është e domosdoshme që të gjithë sanxhakët shqiptarë të bashkohen në një vilajet të vetëm autonom (Vilajeti i Shqipërisë). Vilajeti i Shqipërisë do të kishte kryeqytetin e vet, organet e tij ekzekutive e legjislative, nëpunës shqiptarë, arsimim në gjuhën shqipe, buxhetin e tij etj. Rezoluta që doli nga ky Kuvend do t’i nënshtrohej një diskutimi më të gjerë në një kuvend të posaçëm, në të cilin do të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave të sanxhakut.

Kuvendi i posaçëm i Lidhjes u mblodh më 1 nëntor 1878 në qytetin e Dibrës, me nismën e Komitetit të Lidhjes Shqiptare për të dyja Dibrat dhe veçanërisht të kryetarit të saj, Iljaz pashë Dibrës (Qoku). Në Kuvend mori pjesë si përfaqësues i Lidhjes Shqiptare për mbarë Toskërinë (vilajetin e Janinës) Abdyl Frashëri. Kuvendi miratoi një rezolutë në trajtën e një memorandumi, të hartuar nga dora e Abdyl Frashërit.

Rezoluta e Kuvendit të Dibrës përmbante po ato kërkesa, që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit dhe që ishin përfshirë në rezolutën e mbledhjes së Dibrës të 14 tetorit 1878, të përmbledhura në pesë pika: formimi i Vilajetit të Shqipërisë, pajisja e tij me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi i Madh, përdorimi i një pjese të madhe të buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime botore. Nga programi i Komitetit të Stambollit nuk u përfshinë haptas në rezolutë vetëm parimet demokratike të strukturës shtetërore të Vilajetit të Shqipërisë. Vendin e tyre këtu e kishte zënë e drejta që do të kishte Kuvendi i Madh për të zbatuar “reforma të dobishme për shtetin dhe për kombin”. Më në fund në rezolutë thuhej se këto kërkesa do t’i paraqiteshin brenda një muaji në emër të të gjithë popullit shqiptar, Portës së Lartë, me anë të një delegacioni të përbërë nga personalitete të shquara të Shqipërisë. Anëtarët e delegacionit, para se të vinin në Stamboll, duhej të merrnin pëlqimin, me mandat të shkruar, nga të gjitha kazatë dhe sanxhakët shqiptarë. “Shqipëria, - thuhej në fund të rezolutës, - do të rezistojë duke qenë e lidhur dhe e bashkuar si një trup i vetëm, derisa të arrihet plotësimi i kërkesave të lartpërmendura”.

Sipas marrëveshjes që u arrit në Dibër, delegacioni që do ta paraqiste dhe do ta mbronte rezolutën para Portës së Lartë do të përbëhej nga 14 veta, midis të cilëve ishin Iljaz pashë Dibra, Sheh Mustafa Tetova, Hasan pashë Prizreni, Mustafa pashë Vlora, Abedin bej Dino, Mehmet Ali Vrioni, Sabri Gjirokastra, Mihal Kristo, Abdyl Frashëri etj. Detyrën për të nxjerrë mandatet, me të cilat miratohej nga përfaqësuesit e kazave e të sanxhakëve shqiptarë rezoluta dhe mandatet e përbërjes së delegacionit, e morën përsipër Iljaz pashë Dibra për krahinat veriore dhe Abdyl Frashëri për krahinat jugore.

Misionin e vet të vështirë e të lodhshëm Abdyl Frashëri e kreu brenda një muaji. Pasi la Dibrën, ai u nis në drejtim të Elbasanit, kaloi në Berat, në Fier e në Vlorë, pastaj në Gjirokastër, në Delvinë e në Filat dhe, pasi përshkoi Çamërinë deri në Prevezë, u kthye në Janinë. Që këtej ai e njoftoi, më 2 dhjetor 1878, Iljaz pashë Dibrën për entuziazmin që kishin shkaktuar kudo vendimet e Kuvendit të Dibrës dhe për gatishmërinë e përfaqësuesve të popullit shqiptar për të nënshkruar mandatet e përfaqësimit. Në veri mandatet e miratimit të rezolutës dhe të pjesëtarëve të delegacionit Iljaz pashë Dibra i përfundoi aty nga mesi i janarit 1879.

Por delegacioni shqiptar e pezulloi nisjen për në Stamboll, pasi ndërkohë lindi rreziku i aneksimit të pjesës jugore të Çamërisë nga Greqia. Ky rrezik i detyroi udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare që të merreshin me mbrojtjen e kufijve jugorë dhe ta linin për më vonë paraqitjen e rezolutës së Kuvendit të Dibrës në Portën e Lartë.

 

Mbrojtja e trojeve jugore. Kuvendi i Prevezës (11 janar 1879) dhe misioni diplomatik i Abdyl Frashërit (pranverë 1879)

 

Gjatë kohës që patriotët shqiptarë po merreshin me çështjen e të drejtave autonomiste të Shqipërisë, qeveria e Athinës i bënte presion të vazhdueshëm Portës së Lartë që të zbatonte menjëherë Protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit, domethënë të fillonte bisedimet me palën greke për të caktuar kufirin e ri midis tyre sipas vijës Kalamas-Selemvria që kishin rekomanduar Fuqitë e Mëdha. Nën trysninë e protestave shqiptare, Porta e Lartë e zvarriti për muaj me radhë përgjigjen e saj, me shpresë se me kalimin e kohës do të krijoheshin rrethana më të favorshme për të. Por në fund të vitit 1878 ajo u detyrua të pranonte se ishte gati të fillonte bisedimet me qeverinë greke. Konferenca dypalëshe u vendos të zhvillohej në Prevezë, në fund të janarit 1879.

Sapo u hap lajmi i mbledhjes së afërt të konferencës, Komiteti Ndërkrahinor i Janinës ftoi të gjitha kazatë e Shqipërisë së Jugut dhe të gjithë sanxhakët e Shqipërisë së Veriut, që të dërgonin sa më parë përfaqësuesit e tyre në një kuvend të jashtëzakonshëm në Prevezë, për të përcaktuar qëndrimin që duhej mbajtur ndaj konferencës turko-greke. Në Kuvend u ftuan të merrnin pjesë posaçërisht përfaqësuesit e komiteteve ndërkrahinore të Prizrenit dhe të Shkodrës.

Kuvendi i Prevezës u hap më 11 janar 1879 me pjesëmarrjen e rreth 400 delegatëve, të cilët, pasi e shpallën veten si krerë të mbarë Shqipërisë, morën një sërë vendimesh politike e ushtarake. Kuvendi nuk e kundërshtoi plotësisht Protokollin nr.13. Delegatët deklaruan se e pranonin rekomandimin e Fuqive të Mëdha për bashkimin e Thesalisë me Greqinë (deri te lumi Selemvria), porse ishin kategorikisht të vendosur për ta kundërshtuar deri në fund lëshimin e Epirit Mbretërisë Greke (deri te lumi Kalamas). Në rast se Fuqitë e Mëdha, thuhej në rezolutën e Kuvendit, nuk do t’i marrin parasysh interesat e Shqipërisë, atëherë shqiptarët do t’i kundërshtojnë me armë vendimet e tyre. Për këtë qëllim, thuhej më tej, “do të mobilizohen, me shpenzimet e Lidhjes, të gjithë shqiptarët e aftë për luftë”. Në fundin e janarit 1879 filluan të vinin në Prevezë edhe delegatë nga viset e Shqipërisë së Veriut, nga Shkodra, Durrësi, Elbasani, Ulqini, Prizreni, Dibra, Novi Pazari etj.

Para se të shpërndahej, Kuvendi i Prevezës formoi tri komisione me detyra të posaçme. I pari, komisioni politik, që do të qëndronte në Prevezë për të ndjekur nga afër punimet e konferencës turke-greke; i dyti, komisioni ushtarak, që do të shpërndahej në Shqipëri për të organizuar forcat luftarake të Lidhjes; i treti, komisioni diplomatik, që do të shkonte në Stamboll për t’i bërë trysni Portës së Lartë që të mos pranonte lëshimin e trojeve shqiptare Greqisë. Në krye të komisionit të tretë u vu Abdyl Frashëri, meqenëse ky do të merrte pjesë edhe në delegacionin e Kuvendit të Dibrës. Për këtë arsye ai e shtyu për më vonë nisjen e tij për t’i paraqitur Portës së Lartë rezolutën e 1 nëntorit 1878.

Delegacioni osman arriti në Prevezë javën e fundit të janarit 1879. Atë e kryesonte mareshali Ahmet Muhtar pasha, i cili gëzonte një konsideratë të veçantë në Perandorinë Osmane për qëndresën që kishte bërë gjatë luftës së fundit kundër ushtrive ruse. Sulltani shpresonte se, për hir të kësaj konsiderate, mareshali do t’i zbuste shpirtrat e revoltuar të shqiptarëve. Për të njëjtin qëllim, në delegacionin prej tre komisarësh, siç u quajtën anëtarët e tij në atë kohë, ishte vënë edhe një personalitet i njohur shqiptar, Abedin bej Dino (komisar i Bursës së Stambollit), anëtar i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e Janinës, i cili u emërua nga sulltani që të qetësonte opinionin publik shqiptar. Por as njëri, as tjetri nuk patën sukses. Sapo delegacionet turke e greke arritën në Prevezë, më 28 janar, delegatët e Kuvendit së bashku me popullsinë qytetare shpërthyen një demonstratë në rrugët e Prevezës, duke shprehur përpara selive të komisioneve turke e greke vendosmërinë e tyre për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe për të mos pranuar asnjë lëshim të trojeve të tyre në dobi të Greqisë. Po më 28 janar 1879 përfaqësuesit e krahinave shqiptare, që ndodheshin në Prevezë, u drejtuan Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të tyre në këtë qytet, një protestë kategorike, me të cilën paralajmëronin se do të ndërmerrnin një luftë vendimtare me pasoja të thella për paqen në Gadishullin Ballkanik, në rast se nuk do të merreshin parasysh të drejtat territoriale të Shqipërisë dhe do të cenohej tërësia e saj tokësore.

Për shkak të demonstratave kërcënuese të shqiptarëve, të cilat vijuan për disa ditë me radhë, konferenca turko-greke filloi me vonesë, më 6 shkurt 1879. Veç kësaj, presioni i fortë i shqiptarëve e detyroi delegacionin osman që të mos u nënshtrohej kërkesave greke. Duke u justifikuar me rrezikun e shpërthimit të kryengritjes kundërosmane në Shqipëri dhe duke u kapur pas faktit se vija Kalamas-Selemvria, që kishin shënuar Fuqitë e Mëdha në Protokollin nr.13 nuk kishte formën e një vendimi, por të një rekomandimi, Ahmet Muhtar pasha u tregua më në fund i gatshëm t’i lëshojë Greqisë Thesalinë, por jo Epirin. Meqenëse Athina nuk e pranoi këtë zgjidhje, pas gjashtë javësh konferenca e Prevezës u mbyll.

Menjëherë pas dështimit të bisedimeve dypalëshe qeveria e Athinës kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, të cilat në të vërtetë ishin të prirura për të vënë në jetë Protokollin nr.13. Ndërkohë edhe udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare formuan bindjen se lufta paraprake kundër vendimeve që do të merrnin Fuqitë e Mëdha për një çështje të tillë, siç ishte tërësia territoriale e Shqipërisë, nuk mund të zhvillohej me sukses vetëm me anë të memorandumeve e të protestave. Kërkohej një ballafaqim me përgjegjësi me politikën e jashtme të Fuqive të Mëdha për të argumentuar ballë për ballë tezat themelore dhe për të sqaruar çdo pikë të errët, që mund të ngrinte aparati i tyre diplomatik. Për këtë qëllim Komiteti Ndërkrahinor vendosi që, krahas peticioneve e memorandumeve, të niste një mision diplomatik në kryeqytetet kryesore të Evropës për të mbrojtur çështjet e parashtruara në ato dokumente dhe për të argumentuar para kancelarive të tyre padrejtësinë që kishin kryer me Protokollin nr. 13 ndaj interesave jetikë të Shqipërisë. Barra e këtij misioni diplomatik iu ngarkua Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit.

Misioni diplomatik i përfaqësuesve të Lidhjes Shqiptare zgjati tre muaj. Ata u nisën nga Preveza në fund të muajit mars 1879, shkuan në Romë, në Paris, në Londër, në Berlin, në Vjenë e në Stamboll?. Kudo ku shkuan ata u paraqitën si të dërguar të Lidhjes Shqiptare, e cila përfaqësonte gjithë Shqipërinë. Ata u dorëzuan ministrave të Jashtëm të Fuqive të Mëdha (dhe për njoftim edhe Portës së Lartë) një memorandum me të njëjtën përmbajtje që ishte hartuar nga Abdyl Frashëri qysh më parë.

Në këtë memorandum dënoheshin haptas vendimet që kishin marrë Kongresi i Berlinit në dëm të Shqipërisë, duke shkëputur shumë krahina të saj në favor të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë. Megjithatë diskutimi kryesor këtu sillej rreth Protokollit nr. 13. Qeveria greke, theksohej në këtë memorandum, kishte përdorur prej kohësh të gjitha mjetet për ta shtënë në dorë Epirin. Ajo kishte harxhuar shuma të mëdha për të nxitur popullsinë lokale që të kërkonte bashkimin e saj me Greqinë. Por të gjitha orvatjet e Athinës kishin dështuar, sepse popullsia e Epirit në shumicën e saj dërrmuese ishte shqiptare dhe jo greke. Pasi u bind se në Epir ajo nuk kishte mbështetjen e popullsisë lokale, thuhej më tej, qeveria greke iu drejtua Kongresit të Berlinit, duke shpresuar se me përkrahjen e Fuqive të Mëdha do t’i kënaqte lakmitë e saj shoviniste. Por Kongresi i Berlinit, nënvizohej në memorandum, ndonëse nuk i miratoi me vendim të prerë kërkesat greke, fakti që rekomandoi t’i lëshohen Greqisë krahinat në jug të lumit Kalamas tregonte se nuk u shqetësua për të drejtat e popullit shqiptar. Më tej në memorandum rreshtoheshin argumentet etnike, historike, ekonomike e strategjike që provonin karakterin shqiptar të këtyre krahinave dhe domosdoshmërinë për të mos i shkëputur nga trupi i Shqipërisë. “T’i japësh Greqisë, - theksohej po aty, - vendet që ajo kërkon në këtë krahinë, do të thotë t’i shmangesh detyrës që ka çdo popull për të mbrojtur atdheun dhe kombin e tij, sepse kjo do të ishte njëlloj sikur t’i jepje që tani çelësat e Shqipërisë një vendi të huaj (Greqisë - shën. i aut.), i cili me përpjekjet e tij nuk synon tjetër veçse ta pushtojë dhe ta sundojë atë tërësisht”.

Në lidhje me qëndrimin e shqiptarëve ndaj Protokollit nr.13, gjuha e memorandumit ishte e prerë. Shqiptarët, thuhej aty, si një popull i frymëzuar nga ndjenja atdhetare, nuk do të lejojnë që vendi i tyre të pushtohet dhe të sundohet nga të tjerët. Dhe më tej: “Shqiptarët kanë ruajtur atdheun e tyre, kombësinë e tyre, gjuhën e tyre dhe zakonet e tyre duke prapsur sulmet e romakëve, të bizantinëve e të venedikasve. Si mund të lejohet që në këtë shekull të diturisë e të qytetërimit, një komb kaq trim e kaq i lidhur me truallin e tij të sakrifikohet duke ia dhënë një fqinji kaq të pangopur, pa asnjë arsye të ligjshme?” Memorandumi drejtuar Fuqive të Mëdha shpallte në fund se përballë lakmive të egra të fqinjëve shqiptarët qenë bashkuar me njëri-tjetrin dhe qenë betuar solemnisht se do ta mbronin me armë atdheun e tyre deri te njeriu i fundit dhe se në të njëjtën kohë do të përpiqeshin për të zbatuar në atdheun e tyre reformat për të cilat kishte nevojë vendi, në mënyrë të veçantë zhvillimin e arsimit publik.

Tezat e parashtruara në memorandum Abdyl Frashëri i shtjelloi më hollësisht gjatë takimeve që pati me ministrat e Jashtëm dhe me personalitete politike të vendeve që vizitoi. Argumentet që ai solli, se shqiptarët do t’i mbronin me armë të drejtat e tyre kombëtare, në rast se Fuqitë e Mëdha do të merrnin një vendim të prerë në lidhje me lëshimin e Epirit në favor të Greqisë, lanë kudo një përshtypje të thellë. Mbrojtësi më i flaktë i pretendimeve greke, ministri i Jashtëm frëng V. Vadington (Waddington), u detyrua të pranonte se Franca nuk do të ngulte këmbë për zbatimin me çdo kusht të Protokollit nr.13 dhe se kufiri i ri turko-grek nuk do të caktohej përfundimisht pa u dëgjuar edhe teza e shqiptarëve. Një premtim të tillë Abdyl Frashëri mori edhe nga kryeministri italian Depretis dhe nga ministri i Jashtëm britanik Solsbëri (Salisbery). Para se të ktheheshin në Shqipëri, gjatë qëndrimit në Stamboll, Abdyl Frashëri e Mehmet Ali Vrioni i drejtuan sulltanit, më 23 qershor 1879, një memorandum, në të cilin i kërkonin që të mos pranonte në asnjë mënyrë zbatimin e Protokollit 13, pasi copëtimi i Shqipërisë, thuhej aty, do të sillte asgjësimin e kombit shqiptar dhe kjo, nga ana e vet, do të vinte në rrezik vetë Perandorinë Osmane. Sikurse shkruanin autorët e këtij memorandumi, të pesë Fuqitë e Mëdha, përveç Francës, të cilat ata sapo i kishin vizituar, ishin tashmë të prirura që të mos i jepej Greqisë tokë nga Epiri. Ata i kërkonin sulltanit që të thyente këmbënguljen e Francës, duke kënaqur Greqinë me më tepër toka nga ato që i ishin premtuar në Thesali. Trajtimi i mosmarrëveshjeve turko-greke rreth Protokollit nr.13 nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha zgjati gati dy muaj. Por këto fuqi u treguan të pavendosura për të dhënë një vendim të prerë, ngurruan që ta caktonin vetë kufirin turko-grek. Me propozimin e Francës, në qershor 1879, ato kërkuan bashkërisht nga Perandoria Osmane dhe nga Mbretëria Greke që të rifillonin bisedimet dypalëshe rreth kufirit të tyre të ri. Konferenca e re turko-greke do të zhvillohej në Stamboll dhe do të ndiqej së afërmi nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha të akredituar pranë Portës së Lartë. Fakti që Fuqitë e Mëdha pranuan të vihej në diskutim Protokolli nr. 13, qe fitorja e parë diplomatike që korri Lidhja Shqiptare në arenën ndërkombëtare.

 

Por vendimi që ato morën për rifillimin e bisedimeve turko-greke i nxiti shqiptarët që ta vazhdonin presionin e tyre si ndaj Portës së Lartë, ashtu dhe ndaj Fuqive të Mëdha. Në qershor të vitit 1879, Lidhja Shqiptare deklaroi se nuk kishte hequr dorë nga vendimi i saj i mëparshëm për të luftuar me armë jo vetëm kundër Greqisë, por edhe kundër Stambollit, në rast se do të miratoheshin pretendimet e Athinës në Epirin shqiptar. Për t’ia paraqitur Portës së Lartë këtë vendim, në muajin gusht shkoi në Stamboll një delegacion i përbërë nga Abdyl Frashëri, Mehmet Ali Vrioni dhe Vesel Dino. Një muaj më vonë, në shtator 1879, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, në një mbledhje të jashtëzakonshme që zhvilloi në Prizren, ripohoi vullnetin e mbarë Shqipërisë për të mbrojtur trojet e saj përballë lakmive të Greqisë dhe në të njëjtën kohë formoi një Komitet të Luftës të përbërë nga 37 anëtarë, për të vazhduar përgatitjet e nevojshme ushtarake në krahinat jugore.

Vendosmëria që treguan shqiptarët për të mbrojtur trojet e tyre dhe rreziku i shpërthimit të kryengritjes kundërosmane në Shqipëri, e detyruan Portën e Lartë që t’i zvarriste përsëri nga njëri muaj në tjetrin bisedimet me palën greke, duke mos pranuar tezën e Athinës, e cila ngulte këmbë për të marrë si bazë në këto bisedime Protokollin nr.13. Në të njëjtën kohë, edhe Fuqitë e Mëdha vijuan përherë e më tepër të bindeshin se zbatimi i këtij Protokolli nuk varej vetëm nga nënshkrimi i Perandorisë Osmane dhe se aneksimi i Epirit nga Mbretëria Greke nuk mund të arrihej pa luftë me shqiptarët ose, siç shprehej një diplomat frëng në nëntor 1879, pa një gjakderdhje të madhe, e cila mund të ishte fatale për Greqinë. Kështu, pas gati 10 muaj përpjekjesh, edhe Konferenca e Stambollit u shpërnda pa asnjë rezultat. Në këto rrethana Fuqitë e Mëdha vendosën ta merrnin vetë në dorë caktimin e kufirit turko-grek. Për këtë qëllim ato thirrën në qershor të vitit 1880 një forum ndërkombëtar, Konferencën e Berlinit.

 

Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë (tetor 1879-janar 1880)

 

Me revoltën e armatosur të Gjakovës dhe me aksionin diplomatik të pranverës së vitit 1879, Lidhja Shqiptare ia hoqi Portës së Lartë de facto të drejtën që të fliste në emër të Shqipërisë. Veç kësaj, me qëndresën e saj energjike, ajo bëri që të zvarriteshin e të mos zbatoheshin menjëherë dy vendimet e rëndësishme të Kongresit të Berlinit, që cenonin interesat kombëtarë të Shqipërisë, njëri në favor të Malit të Zi (neni 28 i Traktatit) dhe tjetri në dobi të Greqisë (Protokolli nr. 13 i Kongresit).

Megjithatë Lidhja e Prizrenit nuk e kishte plotësuar ende përfundimisht programin e saj. As gjashtë Fuqitë e Mëdha nuk ishin të prirura t’i anulonin vendimet që kishin marrë në Kongresin e Berlinit, as dy shtetet fqinje ballkanike nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga viset që u kishin premtuar Fuqitë e Mëdha. Si rrjedhim, lufta për mbrojtjen e trojeve shqiptare ende nuk kishte marrë fund, përkundrazi, parashikohej që ajo të merrte trajta të përgjakshme.

Image

Pas vrasjes në Gjakovë të mareshal Mehmet Ali pashës, Porta e Lartë u dha të kuptojnë Fuqive të Mëdha se e kishte tepër të vështirë të përmbushte kundrejt Malit të Zi detyrimet territoriale që rridhnin nga Traktati i Berlinit. Por knjaz Nikolla nuk donte të dinte për asnjë justifikim. Nga frika se me kalimin e kohës mund të ndryshonin rrethanat ndërkombëtare në dëm të saj, Cetina kërkonte vazhdimisht ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Osmane të dorëzonte sa më parë krahinat e Podgoricës, të Shpuzës, të Zhabjakut, të Plavës, të Gucisë e të Rugovës, të cilat Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Malit të Zi. Veç kësaj, si kundërpeshë ajo po e vononte dorëzimin e Ulqinit, të Dinoshit dhe të Bregut të Bunës, të cilat i mbante të pushtuara qysh nga koha e luftës, por që sipas Traktatit të Berlinit duhej t’i ktheheshin Perandorisë Osmane.

Presionin më të fortë ndaj Perandorisë Osmane e ushtroi Rusia cariste, e cila vijoi ta kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të saj pushtuese nga Traka me dorëzimin e krahinave që i qenë premtuar Malit të Zi. Fuqitë e tjera të Mëdha u bashkuan me presionin carist, pasi e shikonin me shqetësim qëndrimin e mëtejshëm të ushtrive ruse në afërsi të Stambollit. Kështu, në fund të vitit 1878, Porta e Lartë vendosi t’i zbatonte detyrimet territoriale kundrejt Malit të Zi.

Vendimi i Stambollit ngriti përsëri në këmbë shqiptarët. Për të shqyrtuar gjendjen e re u mblodh menjëherë, në fillim të janarit 1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes, i cili ripohoi qëndrimin e vet të caktuar më parë. Sipas kësaj vije, Lidhja e Prizrenit nuk do ta pengonte dorëzimin e Podgoricës, të Shpuzës e të Zhabjakut, pasi ato banoheshin nga popullsi të përziera sllavo-shqiptare, por do ta kundërshtonte me armë lëshimin e Plavës dhe të Gucisë, popullsia e të cilave ishte në masën dërrmuese shqiptare. Vendimin e Komitetit Kombëtar e miratuan të dy komitetet ndërkrahinore të vilajeteve të Shkodrës dhe të Kosovës, të cilat po në janar 1879 mblodhën kuvendet e tyre të jashtëzakonshme, pothuajse në atë kohë që zhvilloi punimet e veta edhe Kuvendi Ndërkrahinor i Prevezës. Meqenëse Plava e Gucia bënin pjesë në vilajetin e Kosovës, barrën e drejtimit dhe të organizimit të luftës për mbrojtjen e tyre e mori përsipër Komiteti Ndërkrahinor i Prizrenit, i cili nga ana e vet formoi një shtab ushtarak të posaçëm, me Ali pashë Gucinë në krye.

Ndërkaq u mblodh në fshatin Virpazar, në afërsi të liqenit të Shkodrës, komisioni turko-malazez, i cili më 2 shkurt 1879 nënshkroi marrëveshjen dypalëshe për formalitetet e dorëzimit brenda një jave të krahinave të vilajetit të Shkodrës, që i takonin njëra-tjetrës sipas Traktatit të Berlinit. Nga frika e kryengritjes së shqiptarëve, Porta e Lartë nuk pranoi ta përfshinte në marrëveshje dorëzimin e Plavës e të Gucisë, duke e lënë çështjen e tyre për t’u zgjidhur më vonë. Sipas marrëveshjes, dorëzimi i Podgoricës, i Shpuzës dhe i Zhabjakut nga ana e autoriteteve turke u krye pa vështirësi. Po ashtu u bë edhe dorëzimi i Ulqinit, i Dinoshit dhe i Bregut të Bunës nga ana e autoriteteve malazeze.

Por Mali i Zi nuk deshi ta linte punën të zgjatej më tej. Knjaz Nikolla iu drejtua menjëherë Fuqive të Mëdha, duke kërkuar prej tyre që ta detyronin Perandorinë Osmane t’ia dorëzonte dy krahinat shqiptare (Plavën dhe Gucinë) Malit të Zi. Nga ana e vet Porta e Lartë u kërkoi Fuqive të Mëdha të dërgonin në Plavë e në Guci një Komision Ndërkombëtar për t’u bindur për vështirësitë që gjente te shqiptarët e egërsuar nga padrejtësitë e Kongresit të Berlinit. Në vend të tij ato dërguan Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e vijës së kufirit, të përbërë nga përfaqësues të gjashtë Fuqive të Mëdha dhe të dy shteteve të interesuara. Komisioni filloi nga puna në maj 1879 dhe për disa muaj me radhë u mor me caktimin e pikave të kufirit turko-malazez në vilajetin e Shkodrës. Por gjatë verës, kur Komisioni Ndërkombëtar donte të shkonte në Plavë e në Guci, përfaqësuesit e Komitetit Ndërkrahinor të Prizrenit u paraqitën Fuqive të Mëdha, më 22 gusht 1879, një notë me shkrim, me të cilën deklaronin se nuk do të njihnin asnjë ndryshim të kufirit me Malin e Zi pa pjesëmarrjen në Komisionin Ndërkombëtar të krerëve të Lidhjes Shqiptare dhe pa u miratuar vendimet e tij nga e “gjithë” Shqipëria. Pas kësaj note të rreptë, Komisioni Ndërkombëtar e ndërpreu punën e vet, pezulloi udhëtimin e tij për në Plavë e në Guci.

Me këtë rast filluan përsëri protestat e Malit të Zi dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta zgjidhte sa më parë çështjen e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë provoi t’i bindte banorët e dy krahinave kufitare që të hiqnin dorë nga qëndresa e mëtejshme, duke u premtuar familjeve, që nuk dëshironin të jetonin nën sundimin malazez, se do t’u jepte tokë në vendbanime të reja dhe se do t’i çlironte nga taksat për dhjetë vjet. Por shqiptarët nuk u lëkundën nga vendimi i tyre. Atëherë knjaz Nikolla filloi të kërcënonte se do ta zgjidhte këtë çështje me anën e luftës së armatosur dhe se në një rast të tillë nuk do të aneksonte vetëm Plavën e Gucinë, por edhe vise të tjera shqiptare.

Në këto rrethana, marrëdhëniet shqiptaro-malazeze erdhën duke u keqësuar vazhdimisht. Gjatë muajit tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e ushtrive në kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta. Këtyre masave Lidhja e Prizrenit iu përgjigj duke vënë në gatishmëri luftarake forcat e saj të armatosura.

Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni Ushtarak a Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali pashë Gucisë, i krijuar nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, shpalli për zonën e Plavës e të Gucisë gjendjen e luftës. Të gjithë burrat plavianë e gucianë të aftë për armë u shpallën luftëtarë që do të qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre. Po në tetor 2 mijë gjakovarë të armatosur u nisën për në Guci. Në fund të tetorit mbërritën këtu edhe vullnetarë nga Shkodra e Malësia.

Porta e Lartë, për të mënjanuar konfliktin e armatosur, i propozoi Cetinës që në vend të krahinave shqiptare të Plavës e të Gucisë t’i jepte disa vise sllave të Hercegovinës. Por propozimin e Stambollit, të cilin e kundërshtoi Austro-Hungaria, nuk e pranoi as Mali i Zi.

Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën gjatë tetorit, knjaz Nikolla vendosi më në fund të kalonte në sulme të hapura. Më 31 tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe, njëherazi, të matnin pulsin e shqiptarëve, kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse të forcave të Lidhjes, të parin në fshatin Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në këtë të fundit vranë në befasi 30 fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por pas disa orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në të vërtetë këto qenë sulme demonstrative, të cilat shqiptarët i përballuan pa ndonjë vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez nxiti një valë të madhe mobilizimi në të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra vullnetarë të tjerë vrapuan në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e të Shkodrës. Gatishmëria e shqiptarëve qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së Prizrenit, i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen e tyre drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe nuk kishte mundësi për t’i sistemuar.

Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze qenë rreshtuar gjatë vijës kufitare, në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej druri. Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në atë shqiptare dominonte pllaja e Plavës.

Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë të karrierës, u përgjigj duke hedhur në sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit, ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin, sa që të dy palët lanë mënjanë hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë. Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq, duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet e të dy palëve janë kontradiktore, mund të nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes, ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri.

Vendosmëria e shqiptarëve për të qëndruar deri në fund dhe këmbëngulja e Cetinës për të vazhduar më tej luftën alarmuan si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe Perandorinë Osmane. Nga frika e ndërlikimeve të reja, Porta e Lartë vendosi ta zgjidhte me çdo kusht dorëzimin e dy krahinave kufitare. Për këtë qëllim ajo nisi menjëherë për në Kosovë mareshal Ahmet Muhtar pashën, i cili atë kohë ishte komandanti i Armatës osmane të Rumelisë me qendër në Manastir. Mareshali, i shoqëruar nga 11 batalione (rreth 6 000 ushtarë), sapo arriti në Prizren thirri në takim anëtarët e Komitetit Kombëtar të Lidhjes për t’i bindur që t’i nënshtroheshin vendimit të sulltanit. Por ata nuk pranuan. Më 14 dhjetor 1879 lëshoi një shpallje, me të cilën u kërkonte shqiptarëve që të merrnin në konsideratë gjendjen kritike të Portës së Lartë dhe të mos pengonin dorëzimin e dy krahinave kufitare, pasi me qëndresën e tyre po shkaktonin shkatërrimin e Perandorisë Osmane, por as lutjet, as kërcënimet nuk dhanë rezultat. Më 15 dhjetor 1879 u mblodh në Guci Kuvendi i përfaqësuesve të Komitetit Ndërkrahinor të Kosovës, i cili vendosi që ta kundërshtonte me armë deri në fund dorëzimin e kalasë së Gucisë. “Ne, banorët e Plavës e të Gucisë, - thuhej në memorandumin e miratuar nga Kuvendi, - nuk i njohim traktatet e shteteve evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara nga prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë me armë dorëzimin e tokave tona”.

Sipas porosisë që kishte dhënë Porta e Lartë, Ahmet Muhtar pasha mori masa ushtarake për të penguar vajtjen e vullnetarëve shqiptarë në Plavë e në Guci. Për këtë qëllim ai solli nga Mitrovica edhe 7 batalione të tjera, të cilat i vendosi nëpër shtigjet e rrugëve. Pas kësaj u nis për në Gjakovë, ku gjeti një gjendje më të acaruar se në Prizren. Gjakovarët e paralajmëruan se, po ta vazhdonte më tej rrugën drejt kufirit, do të pësonte fatin e Mehmet Ali pashë Maxharit. Kur pa se edhe Peja e kishte bllokuar rrugën për në Plavë e në Guci, mareshali osman e ndërpreu misionin e vet, hoqi dorë nga vajtja në Guci dhe u kthye në Prizren.

Dështimi i misionit të Ahmet Muhtar pashës e bindi përfundimisht knjaz Nikollën të mos shpresonte më as te ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha. Si rrjedhim, ai vendosi të ndërmerrte kundër forcave të Lidhjes Shqiptare një mësymje të përgjithshme, e cila u zhvillua javën e parë të muajit janar 1880. Në këtë mësymje u hodh pothuajse e gjithë ushtria malazeze, 25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan përballë Plavës e Gucisë.

Sapo u njoftua për përgatitjet ushtarake të Cetinës, Shtabi Ushtarak Shqiptar i përforcoi masat mbrojtëse. Me thirrjen e Lidhjes Shqiptare u mobilizuan mijëra vullnetarë nga e gjitha Shqipëria, nga Plava, Gucia, Peja, Prizreni, Gjakova, Shkodra, Dibra dhe nga krahinat më të largëta të Shqipërisë së Jugut. Por shtabi ushtarak i kryesuar nga Ali pashë Gucia, që mori vetë në dorë drejtimin e operacioneve luftarake, përqendroi në zonën kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë vendas dhe 3 mijë vullnetarë të tjerë, gjithsej 7 mijë veta.

Komanda malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë të frontit forcat vullnetare të komanduara nga Mark Milani, të cilët do të fillonin sulmin sipas taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur kurdoherë sukses përballë ushtrive osmane. Forcat malazeze ishin përqendruar në një sektor të ngushtë (Velikë-Pepaj), me qëllim që t’i shpartallonin shqiptarët që me sulmin e parë, në drejtim të Plavës. Por Shtabi Ushtarak Shqiptar ua mori malazezëve në mënyrë të papritur iniciativën. Më 6 dhe 7 janar 1880 njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim që të tërhiqnin vëmendjen e komandës ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në verilindje të Malit të Zi, nga ana e sanxhakut të Novi Pazarit. Komanda ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët do të vazhdonin të sulmonin nga verilindja, për t’u dalë forcave të tyre prapa shpine e tërhoqi ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke përfituar nga kjo rrethanë, forcat shqiptare, të rreshtuara në sektorin e Plavës, shpërthyen më 8 janar një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut që ndodhej në Velikë, në Pepaj e në Arzhanicë.

Sulmin e nisën luftëtarët e Nokshiqit të komanduara nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Mësymja ishte e furishme dhe pas luftimesh të ashpra e trup më trup forcat malazeze, të përbëra nga 4 mijë luftëtarë, u detyruan të tërhiqeshin. Ushtritë e Lidhjes, pasi thyen edhe njësitë malazeze të komanduara nga Mark Milani, hynë në tokën malazeze, shtinë në dorë Arzhanicën, Velikën e Pepajn dhe u drejtuan për në Murinë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Velikë e në Pepaj, prandaj përpjekja e 8 janarit mori emrin e tyre. Ushtria malazeze u tërhoq në Sutjeskë. Por Shtabi Shqiptar nuk kishte ndërmend të vazhdonte përparimin në thellësi të tokës së Malit të Zi. Më 9 janar ai urdhëroi forcat shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim nga ushtritë malazeze, të tërhiqeshin në kufirin e vjetër.

Gjatë betejës së Pepajt e të Velikës, të dyja palët patën dëme në njerëz, por, sipas të dhënave të ndryshme, ato të Malit të Zi qenë më të shumta. Shqiptarët lanë në këto luftime edhe dy kapedanët trima, Kurt Asllanin e Nure Kurtin.

Vrulli patriotik që përshkoi luftën në Velikë e në Pepaj dhe fitorja që shqiptarët korrën kundër ushtrive malazeze më 8 janar 1880, la përshtypje të thellë në opinionin ndërkombëtar. Disa ditë më vonë, kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Shmuker, i cili e ndoqi së afërmi zhvillimin e betejës, i raportonte qeverisë së vet: “Vetë malazezët pohojnë se në luftën e Velikës e të Pepajt shqiptarët luftuan burrërisht dhe fituan mbi ta. Dhe me të vërtetë, fuqia e Lidhjes (së Prizrenit - shën. i aut.) e theu atë ushtri malazeze që ka qenë kurdoherë e zonja t’u bëjë ballë forcave turke. Shqiptarët luftuan të shtyrë nga ideja kombëtare”. Pas kësaj, opinioni publik evropian filloi të interesohej për historinë e popullit shqiptar dhe për të drejtat e tij kombëtare. Veç kësaj, disa publicistë kritikuan Kongresin e Berlinit që nuk i kishte përfillur të drejtat e një kombi aq trim dhe aq liridashës, siç ishte populli shqiptar.

Me fitoren që korrën në Nokshiq, në Pepaj e në Velikë shqiptarët i dhanë të kuptonte diplomacisë evropiane se Perandoria Osmane, sado që po e mbante Shqipërinë prej pesë shekujsh nën zgjedhë, nuk ishte zonjë e trojeve të saj dhe se zotër të këtyre trojeve ishin banorët shqiptarë.

Disfata që pësoi në front e bindi qeverinë malazeze se ajo vetë nuk ishte në gjendje ta thyente qëndresën e Lidhjes Shqiptare me anën e luftës së armatosur. Për këtë arsye knjaz Nikolla shpalli menjëherë se i kishte pezulluar veprimet luftarake në kufi dhe se zbatimin e Traktatit të Berlinit në këtë pikë po ua linte përsëri në dorë Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi nga konsulli britanik në Shkodër që të ndërhynte pranë autoriteteve qeveritare të vilajetit, me qëllim që edhe shqiptarët t’i pezullonin veprimet e mëtejshme luftarake.

 

Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës (pranverë 1880)

 

Fitoret e shqiptarëve kundër ushtrive malazeze dhe jehona e tyre në arenën ndërkombëtare patën pasoja të thella në Shqipëri. Ato e përforcuan më tej bindjen e shqiptarëve se tashmë ishin në gjendje t’i mbronin trojet e tyre jo vetëm pa ndihmën e ushtrive osmane, por edhe kundër vullnetit të Portës së Lartë. Besimi që fituan te forca e tyre e armatosur, e ngriti në një shkallë më të lartë vendosmërinë për të kundërshtuar me armë çdo ndërhyrje të re të Fuqive të Mëdha ose çdo orvatje të re të qeverisë së Stambollit në dëm të trojeve të tyre amtare.

Image

Pas disfatës që pësoi në Velikë e në Pepaj, knjaz Nikolla iu drejtua përsëri Fuqive të Mëdha dhe këto, nga ana e tyre, i bënë përsëri presion Perandorisë Osmane për ta çuar deri në fund dorëzimin e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë u përgjigj se ishte e gatshme ta kënaqte Malin e Zi, por jo në Plavë e në Guci. Duke parë vendosmërinë luftarake të shqiptarëve dhe paaftësinë ushtarake të Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha pranuan në parim ta rishikonin vendimin që kishin marrë në Kongresin e Berlinit. Me këtë rast u bënë disa propozime për ta kënaqur Cetinën me vise sllave në veri ose në jug të Malit të Zi, por nuk u pranuan. Më në fund ndërhyri Italia, e cila, nëpërmjet ambasadorit të saj në Stamboll, kontit Korti (Corti), sugjeroi që t’i jepeshin Malit të Zi viset e Hotit e të Grudës së bashku me një pjesë të Kelmendit, të cilat banoheshin gjithashtu nga popullsi shqiptare. Fuqitë e Mëdha menduan se popullsia e këtyre viseve, duke qenë katolike dhe jo myslimane, nuk do ta kundërshtonte bashkimin e saj me Malin e Zi të krishterë. Porta e Lartë nuk solli ndonjë pengesë. Vetëm knjaz Nikolla, i bindur se do të kishte përsëri telashe me shqiptarët, protestoi rreptësisht. Por më në fund, duke parë këmbënguljen e të gjitha Fuqive të Mëdha, u detyrua të përulej. Kështu, më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin italian, që njihet me emrin “vija Korti”, për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880.

Fakti që Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi u detyruan, pas 20 muaj përpjekjesh pa rezultat, të hiqnin dorë nga vendimi i Kongresit të Berlinit në lidhje me Plavën e Gucinë, shënonte një fitore të re diplomatike që arritën shqiptarët në arenën ndërkombëtare. Protokolli i Stambollit, i nënshkruar nga ambasadorët e tyre më 18 prill 1880 për Hotin e Grudën, ishte po aq i padrejtë sa edhe neni i Traktatit të Berlinit për Plavën e Gucinë. Viset e Hotit e të Grudës, së bashku me ato të Kelmendit e të Kastratit, ishin pjesë e pandarë e Malësisë së Madhe, kurse nga ana administrative vareshin nga vilajeti i Shkodrës. Banorët e tyre, krejtësisht shqiptarë dhe me tradita të lashta luftarake liridashëse, ishin bashkuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit qysh me themelimin e saj. Për këtë arsye, më 1 mars 1880, sapo arritën lajmet e para rreth propozimit italian, pra një muaj para se të nënshkruhej Protokolli i Stambollit, krerët e tyre, të mbështetur nga banorët e krejt Malësisë së Madhe, zbritën në Shkodër dhe shpallën se ishin të vendosur të kundërshtonin çdo vendim që do të merrej në dëm të viseve të tyre. Në mbledhjen e përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha do ta miratonin projektin “Korti”.

Kushtrimi që lëshuan banorët e Malësisë së Madhe vuri në lëvizje popullsinë e të gjitha krahinave të vendit. Gjatë atyre ditëve shqiptarët, myslimanë e të krishterë, u lidhën më shumë se kurrë me njëri-tjetrin. Kudo u shpreh vendosmëria për të mbrojtur Hotin e Grudën deri në pikën e fundit të gjakut. Shqipëria u përgatit kështu përsëri për luftë.

Meqenëse Hoti, Gruda, Kelmendi e Kastrati bënin pjesë në vilajetin e Shkodrës, barra e organizimit të luftës mbrojtëse i takonte Komitetit Ndërkrahinor të këtij vilajeti. Qysh nga 25 marsi 1880, Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare në Shkodër ishte në mbledhje të vazhdueshme dhe filloi të merrte masat e nevojshme ushtarake për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Më 3 prill 1880 u zhvillua në Shkodër një kuvend krahinor, ku morën pjesë përfaqësues të popullsisë së qytetit e të Malësisë. Kuvendi vendosi të kundërshtohej me çdo kusht lëshimi i Hotit e i Grudës. Ai u dërgoi një peticion Fuqive të Mëdha, në të cilin thuhej, ndër të tjera: “Kemi vendosur që të derdhim pikën e fundit të gjakut para se të hynim nën zgjedhën e një qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në mbrojtjen e atdheut tonë”. Më 11 prill 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, ashtu siç kishin vepruar edhe dy komitetet e tjera ndërkrahinore, formoi menjëherë Shtabin Ushtarak të vilajetit me detyrë që të merrte masat e duhura për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të Shtabit Ushtarak u vu Hodo Sokoli, një kolonel i karrierës. Midis anëtarëve të tij bënin pjesë jo vetëm përfaqësues nga qyteti, si Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrezi etj., por edhe mjaft krerë malësorë të regjur në luftëra, si Dedë Gjoni dhe Ismail Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nikë Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës i bëri thirrje të veçantë Preng pashë Bibë Dodës, i cili deri atëherë nuk kishte marrë pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare, duke e emëruar, në rast se do të ishte i gatshëm, nënkryetar të Shtabit Ushtarak.

Formimi i Shtabit Ushtarak u pasua nga gatishmëria që treguan krahinat e ndryshme të vendit për të dërguar vullnetarë sipas zakonit nga një burrë për shtëpi, kurse viset e Malësisë së Madhe u zotuan të mobilizonin të gjithë burrat e aftë për armë. Shtabet ushtarake, të formuara në vilajetet e Kosovës dhe të Janinës, njoftuan se ishin gati të dërgonin forcat e tyre vullnetare sapo të ndihej nevoja. Por Shtabi Ushtarak i Shkodrës, duke parë gatishmërinë e masave popullore, i konsideroi të mjaftueshme forcat luftarake të mobilizuara vullnetarisht në vilajetin e vet. Në të njëjtën kohë, Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës lëshoi një shpallje, me anën e së cilës, pasi vinte në dukje vendosmërinë e mbarë vendit për të mbrojtur trojet e atdheut, u kërkonte vullnetarëve të qëndronin në gatishmëri, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve.

Zemërimi e vendosmëria e shqiptarëve arriti kulmin pasi u nënshkrua nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha Protokolli i Stambollit, më 18 prill 1880, me emrin “Protokolli mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Me këtë rast u përsëritën protestat telegrafike drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Në të njëjtën kohë filluan përgatitjet ushtarake. Më 19 prill u zhvillua në Shkodër një miting i madh popullor, një nga manifestimet më masive që kishte parë qyteti deri atëherë. Në miting, midis entuziazmit popullor, Hodo Sokoli, në një fjalim të zjarrtë që mbajti para mijëra qytetarëve dhe malësorëve, deklaroi ndër të tjera, se përballë veprimeve që po kryente Porta e Lartë në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe për të shpëtuar atdheun nga fatkeqësi të tjera që do të sillte sundimi i mëtejshëm i saj, shqiptarët duhej t’i këpusnin lidhjet me Perandorinë Osmane dhe ta merrnin vetë në dorë fatin e atdheut të tyre. Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta që ndodheshin në miting, hoqën publikisht spaletat e uniformës ushtarake e dekoratat e sulltanit dhe deklaruan se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë ditë u nisën për në vijën e kufirit vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta, të cilët u bashkuan me mijëra vullnetarë malësorë që kishin vrapuar nga malësitë e Veriut.

Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen, disa dhjetëra anije me vullnetarë shkodranë, rreth 3 mijë veta, të cilët, së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880, sipas Protokollit të Stambollit, trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e tjera që i takonin Malit të Zi. Por, ashtu siç ndodhi në Plavë e Guci, edhe në Hot e Grudë forcat shqiptare i zunë këto pika para se të afroheshin ushtritë malazeze. Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë, në gatishmëri për të kundërshtuar përparimin e ushtrive malazeze.

Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10 mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës, pika më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty u ndeshën me pararojat e ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë e malësorë, të cilët u bënë thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha. Ushtritë malazeze nuk u bindën, por kërkuan të marshonin për të marrë në dorëzim kalanë e Tuzit. Atëherë pararojat shqiptare hapën zjarr kundër pararojave malazeze. Kështu, tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja e armatosur ndërmjet tyre.

Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të furishëm kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në Helm, në breg të lumit Cem. Të dyja palët luftuan me vendosmëri për disa orë rresht. Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u tërhoqën për në Podgoricë, duke lënë disa të vrarë e të plagosur.

Fitorja e Rzhanicës dhe e Helmit ngjalli entuziazëm në mbarë Shqipërinë. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, duke parashikuar një sulm të ri nga ana malazeze, vendosi t’i mbante forcat luftarake në kufi dhe të siguronte armë martina për vullnetarët shqiptarë të pajisur pjesërisht me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë qëllim u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura të Shkodrës u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në të holla e në drithë. Në këto rrethana Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin e vet të lëkundur po cilësohej nga opinioni publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën e Komitetit Ndërkrahinor për të mobilizuar mirditorët dhe për t’i sjellë në Tuz.

Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor 1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane. Me qeverisjen e tyre merrej Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Shkodrën, që kishte ngarkuar në Tuz një Komision të kryesuar nga Hodo Sokoli, i cili ushtronte pushtetin ekzekutiv si një institucion shtetëror i Lidhjes Shqiptare.

Menjëherë pas disfatës që pësoi më 22 prill 1880, knjaz Nikolla protestoi pranë Fuqive të Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë osmane një notë kolektive, me të cilën e shtrëngonin që t’i dëbonte forcat shqiptare nga kufiri për t’u hapur rrugën forcave malazeze. Por Porta e Lartë nuk e kishte më situatën në dorë. Përveçse nuk donte të hapte konflikt me shqiptarët, ajo nuk kishte as forca të mjaftueshme në Shkodër për të zbatuar kërkesën e Fuqive të Mëdha.

Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave mirditore, në vijën kufitare numri i vullnetarëve u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç 7 mijë të tjerëve që qëndronin në gatishmëri në shtëpitë e tyre për t’u nisur në luftë sapo të lëshohej kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi Ushtarak, përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze me afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina dhe të pajisura me topa e artileri. Morali i vullnetarëve shqiptarë ishte aq i lartë, sa nga radhët e tyre doli propozimi që të ndërmerrej një mësymje kundër ushtrive malazeze për ta detyruar knjaz Nikollën që të hiqte dorë një herë e përgjithmonë nga lakmia e tij për trojet shqiptare. Këtë ide e përqafoi jo vetëm Hodo Sokoli, kryetari i Shtabit Ushtarak të Shkodrës, por edhe Ali pashë Gucia, kryetari i Shtabit Ushtarak të Kosovës, i cili për më tepër u zotua ta fillonte mësymjen me forcat e veta nga Plava e Gucia, në thellësi të territoreve malazeze. Nuk pritej veçse miratimi nga Komiteti Kombëtar i Lidhjes Shqiptare. Por udhëheqësit e tij, për t’iu shmangur ndërlikimeve ndërkombëtare që do të shkaktonte mësymja shqiptare, nuk e pranuan propozimin e dy shtabeve ushtarake. Sipas tyre, presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare në Hot e Grudë, ishte i mjaftueshëm për t’i detyruar Fuqitë e Mëdha të rishikonin Protokollin e Stambollit.

Në fakt lufta për mbrojtjen e Hotit e të Grudës pati jehonë të thellë jashtë Shqipërisë. Interesimi i publikut evropian për konfliktin shqiptaro-malazez u rrit më shumë. Pothuajse të gjitha gazetat kryesore të Evropës Perëndimore dërguan ato javë korrespondentët e tyre të posaçëm në Shkodër, shumica e të cilëve u detyruan të vinin në dukje atdhetarinë e lartë që frymëzonte qëndresën shqiptare. Fuqitë e Mëdha u bindën përfundimisht se as Protokolli i Stambollit nuk mund të zbatohej me anën e presionit diplomatik. Anglia me Rusinë propozuan një ndërhyrje ushtarake të përbashkët të Fuqive të Mëdha kundër shqiptarëve të përqendruar në kufi, por Austro-Hungaria me Gjermaninë kundërshtuan. Më në fund fitoi qëndresa shqiptare. Pasi pranuan në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë e Mëdha miratuan më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij. Heqja dorë e Fuqive të Mëdha nga vendimi që kishin marrë më 18 prill 1880 ishte fitorja e tretë diplomatike që korrën shqiptarët, brenda 6 muajve, në arenën ndërkombëtare. Por vendimi i Fuqive të Mëdha për t’i lëshuar Malit të Zi Ulqinin me rrethinat e tij shtroi përsëri detyrën e ngutshme të mbrojtjes së tërësisë së atdheut, të cilit po i shkëputej tani një pjesë më e rëndësishme dhe jetike.