Enjoying our demo? Submit your e-mail and we will get back to you with personalised offer.

Histori

Nga kundërshtarë të gjenocidit, në "mizorë" e "tradhtarë"

Ardian Muhaj 19/04/2018
Abstrakti

Në tetor 1912 kur shtetet ballkanike bënin përgatitjet e fundit për sulmin e projektuar me kohë kundër trojeve shqiptare nën sundimin osman, natyrisht ata kishin zhvilluar paralelisht edhe një propagandë të strukturuar mirë përkundrejt shqiptarëve. Në planin ndërkombtar kishte dekada që serbët përmes studiuesve të tyre dhe të tjerëve parashtronin para opinionit shkencor europian studime solide shkencore ku ndiqnin praktikën dhe metodat shkencore të kohës me ca përjashtime të vogla për t’u dalluar por thelbësore për motivet e tyre. Veçanërisht kur bëhej fjalë për shqiptarët, objektiviteti shkencor braktisej dhe në të njëjtin tekst nga i njëjti autor kishte kontradikta të theksuara mes objektivitetit dhe thellësisë shkencore kur bëhej fjalë për çështje të përgjithshme dhe falsifikimeve kur behej fjalë për shqiptarët. Rasti më flagrant është ai i gjeografit dhe etnografit Jovan Cvijiç. 

 

Citoje këtë dokument / Cite ce document /Cite this document :

Ardian Muhaj, Nga kundërshtarë të gjenocidit, në "mizorë" e "tradhtarë", Albapoli, 2018

Texti i plotë

Nga kundërshtarë të gjenocidit, në "mizorë" e "tradhtarë"

Në tetor 1912 kur shtetet ballkanike bënin përgatitjet e fundit për sulmin e projektuar me kohë kundër trojeve shqiptare nën sundimin osman, natyrisht ata kishin zhvilluar paralelisht edhe një propagandë të strukturuar mirë përkundrejt shqiptarëve. Në planin ndërkombtar kishte dekada që serbët përmes studiuesve të tyre dhe të tjerëve parashtronin para opinionit shkencor europian studime solide shkencore ku ndiqnin praktikën dhe metodat shkencore të kohës me ca përjashtime të vogla për t’u dalluar por thelbësore për motivet e tyre. Veçanërisht kur bëhej fjalë për shqiptarët, objektiviteti shkencor braktisej dhe në të njëjtin tekst nga i njëjti autor kishte kontradikta të theksuara mes objektivitetit dhe thellësisë shkencore kur bëhej fjalë për çështje të përgjithshme dhe falsifikimeve kur behej fjalë për shqiptarët. Rasti më flagrant është ai i gjeografit dhe etnografit Jovan Cvijiç. 

Në rrafshin tjetër të propagandës së strukturuar serbe qëndronte indoktrinimi dhe gënjimi i elementëve të spikatur nga vetë shqiptarët në mënyrë që përmes tyre të përçohej tek shqiptarët sa më lehtë politika serbe. Që në fillim të luftës së parë Ballkanike mbreti i Serbisë Petar bëri një proklamatë e cila u përçua me zell të madh në mesin e shqiptarëve nga elementët e zgjedhur me kohë. Vetë mbreti garantonte luftën e vendosur për dëbimin e pushtuesve osmanë dhe çlirimin e sllavëve dhe shqiptarëve nga zgjedha e tyre. Në këtë proklamatë mbreti Petar garantonte zyrtarisht barazinë e shqiptarëve me serbët në Mbretërinë e Serbisë. Kjo u përcoll nga elementët shqiptarë besnikë të serbëve me shpejtësi të rrufeshme në mesin e popullsisë shqiptare natyrisht me mjetet dhe ndihmën e pakursyer të aparatit ushtarak serb. Efekti po ashtu qe i rrufeshëm dhe e paralizoi organizimin e qëndresës nga popullsia dhe krerët e pakrompromentuar. Përballë një propagande të tillë të mirëorganzuar deri në detaje për çlirim, e barazi kush mund të kishte sukses të bashkonte masivisht njerëzit për qëndresë? Në terren kjo fitore e propagandës serbe u përkthye shumë shpejt në një avancim pothujse të pandalshëm në territoret shqiptare. 
 

Në fillim të vjeshtës aleanca mes Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë mori trajtë të plotë e përfundimtare dhe më 8 tetor më i vogli i aleatëve u zgjodh nga aleanca që të shpallë zyrtarisht luftë kundër Perandorisë Osmane në Ballkan. Për 10 ditë Mali i Zi u paraqit si viktimë në sytë e opinionit europian mbasi ishte e qartë në dukje se vetëm një padrejtësi e madhe mund ta shtynte një shtet të vockël të luftonte fare i vetëm kundër një perandorie. Nuk vonoi dhe aleatët e mëdhenj i shpallën edhe ata zyrtarisht luftë shtetit osman, pavarësisht se faktikisht lufta ishte shpallur që më 8 tetor. Më 17 tetor shpallën luftën Serbia dhe Bullgaria dhe një ditë më pas edhe Greqia. Makina ushtarake serbe dhe malazeze e kombinuar më së miri me makinën propagandistike të shqiptarëve besnikë në shërbim të tyre korri sukses të jashtëzakonshëm. Pa u mbushur muaji krejt trojet shqiptare nga Novi Pazari e Mitrovica deri në afërsi të Durrësit ranë nën pushtimin serbo-malazez. Më 18 tetor serbët morën Merdaren dhe dy ditë më pas më 20 tetor edhe Podujevën. Po ashtu dy ditë më pas Prishtina ra pa luftë në duart e serbëve mbasi një grusht vullnetarësh të prirë nga Hasan Prishtina të cilët nuk kishin besuar propagandën e shqiptarëve besnikë të Serbisë, u detyruan të tërhiqen pas luftimesh të pabarabarta. Vushtria ra po ashtu në duart e serbëve një ditë më pas. Pas saj ra edhe Mitrovica. Edhe më në lindje forcat vullnetare shqiptare ishin tërësisht joefektive dhe të paorganizuara. Më 24 tetor ra Gjilani, Ferizaj dhe Kumanova. Më 26 tetor Kacaniku dhe Shkupi. Më 30 tetor ra Prizreni dhe Tetova. Një ditë më pas u mor Gostivari dhe më 5 nëntor Kërçova pas dy ditë luftimesh. Nga ana tjetër Mali i Zi më 16 tetor iu afrua Gjakovës mbas përleshjeve me forcat vullnetare shqiptare të paorganizuara dhe të pakta nën drejtimin e Riza Kryeziut, Bajram Currit dhe Zeqir Binakut. Më 30 tetor ra pa luftë edhe Peja që ndodhej e pambrojtur pas thyerjes së rugovasve në Çakorr. Më 5 nëntor Gjakova u mor me sulm të përbashkët të dy ushtrive serbe e malazeze. Ky avancim i pandalshëm dhe i rrufeshëm u vazhdua me të njëjtin ritëm pas një riorganizimi të shkurtër në gjysmën e dytë të nëntorit në anën perëndimore të malësive shqiptare. Më 19 nëntor u pushtua Manastiri në lindje, më 22 nëntor Ohri dhe më 24 nëntor Struga. Kurse në perëndim Lezha u mor më 17 nëntor. Nga Lezha në Durrës avancimi nuk qe i lehtë, por mbas 10 ditësh, më 28 nëntor ishin marrë tashmë Tirana dhe Durrësi. Më 29 nëntor u mor Elbasani. 
 

Fillimi i dhjetorit e gjeti ushtrinë serbe dhe mbretin Petar jashtëzakonisht të kënaqur në synimet e tyre. Lufta në parim ishte fituar dhe objektivi për pushtimin e trevave shqiptare të synuara ishte arritur deri në kufijtë maksimalë të ëndërruar ndonjëherë në linjën Durrës, Kavajë, Elbasan, Pogradec, Strugë, Manastir. Edhe shqiptarët besnikë të serbëve ishin tashmë të sigurtë se puna e tyre propagandistike kishte pasur sukses të plotë. Krejt trojet shqiptare nga Ibri e Morava deri në Shkumbin, nga Mitrovica e Podujeva e deri në Strugë, Elbasan e Durrës kishin rënë nën sundimin serb me shpejtësi të rrufeshme dhe me humbje të papërfilllshme. Humbjet e shqiptarëvve në njerëz e pasuri kishin qenë megjithatë tragjike. Masakrat kundër popullsisë shqiptare ishin justifikuar me veshjen e pasojave të luftës dhe me mosinformimin e tyre për synimet “çliruese” të serbëve. Shpërnguljet e popullsisë për t’i shpëtuar masakrave kishin krijuar tashmë një krizë humanitare të plotë. Qytetet e mëdha ishin shumëfishuar me refugjatë që shpresonin të gjenin mbrojtje më të madhe aty. Të tjerët ishin arratisur maleve në pritje të rikthimit në shtëpitë e djegura e të plaçkitura dhe nën kërcënimin e dimrit që forcohej. Vetëm në Shkup numri i refugjatëve kishte arritur në 150 mijë vetë duke e shumëfishuar numrin e popullsisë së qytetit të pushtuar. 
 

Tashmë edhe perandoria zulmëmadhe osmane ishte gjunjëzuar me turp. Forcat bullgare kishin mbërritur deri në dyert e Stambollit duke i shpartalluar forcat osmane në betejën e Lule Burgasit më 2 nëntor 1912 dhe ishin pozicionuar vetëm 30 km larg kryeqytetit osman. Më 3 dhjetor Stambolli pranoi zyrtarisht humbjen e luftës dhe kërkoi armëpushim me tre fuqitë sllave të aleancës që kishin kryer pushtimin e plotë dhe arritjen e objektivave të tyre maksimalë Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Armëpushimi natyrisht duke i dhënë fund luftës zyrtarisht i hapte rrugë organizimit të territoreve të pushtuara nga aleatët sllavë dhe vendosjes së administratës së shteteve përkatëse. Edhe besnikët e serbëve në mesin e shqiptarëve tashmë kishin arsye të ndjeheshin të gëzuar. Suksesi i ushtrive serbe u detyrohej natyrisht shumë edhe atyre, prandaj shpresat që kontributi i tyre në gënjimin e vëllezërve të tyre shqiptarë të shpërblehej ishte i natyrshëm. Më 27 dhjetor 1912 qeveria e Serbisë miratoi edhe aktin e parë ligjor për rregullimin administrativ të territoreve të pushtuara. Në bazë të këtij akti ligjor të titulluar “Dekretligj për rregullimin administrative të territoreve të çliruara” të proklamuar nga mbreti Petar u bë ndarja e re administrative nga prefektura ose qarqe deri tek komuna. Kosova u nda në pesë qarqe apo prefektura me qendër në Prishtinë, Prizren, Noovi Pazar, Shkup dhe Kumanovë. Po ashtu më 9 janar 1913 u miratua “Rregullorja mbi organizimin e viseve të çliruara”. Në fillim të prillit u bë edhe regjistrimi i popullsisë dhe fshatrave me përjashtim të qarkut te planifikuar bregdetar, siç e quanin pjesën e pushtuar rreth Tiranës, Elbasanit e Durrësit, që akoma gjendej nën pushtimin e komandantëve ushtarakë. Në këtë rast nisi edhe rekrutimi i të rinjve shqiptarë për në ushtrinë serbe, me ndihmën e besnikëve të Beogradit dhe me emërtimin mashtrues “batalione vullnetare”. Konvertimet me dhunë të myslimanëve e katolikëve në ortodoksë, shkatërrimet e xhamive dhe vrasja e klerikëve myslimanë e katolikë kishin vazhduar me intensitet e barbari gjatë gjithë dimrit. Disa hoxhallarë dhanë leje (fetva) qe myslimanët në raste të kërcënimeve me jetë të pranonin konvertimin dhe të pagëzoheshin sa për të shpëtuar jetën. Më 7 mars u vra prifti katolik At Luigj Palaj në afërsi të Gjakovës që nuk kishte pranuar konvertimin në ortodoksi. Popi ortodoks i Gucisë kishte pohuar në një intervistë për gazetën “Politika” se vetë ai kishte pagëzuar mbi 10 mijë shqiptarë. 
 

Mirëpo, për habinë e besnikëve të serbisë, ata ishin “tradhtuar” nga ata shqiptarë që nuk kishin rënë pre e propagandës së tyre dhe vazhdonin të mbanin një copë shkëmb me një qytet të tejmbushur me refugjatë në mes të Bunës, Drinit, Kirit dhe Liqenit që mbante emrin e atij qyteti: Shkodrës. Shqiptarët besnikë të Serbisë natyrisht i konsideruan shqiptarët që ishin ngujuar në rrëzë të atij shkëmbi dhe në mes të atyre lumejve si tradhtarë që nuk besonin në “çlirimin” serb dhe në fjalët e mbretit Petar dhe as të mbretucit Nikollë. Cdo ditë që kalonte pa u marrë Shkodra quhej humbje për shqiptarët besnikë të Serbisë. Megjithatë shqiptarët e ngujuar në Shkodër nuk gënjeheshin nga besnikët e sllavëve. Ajo kodër që rezistonte po tregohej “shumë mizore”. Gjithçka ishte dukur e kryer në fund të nëntorit për të tri fuqitë sllave ballkanike. Vetëm në Shkodër gjithçka ishte e pakryer. Vetëm në Shkodër sllavët po sfidohehsin dhe besnikët e Serbisë po tradhtoheshin. Propaganda e besnikëve të Serbisë mori hov aq shumë sa që kur qyteti u dorëzua më në fund mbas një rezistence homerike, për këta besnikë të Beogradit kjo ishte një tradhti e pafalshme. Aq shumë u shqetësuan besnikët e serbëve që Shkodra nuk u dorëzua njëkohësisht me qytetet e tjera shqiptare që në nëntor 1912, sa që ata kanë një shekull që nuk ua falin mbrojtësve heroikë të saj këtë vonesë për ta dorëzuar qytetin tek mbreti Petar e mbretuci Nikollë. Një shekull ka kaluar dhe mëria e besnikëve të Serbisë nuk ka kaluar. Madje as nuk duan ta kujtojnë dhe as ta përkujtojnë atë “tradhti”. Prandaj ata që i zhgënjyen shpresat e besnikëve të Serbisë sot nuk nderohen as nuk përkujtohen, madje prapë edhe tash mbas një shekulli edhe qortohen e etiketohen si “tradhtarë” që nuk e dorëzuan qytetin kur donin sllavët dhe besnikët e tyre.