Enjoying our demo? Submit your e-mail and we will get back to you with personalised offer.

Shoqeri
Fatbardh Rustemi - 13 qershor 2018, 17:47

Teatër me teatrin…

BunkArti dhe Teatri, thuajse ngjitur me njëri-tjetrin, i bashkon një e shkuar, sa e nëndheshme dhe qiellore, ku: çka luhej në skenë ishte krejt tjetër nga ajo që zhvillohej në prapaskenë dhe, si shpërblim një “breshëri duartrokitjesh” dhe për aktorin dhe për atë që dënohej me vdekje. Siç dihet “Teatri partizan” lindi në një kohë me “Gjyqin partizan”, sikurse dhe sot rrezikohen njëherësh të dy palët për shembje, si Pallati i Drejtësisë i kthyer në kazino dhe Teatri, një pjesë e të cilit dikur u përdorur për bingo. Përfytyroni për një çast, Heroin e Popullit, Rahman Perllakun të dalë nga BunkArti dhe Artistin e Popullit, Robert Ndrenikën nga teatri.

Dhe ti shtron pyetjen: si s`ndodhi njëherë që artisti të luante heroin real? I pari, i arrestuar dikur në “emër të popullit”, ndërsa i dyti i dekoruar në emër të tij. (Nga 146 figura të artit, që u persekutuan në diktaturë si “figura të krimit” me: varje, pushkatim, burgim, internim, i gjen në radhën e poetëve, shkrimtarëve, këngëtarëve, piktorëve, muzikantëve, përkthyesve, arkitektëve, regjisorëve, dramaturgëve, dhe asnjë për atë zot nga radhët e aktorëve. Dhe pikërisht këta pretendojnë tempullin e kujtesës, të asaj kohe, ku mëkatarët na hiqen si heretikë?!) Siç dihet, bunkeri atomik shërbente për të ruajtur “kokat e mëdha”, ndërsa teatri për të shplarë trutë e publikut, po ata palo heronj, të cilët vlenin më pak nga tabelat e qitjes. Nëse kishte një vend ku skematizmi qe ulur këmbëkryq, heroi pozitiv i realizmit socialist bënte ligjin, ishte pikërisht teatri, i cili gjeneronte një mediokritet ulëritës dhe tash, po kërkon nderim. Mendoni, afro 10 teatro në të gjithë Shqipërinë Socialiste dhe drama shqipe u asfiksua, kur ajo kishte në dispozicion një hapësirë interpretimi të jashtëzakonshme, sa të gjithë artet e tjera të marrë së bashku, ku arti qe i përjashtuar.

Dhe ç`doli nga e gjithë kjo: konsolidimi i skematizmit bajat dhe njëherësh brutal i mendjeve të zbathura, që, për çudi i mbajnë me gajret. Kemi 40 vite të Teatrit Popullor monist dhe 30 vite të Teatrit Kombëtar pluralist, por, fati i dramës shqipe shkoi keq dhe më keq. Ja që mitingashët, sikurse dhe organet eprore, s`duan t`ia dijnë për këtë dëm. Kur flasin për kujtesë të teatrit, për tempull të memories: i referohen vetëm Teatrit Popullor të kohës së Mihal Popit dhe të Kadri Roshit, ndërsa Teatrin Kombëtar nuk e zënë me gojë, 30 vite nuk janë pak për t`i fshirë nga kujtesa, sepse u vjen zor të thonë se në Teatrin Kombëtar, repertori ka qenë dhe vazhdon të jetë krejt i huaj. Tallje e hapur me të qënit kombëtar. E cila qenka kujtesa e teatrit? Veçse aktorët, që së fundi: po luajnë teatër me teatrin. Është pak t`i thuash marrëzi. Mos i përdorni të mëdhenjtë, për interesa klienteliste!

Nuk kishte poshtërim më telendisës, flas për ata që luanin plot krenari “heroin pozitiv” në drama dhe filma, po marr si shembull vetëm Heronjtë e Vigut të degdisur tek plehërat dhe, cili prej aktorëve që predikonin heroizmin ndër shekuj, e ngritën zërin në mbrojtje të personazheve të tyre, që njëherë e një kohë u ktheheshin në benefice? Punë e madhe: heronjtë në plehëra, ndërsa aktorët në stratosfera! S`mund të priten akte kalorsiake, aty ku skematizmi ka bastionin e vet, duke e kthyer sfidantin në një mjeran. Rrënohet shtëpia muze e Migjenit, Pashko Vasës, Mjedës e me radhë, Ali Asllani, që e recitojnë plot patetizma aktorët e Tetarit Kombëtar, as duan t`ia dinë se ç`bëhet për të, veçse recitojnë vargjet e tij, sikur t`i kenë të vetat. Sulmohet Heroi Kombëtar, poeti kombëtar, pasuria kombëtare, punë e madhe, mjafton që Teatri Kombëtar të mos preket?! Për një karikatinë janë gati të flijohen, sikur me qenë kalaja e Rozafës, sepse fle brenda tyre “shtëpi prej balte e Partisë”!

Pozë, sikundër rolet që luajtën në kohën e heroit pozitiv, i cili, sipas ish-kryeministrit Shehu, nuk duhej të kishte të meta! Kështu që  trashëgimia e heronjve të panjollosur na rishfaqet, në mënyrë krejt groteske, në kërkim të tempullit! Përherë, dogmat tentojnë të kenë një tempull, thotë Hygoi. Të shtunën e fundit të prillit, Teatri Kombëtar (Popullor) shfaqi një premierë të një dramaturgu shqiptar, i cili kishte fituar mjaft çmime gjatë jetës së tij… Regjisor i shfaqjes ishte një burrë i vjetër, i cili gjatë dy orëve u mbyt në djersë nga emocioni. Ai kishte fituar plot tituj e dekorata, që nga “Artist i Popullit” e deri tek “Heroi i Punës Socialiste”.

Sipas subjektit, ngjarja zhvillohej në një mjedis montatorësh dhe aty gruas së një punëtori, infermiere në një qendër shëndetësore, i kishte hipur në kokë të bëhej shofere. Por i shoqi e pengonte. Siç ndodhte në dramat e Realizmit Socialist, më në fund çifti bindet dhe betohet për besnikëri ndaj njeri-tjetrit, por më parë ata betohen për besnikëri ndaj partisë. Madje, gjatë dramës autori kishte vënë në gojën e personazhit femër edhe një frazë të huazuar nga një poet-partizan, i cili atëherë i shkruante të fejuarës së tij nga burgu: “Unë e dua partinë time. Të dua ty, po të duash partinë.” Reminishencat e kësaj parti dashjeje po i shohin në këtë lojë teatrale. Sikur po inskenohet drama “Më shënoni dhe mua”, sa herë bëhet thirrje për mbështetje të protestës. (Citimi i mësipërm është marrë nga libri i Nuri Dragoit “Trebeshina një jetë para gjyqit”. Shkrimtari një jetë para “gjyqit partizan”, edhe pse autor i 77-të dramave të dënuara prej ofiqarëve të Teatrit Kombëtar, duke mos u vënë në skenë ato. Kjo është drama e teatrit dhe jo katramaja e tij! po kujt ia thua?)

Kur shihni tubimin para teatrit, i bashkëngjisni dhe këtë skenë, o zot sa shpejt harrohen vuajtjet dhe viktimat në këtë vend: “Më 18 dhjetor të vitit 1953, kur akrepat e kohës shënonin orën 9.30 minuta dy Kapitenë të Parë dhe një Toger, trokitën me tërsëllimë në portën prej hekuri të Teatrit Popullor, për të shndërruar arrestimin e tij (Kasem Trebeshinës) në një shfaqje publike… Shumica e artistëve apo njerëzve që merreshin me kulturën në atë kohë, firmosnin dhe në borderonë e Ministrisë së Brendëshme, ku paguheshin si spiunë të shokëve të tyre.”-Po nga libri i Nuri Dragojt “Trebeshina, një jetë para gjyqit”, ku do të gjeni dhe këtë pasazh: “Në vitin 1993, ndodhi diçka tepër e çuditshme, e cila mund të ndodh vetëm në Shqipëri".

Ministria e Kulturës Franceze në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të atij vendi akorduan një fond prej një milion e gjysëm franga, ose rreth 250 mijë dollarë për të vënë në skenë kryeveprat e katër autorëve, midis të cilëve tre shqiptarë dhe i katërti i huaj. Autorët ishin: Sartri, Trebeshina, Çajupi dhe De Rada. Por, Ministria e Kulturës Shqiptare, bëri çdo gjë për ta penguar këtë projekt. Dhe më në fund projekti dështoi… Ndaj dhe Kasëmi e sheh veten larg teatrit shqiptar. “Teatri nuk është shtëpia ime”,-thotë ai dramaturgu i indinjuar. Në të gjitha ligjerimet përdoren emra aktorësh, autorët kanë zor t`i përmendin, tek-tuk ndonjë, sepse u ngecen në dorë. Ndaj Teatri, padrejtësisht, është shpallur, si shtëpia e aktorëve. E gjithë kjo nostalgji për godinën e rrënuar nuk është gjë tjetër, veçse po ajo histori pengimi projektesh, sikundër ai i Ministrisë së Kulturës Franceze. (Populli po merr përmasat e një populizmi, pavarësisht se ngrehina të kujton trenin qesharak që endet nëpër Shqipëri me dy vagona gërdallë.)

Ajo që po ndodh me teatrin, në fakt duhej të kishte ndodhur me kinostudion. Fama e aktorëve i dedikohet së pari kinostudios “Shqipëria e Re”, së cilës i ruajtën karabinanë, duke e lënë të plaçkitej barbarisht, si mall pa zot. Sikurse dihet, ca të shoqërisë civile, nuk di a bëjnë pjesë edhe këtu, e ndezën keq debatin duke kërkuar heqjen nga qarkullimi të filmave të kohës së diktaturës, ku luante Robert Ndrenika me shokë. Pra, filmat në kosh dhe aktorët në llozhë?! Kinostudioja, krahasuar me teatrin, ishte e tëra kombëtare dhe filmaxhinjtë po bëjnë namin për teatrin, si kujtesë e vlerave tona. Nuk shkon. Monumenti i kujtesës na qënkish godina e degraduar e teatrit dhe jo kinostudios gjithë hijeshi, tashmë e tjetërsuar?! Do më thonë: kije parasysh, teatrin e bënë italianët, ndërsa kinostudion sovjetikët. Me sa duket mëkatarët kanë nevojë për alibira. Një bunker i stilizuar nga një arkitekt i huaj, italian më duket, u bë shkak, që të sulmohej BunkArti dhe, t`i vihej flaka nga demonstruesit e irrituar, kur kohë më parë një bunker me tamam i kohës së babaqemos, u vu në anë të bulevardit të madh dhe, u quajt një risi e artfaktit?!

Pra, i vërteti nderohet, ai me gjasme blasfemohet?! Kësaj i thonë të luash teatër! Filmi mallkohet dhe teatri bekohet, kur aktorët e mëdhenj duhet t`i jenë mirënjohës së pari filmit?! Nën trysninë e këtij paradoksi m`u kujtua ky pasazh nga libri i Ilir Ikonomit “Esat Pashë Toptani, njeriu, lufta, pushteti”: “Një natë, në teatrin e Virpazarit, kur po shfaqej premiera e dramës “Rrethimi i Shkodrës”, e shkruar nga vetë mbreti Nikollë, ndodhi diçka e çuditshme. Gjatë aktit të dytë, në skenë hyri aktori që luante Esatin dhe sallën e pushtoi zemërimi. Një djalë i ri u ngrit, nxori revolverin dhe ia drejtoi aktorit, i cili thirri: “Mos qëllo se nuk jam Esati i vërtetë!” (Atë të vërtetin e vrau, shqiptari, Avni Rustemi. Nëse do të kishte bërë vaki, të ndodhte e kundërta, të ishe vrarë aktori, kështu siç po torolisen gjërat, ekzekutimi i pashait do quhej i mirëqenë. Sepse për skematizmin ishte ligj: po u vrave në skenë i merr të gjitha nderet. Nëse të ndodh si Rahman Perllaku është muhabet tjetër.)

Gjithsesi BunkArti vazhdon të xhirojë para dhe, dufet opozitare janë çvendosur pak hapa më tej: tek Teatri Popullor, Kombëtar i thonë sot, ku luheshin dramat dhe skenarët sipas midesë së diktatorit Hoxha, që, pavarësisht se nuk i shkruante si knjazi Nikollë, dora e tij ishte kudo. (Një dramë, si “Njollat e murme”, e nënvizoj i Teatrit të Korçës u bë kurban në Tiranë, sepse doli nga rruga e Babazotit dhe, çoi në skëterrë autorin e saj, Minush Jero dhe regjisorin, Mihal Luarasi. Për fat të mirë, vala goditëse nuk i përfshiu aktorët. Të mos harrojmë se dhe vetë Diktatori ishte një aktor i madh. “Enver Hoxha nuk tha asgjë për nënën tonë, (të vdekur), por e filloi dhe e mbaroi fjalën e tij me Titon dhe Jugosllavinë… Unë që tërë jetën kam qënë i përmbajtur në biseda me këdo, në atë rast se ç`më hipi në kokë dhe i them avash Nexhmijes që e kisha në krah: “Më duket se komandanti duhet të ketë qenë aktor teatri”. Enver Hoxha që i kishte veshët pipëz e dëgjoi, zgjati dorën e gjatë dhe pyeti Nexhmijen: Çfarë thotë Durua? Nexhmija ia tha Enverit dhe ai me zë bariton duke m`u drejtuar mua me dorë, tha:

-Po, Duro, ke të drejtë. Unë kam luajtur në teatër kur kam qenë në Liceun e Korçës.”-nga libri me kujtime i Duro Shehut “Mehmet Shehu, im vëlla.”)

Kur duhej një emër për teatrin e ri, siç është rasti i teatrit eksperimental, mori emrin e regjisorit “Kujtim Spahivogli” nisur nga tradita botërore: “Teatri i Stanislavskit”, “Teatri i Bertolt Brecht”, qoftë dhe brenda vendit: teatri “Andon Zako Çajupi” apo “Migjeni”. (Njeriu që nxori nga bodrumi gijotinën e ndryshkur dhe preu në Lion të Francës me mijëra koka, ishte një aktor, i cili ishte fërshëllyer nga publiku i Lionit.) Çfarë s`u tha në mortin e Vaçe Zelës së papërsëritshme dhe Driteroit emërmirë, prej dalëzotësve, vetëm e vetëm pse i nderoi kryeministri i Shqipërisë?! Ndërsa orvateshin t`ia nxinin zinë, Dreteroit të dramave satirë, president Nishani dekoroi në masë: shkrimtarë, aktorë, skenaristë, të cilët e morën famën: veç prej asaj kohe që telendisen kolegë të tyre? Si është e mundur: e njëjta shëmti njërit i njihet për nder dhe tjetrit për turp?!

Nuk di, në e kanë lexuar librin e kolegut të tyre,  regjisorit Viktor Gjika, “Vit pas viti”, të cilin, Rikard Larja e cilëson korçarin shpirtnjeriu si: “Njeriun tmerrsisht të bardhë”? Në vitin 1991, Gjika shkruante: “Pozicioni i dritares sime më lejonte të shihja qartë dhe me hollësi të gjithë shtjellimin e ngjarjes së madhe të asaj dite. Mua personalisht nuk më pëlqeu rrëzimi dhe copëtimi i monumentit. Shkatërrimi i çdo vepre arti, krijon një ndjenjë barbarizmi. Do të kishte qenë më njerëzore heqja natën e monumentit nga piedestali, ashtu si vepruan rusët me monumentet e liderëve të tyre që i hoqën natën dhe i grumbulluan të përmbysura në një park të qytetit. Aty kush do i tall e i denigron, kush do i puth dhe i fotografon.” Pra, është arti që shpallet i shenjtë, kur fetishi i udhëheqësit megalloman kishte marrë rrokopjekthin e tij. Duke iu dhëmbur shkatërrimi i artit, jo se po i dhimbset diktatori, por, i gjithë meraku i tij mos po lëmë shteg të paragjykohemi, si popull i prapambetur. Pra, i vetmi shpëtim mbetet arti.

Se ç`art u bë në Teatrin Popullor e thamë. Po i referohem përsëri regjisorit Gjika: “Si do t`i vinte filli jetës sonë, krijimtarisë sime, në këtë situatë të re që dukej tunduese, por që ishte njëkohësisht aq kaotike? (I njëjti shqetësim: a kishte bërë art në karierën e tij? F.R) Në kinostudio vazhdonte “plaçkitja”…Kur më kanë pyetur se çfarë pengu më ka mbetur në jetë, përsëri atë e gjeta tek puna: “Një film për Sandër Prosin”, thashë. E çmoj mbi të gjithë këtë aktor dhe njeri të madh.” E pra, një film për Sandër Prosin, do u thosha filmaxhinjve. Lëreni mo gërmadhat dhe merruni me statujat! “Kot e ke, më tha ndërgjegjia,/Njerëzit s`janë përherë miq,/Ti pandeh se ata të duan,/Por, në fakt, i ke “armiq”!/I them vetes, pse, s`kanë shkak,/S`kam pushtet, as ofiq…/S`ka të bëjë, ata s`të duan,/ Afërmendsh i ke “miq”.-shkruan aktori Timo Flloko, ndoshta i një linje me parashtrimet e mija. Në se ka një godinë të nëmur, që mund t`i viheshin minat, fillimisht prej komunistëve, meqë në të ishin zogistët, kolaboracionistët, dhe në demokraci: meqë ishte e instaluar egërsia e diktaturës, kjo është godina e ministrisë së brendshme, dy hapa larg teatrit. Askujt nuk i shkon në mend, ta hedhë në tokë atë, sepse godina i ka qendruar kohërave, gjë që s`ndodhi me ata që ushtruan pushtet në to. Krejt e kundërta ndodh me teatrin, meqë të dyja janë projektuar nga italianët…

 

Piktura : Louis Le?opold Boilly: The Entrance to the Theatre de l'Ambigu-Comique before a Free Performance (1819)