Enjoying our demo? Submit your e-mail and we will get back to you with personalised offer.

Politike
Labinot Gjini - 15 qershor 2018, 17:00

Albini po flirton me ateizmin

Një debat në Rrokum TV ndërmjet Shqiptar Osekut dhe Drilon Gashit (hoxhë) ndodhi para dy ditësh. Ky i fundit, pasi dëgjoi Shqiptarin, tha se "po i vjen mirë" që bashkëbiseduesi  i tij "po e shfaq hapur ateizmin e tij sepse ka shumë që janë, por që e fshehin".  Dhe, pavarësisht se hoxha e humbi nga fillimi deri në fund debatin kundrejt Shqiptarit, ai këtu kishte të drejtë : ateista ka shumë më shumë sesa mund të duket sepse një pjesë jo e vogël, për arsye të ndryshme, por sidomos për shkak të profesionit që ushtrojnë, nuk deklarohen fare ose deklarohen rrejshëm. 

Kuptohet se ndër këta  që fshihen ose nuk deklarohen janë të gjithë politikanët tanë. Edi, Saliu, Luli, Eri, Ramushi, Hashimi, Kadriu, Albini, Shpendi, Dardani, Jozefina, Jakupi, Visari, Bilalli, Aida, Xhaviti, dhe kështu vazhdon pafundësisht deri tek Gëzimi... 

Por atë që nuk e dinë shumica është se ateizmi i politikanëve tanë, siç në çdo vend tjetër, është i ndarë edhe nga profesione tjera të cilat janë githashtu prijse të shoqërisë dhe ekonomisë të vendit tonë. Të gjitha këto  janë pjesë në një farë mënyre e oligarkisë sunduese të vendit tonë. Por, profesioni më i spikatur dhe më i përafërt me politikën është ai i udhëheqësit fetar, pra kleri. Bile, në analizën e tij, jo rastësisht, Pierre Bourdieu e përafron më së shumti profesionin e politikanit me atë të priftit.  Në një farë mënyre kleri është udheheqësia politike e mbetur apo e mbijetuar nga bota e vjetër në botën e re (moderne). Në realitet, brenda sojit të vetë, është udhëheqësi e re :  është ajo që sipas teorive të evolucionit ka arritur të ripërshtatet. Dhe ripërshtatshmërinë e ka bërë në saje të një farë kuptim-pranimi të të gjitha dispozitave të reja filozofike, ekonomike e sociale të modernitetit që i ka futur nën shërbimin e sundimit të tyre të vjetër, pra të fesë, për ta ripërtëritur atë. Mirëpo, kjo udhëheqësi fetare, duke i kuptuar-pranuar dispozitat e reja nuk ka pasur si të mos ndahet apo të dallohet për nga mënyra se si e sheh botën dhe vepron mbi të nga ata që janë ndjekës të tyre (populli i thjeshtë). Dhe kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar se një udhëheqës apo udhëheqësi as nuk mendon dhe as nuk beson në mënyrën se si mendon e beson populli i thjeshtë. Ata janë udhëheqës, populli është ndjekës. Ata janë prodhues të dogmave, populli është konsumator i dogmave. Dhe ashtu siç Stiv Jobs që prodhonte Ipadet dhe Iphonet, por që vetë nuk i përdorte ato dhe ua  ndalonte fëmijëve të vetë përdorimin e tyre (të njëjtën gjë bëjnë edhe udhëheqësit e Google dhe Facebook), po ashtu bëjnë edhe udhëheqësit fetar : ata nuk besojnë vetë në dogmat që prodhojnë apo propagandojnë tek populli i thjeshtë. Besimi është për popullin e varfër, për ahmakët, për injorantët, asesi për njeriun e zgjuar, për intelektualin, thoshte bukfalisht një hoxhë në pension. 

Dhe kur hoxhë Drilon Gashi thoshte se ka shumë ateistë që e mbajnë të fshehur ateizmin e tyre, ai mund të ketë menduar edhe tek kolegët e tij dhe sidomos tek udhëheqja fetare.  Ndoshta e ka kuptuar, ndoshta jo. Por sipas debatit që zhvilloi me Shqiptarin, në rrugë për ta kuptuar ishte. Dukej se nuk ishte nga ata hoxhallarët pa ambicie të mëdha. Dukej se ai pretendonte lart dhe se për t’u arritur kjo lartësi duhej të ndahej nga mentaliteti i "xhematit", pra të ndahej nga dogmat të cilat prodhohen ekskluzivisht për të. Të ndahet nga dogmat që prodhohen për xhametin injorant dhe t’i qaset mentalitetit të një udhëheqje e cila ka "dogmat" e veta. Dhe "dogma" e tyre e parë është se nuk ka Zot. Pas shumë leximesh (klerikët nuk lexojnë kurrë librat që lexon populli i thjeshtë si Kuranin e Biblën, por gjithmonë libra filozofiko shkencore), pas shumë përvojash, pas shumë mësimesh rreth pushtetit, ata vijnë domosdo në të njëjtin përfundim ashtu si edhe politikanët,  ekonomistët, ndërmarrësit e mëdhenj, se Zot nuk ka, por se ai i duhet pushtetit. Dhe ashtu si gjithë këta tjerët, edhe ata ua lënë trashëgim pushtetin fëmijëve të tyre të cilët i kanë mësuar, edukuar dhe ushtruar për të qenë udhëheqës të denjë. Bashkë me këtë trashigimi të pushtetit, ata iu trashëgojnë edhe ateizmin dhe menyrën se si ta ruajnë larg syve dhe veshëve të popullit të thjeshtë këtë mentalitet që mbizotëron jetën dhe sjelljës e tyre në rrethe të ngushta. 

Dhe kur flasim për fshehtësinë e ateizmit tek klerikët nuk duhet harruar se e njëjta gjë mësohet dhe trashëgohet edhe nga politikanët. Dhe kjo nuk është trashëgimi e re, por punë e disa gjeneratave tanimë. Dhe gjeneratë pas gjenerate, kapaciteti për të ndarë atë që është nga ajo që duket sikur ka shkuar vetëm duke u përforcuar. Aq është përforcuar saqë me shumë vështirësi e kupton dhe e beson kush se në krye të BIK-ut dhe në krye të Vatikanit është një ateist dhe jo një besimtar. 

Dhe kjo kuptohet më mirë kur i shohim politikanë e klerik të ulur përreth një tavoline luksi ku janë të përjashtuara masat e gjëra. Aty i bashkon pushteti, i bashkon mentaliteti i tyre elitar, i bashkon ateizmi i tyre i fshehur prej masave popullore injorante që meritojnë vetëm të shfrytëzohen.

Mospajtimi i tyre nuk është pra tjetër gjë përpos se si, në çfarë mënyre dhe në çfarë proporcioni duhet të shfrytëzohet populli i thjeshtë dhe injorant. Tavolina i mbledh për këtë punë, pra qysh me ia bë me popullin; çka po të japë unë si politikan ty e çka po më jep ti mua si klerik. Ku po merrë ti e ku po marrë unë. Pajtimi qëndron dhe është tërësisht i nënkuptueshëm tek ajo që duhet ta njohin njëri-tjetrin si pjesë të të njëjtit krah; pra krahut të udhëheqjes me të gjitha atributet e saj ku përfshihet edhe ateizmi si normë superiore e të gjitha palëve të pushtetit në të gjithë dimensionin e tij. 

Këtu nuk bënë përjashtim askush atje lart pavarësisht se cilës faqe të pushtetit i përket. Kjo sepse përjashtimi nga rregulla të tilla do të thotë të perjashtohesh nga vetë pushteti. Pushteti është strukturë e fortë dhe e qëndrueshme, sidomos tek vendet siq i joni ku oligarkia është e ngritur nga jashtë. Nga kjo del se nuk ka klerik apo politikan që është tjetër pos çka e ka bërë dhe e lejon pushteti. Dhe, ndër tjera, atë që nuk lejon pushteti është edhe të besosh në dogma apo ide në të cilat besojnë masat popullore. Pra ateizmi dhe besimi nuk i ndanë politikanët dhe klerikët në mes vete. Të gjithë ateist janë. Është kostumi dhe mbulesa pas të cilës e fshehin ateizmin e tyre që i dallon; është produkti dogmatik që prodhojnë dhe që shesin tek konsumatorët e tyre, njëri dogmë fetare, tjetri dogmë politike. Dhe Drilon Gashi e kishte me të drejtë kur dyshonte se ka ateist edhe më shumë nga sa shfaqen, sepse janë gjithë ato struktura fetaro-politike që nuk shfaqen, por që janë ateist. 

Kur nga kampi kundërshtar Albini u akuzua për flirtim me islamin sepse paska ftuar kreun e BIK-ut me të gjithë suitën e tij, dikush tjetër pa një flirt të Albinit me ateizmin, pra me pushtetin në kuptimin e gjërë të fjalës. Që Albini është ateist kjo nuk paraqet fare problem, përkundrazi. Dhe aq më pak që një ateist shoqërohet me ateist të tjerë si puna e atyre të BIK-ut. Një gjë të tillë e kanë bërë dhe po e bëjnë të gjithë ateistët e tjerë të pushtetit si Ramushi, Thaçi, Edi, Kadriu etj... Këtu Albini nuk bënë përjashtim.  

Ajo që duhet të jetë shqetësuese për përkrahësit e Lëvizjës Vetëvendosje! është flirtimi me pushtetin (oligarkinë sunduese) dhe me përqasjen e tyre të të qenurit lart, larg, ndryshe, të fshehtë e të kamufluar prej popullit që është poshtë. Vetëvendosja!, për dallim nga partitë tjera politike, është nisur nga populli dhe thuhet se burimin atje poshtë e ka, me të është, për të është dhe nga ana e tij luan. Albini nuk është dërguar lart që të bëhet pjesë e kësaj oligarkie sunduese ku të mirat materiale e simbolike i ruajnë dhe i ndajnë në mes vete nën një kamuflazh që mashtron syrin dhe mendjen e atij që është habitur tek inskenimi dhe nuk kërkon se si mund të jetë realizuar e gjithë kjo. 

Albini bënë përjashtim nga politikanët e tjerë sepse vetem nga ai është pritur dhe pritet që ta çmontojë këtë maskë dhe t’i tregojë popullit të tij, qartë, sinqertë dhe prerë se nuk është nga ata. Jo të na tregojë se nuk është ateist, por të tregojë hapur të vërtetën se ç'është pushteti dhe oligarkia e këtij vendi dhe se cilat janë mënyrat e tij (përfshirë këtu edhe instrumentalizimin e fesë) për të qëndruar lart dhe larg nga populli i thjeshtë apo, ndryshe thënë, për ta mbajtur popullin e thjeshtë poshtë dhe larg pushtetit. Pritet nga Albini që të ndihmojë që pushtetin e zënë nga kjo oligarki sunduese dhe e cila e ruan përmes mashtrimëve dhe inskenimëve, t'ja kthejë popullit. Për ta bërë këtë, ai (Albini) nuk guxon të flirtojë me pushtetin dhe as me mënyrat e tij të të bërit dhe mbajtur pushtet. 

Duke e ftuar BIK-un në iftar, Albini nuk ka flirtuar me islamin, por me ateizmi, me pushtetin, me oligarkinë sunduese. Pra ka vepruar në një vijë me oligarkët e tjerë duke u bë pjesë e mashtrimit të popullit. Pjesë e një mashtrimi të madh ku janë të bashkuar klerikët, gazetarët, politikanët, tregtarët. Dhe kjo është e papranueshme për njerëzit  e zgjuar, për intelektualët, vizionarët e këtij vendi të cilët janë në anën e popullit të tyre. Të cilët duan që ndriçimi, dija, e vërteta, të mirat materiale dhe simbolike të jenë produkte që mund të blihen në çdo treg nga konsumatorët shqiptar dhe të mos mbesin pjesë e një tregu të brendshëm dhe të mbyllur të një oligarkie sunduese që fshehë prapa iluzionëve që shpërfaq privilegjët e pakontestueshme që i ka dhënë vetvetës.

 

__________________

Piktura lartë : Cesar Borgia në bashkëbisedim me Makiavelin (në të djathtë i veshur me të kuqe) përpara kardinalit Pedro Loys Borgia dhe sekretarit Don Micheletto Corella. Autori është i panjohur, pikturë e shek. XVI• Credite : Electa/Leemage - AFP