Enjoying our demo? Submit your e-mail and we will get back to you with personalised offer.

Politike
Afrim Fanda - 17 maj 2018, 13:23

Standardi i shtrembëruar i kryeministrit Zaev mbi drejtësinë për shqiptarët

“Unë nuk jam Gruevski, LSDM nuk është VMRO” - i trembur se dalngadal po i del boja, pa i’u skuqur fytyra, deklaroi kryeministri Zaev në një tubim me qytetarët në Tetovë. Dhe me këtë ua bëri të qartë shqiptarëve këndvështrimi i tij për drejtësi kur janë në pyetje shqiptarët, si i konsideron dhe si i parapëlqen ai shqiptarët.

Duke dënuar vetëm periudhën e qeverisjes së VMRO, duke mos u distancuar qartë dhe duke mos kërkuar falje për të kaluarën plot krime ndaj shqiptarëve nga ana e LSDM,  u bë bashkëpërgjegjës për këto krime.

Me kete deklaratë në veçanti, e me politikën e tij në përgjithësi, kryeministri Zaev i ofendoi shqiptarët duke i konsideruar si një popull “i trashë” që harron dajakun dhe krimet, dhe nuk kupton hilen. Z. Zaev do t’i pëlqente që shqiptarët të harrojnë faktin se LSDM është pëgjegjëse për një sërë krimesh ndaj shqiptarëve, në qeverisjen e saj gjatë periudhes 1992 – 1998. Krime që fillojnë me ngjarjet e Bit Pazarit në vitin 1992 , kur  katër shqiptarë u vranë nga policia e 14 të tjerë mbetën me lëndime të rënda, u arrestuan dhe u torturuan rreth 250 të tjerë dhe u bastisën dhjetëra shtëpi. Krime që vijuan me “Aferën e armëve” më 1994, kur pushteti i udhëhequr nga po kjo parti pasi organizoi vet “forca paraushtarake“ me ndihmen e bashkëpunëtorëve të tij në PPD-në e atëhershme,  burgosi me qindra shqiptarë, një nga të dënuarit madje humbi jetën nga keqtrajtimet dhe rrahjet e policisë, e qindra të tjerë ikën jashtë shtetit për t’i shpëtuar keqtrajtimeve dhe burgosjeve. Kriza e sajuar me refuzimin e njohjes së Universitetit të Tetovës që solli protestat  më 1994 kur  policia, nën urdherat e LSDM në pushtet, rrahu barbarisht protestuesit që kërkonin themelimin e Universtitetit  dhe me këtë rast vrau dhe një të ri shqiptar.  Ngjarjet e Gostivarit me 1997 kur policia, nën urdhërat e LSDM, në marreveshje me PPD-në, thjesht ekzekutoi pa gjyq, mu në mes të qytetit, në pikë të ditës, tre të rrinj te paarmatosur qe protestonin pa dhunë, dhe ushtruan dhunë çnjerëzore në mbi njëmijë qytetaret shqiptare te Gostivarit, mu në qender te Gostivarit, gjatë gjthë natës pas protestave.

Edhepse kryeminstri Zaev mundohet t’i iki përgjegjësisë dhe t’a shfrytëzojë rastin e Sopotit si armë për t’a luftuar VMRO-në, e cila vërtetë i la shqiptarët e Sopotit të vazhdojnë të vuajnë dënimin me burg, edhepse kishte dijeni për pafajësinë e tyre, por skenaristët e vërtetë ishin pikërisht  “ekspertët” e Sigurimit Shtetëror nën urdhërat e  LSDM (gjatë qeverisjes së dytë 2002 – 2006) që inskenuan procesin e montuar gjyqësor për rastin e Sopotit në vitin 2003. Ishin pikërisht kuadrot Sigurimit Shtetëror që sot enden të lire nëpër institucionet e shtetit të udhëhequr nga LSDM që ushtruan tortura mesjetare mbi  deshmitarët,  për të siguruar dëshminë e rreme me të cilën dënuan shqiptarët e pafajshëm të Sopotit me 150 vite burg.

Shqiptarët e kuptojnë shumë mirë lojën e kryeministrit Zaev dhe puthadorëve shqiptarë të tij, për ta paraqitur VMRO-në si përgjegjësen e vetme për krimet ndaj shqiptarëve e me këtë LSDM-në si shpëtimtare.  Por nëse përgjegjësia e VMRO në kohë shkon jo më herët se 1998, LSDM si trashëgimtare e drejteperdrejte e partisë komuniste te Maqedonise e më vonë Lidhes Socialiste të Maqedonisë, duke mos u distancuar nga kjo periudhë dhe duke mos kërkuar falje shqiptarëve për këtë periudhë të errët, mban përgjegjësine për padrejtësit, terrorin dhe krimet makabre ndaj shqiptarëve që filluar menjehere mbas “çlirimit” më 1945. Nën moton e të ardhmes së ndritur socialiste për të dy popujt, u pushkatuan, u prenë kokat dhe u dogjën të gjallë jo vetëm ata që luftuan kundër hordhive komuniste sllave, por edhe vet komunistët shqiptarë, bashkëfajtorët e tyre në krimet ndaj popullit shqiptar. 

Shqiptarët e dinë shumë mirë se, mu padrejtësia ndaj shqiptarëve e solli partinë e z. Zaev në pushtet, që shqiptarëve u solli përsëri padrejtësi. Padrejtësia ndaj shqiptarëve i siguroi partisë së z. Zaev, 50.000 vota të shqiptarëve, të cilëve BDI e kriminalizuar ua solli jetën  në majë të hundës.  Mu për këtë, z. Zaev duke ditur të kaluarën e tyre kriminale dhe me këtë vleren e tyre si shërbëtorë besnik, i mbajti të njëjtët në qeveri, i vetedijshëm se BDI mund t’u sjelli akoma vota shqiptarësh në të ardhmen, qoftë si vota për BDI-në në shërbim të LSDM, por edhe drejtpërdrejt për LSDM, si  vota revolte dhe dëshpërimi ndaj BDI.

I bindur që gjeti formulën e nënshtrimit të shqiptarëve, z. Zaev nuk u mjaftua me kaq, por vazhdoi që në qeverinë e tij të mbledhi akoma parti të tjera shqiptare dhe shqiptarë të krimit. Prandaj, në qeveri përfshiu edhe partinë/firmë  private të Menduh Thacit, edhe pse ky kërcënoi paraardhësin e tij në LSDM me “fisin e tij”, mjafton që ishte bashkëpunëtor “besnik deri në vdekje” i Mijalkovit, e me këtë, sot edhe i vet z. Zaev..

Kryemnistri Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij parapëlqejnë shqiptarët fundamentalistë e mundësisht edhe ekstremistë islamik, kultura e vetme e të cilëve do të ishin xhamitë dhe mevludet. Ai parapëlqen shqiparët të zhveshur nga identiteti kombëtar dhe të veshur me petkun e fundamentalizmit dhe ekstremizmit islamik, për të patur më të lehtë si dhe përkrahjen e perëndimit gjatë diskriminimit dhe nënshtrimit të tyre.  Mu për këtë zgjodhi pikërisht krahun ekstremist të Lëvizjes Besa, atë të “Abisë” të Katarit, të Qendrës së Civilizimit Islam,  për t’ua dhënë Ministrinë e kulturës. Kështu,  në vend që të investigonte synimet e dyshimta për interes të vendeve të treta dhe prejardhjen e dhjetëra milionë dollarëve të dyshimta në duart e “Abisë”, që sipas mediave vijnë nga Katari dhe Truqia,  u dha edhe pjesë të pushtetit ne duart e tyre, në mënyrë që të përhapin edhe më shumë e më lehtë ndikimin e tyre tek shqiptarët përmes elementëve të tjerë destruktivë dhe të dyshimtë, fondacioneve, teqeve etj.

Pavarësisht broçkullave të kryeministrit Zaev për drejtësi për të gjithë, shqiptarët e dine shumë mire se i gjithë aparati i shtetit të cilin e udhëheq z. Zaev merr frymë dhe ushqehet me padrejtesinë ndaj shqiptarëve, ashtu siç ishte dhe në kohën e sundimit të VMRO, e edhe në kohën e sistemit monist.  Padrejtësia gjen hapsirë në vet kushtetutën e IRJM dhe regullimin unitar, të cilin kryeministri Zaev e mbron me aq ngulm.

Lufta e 2001 ishte një revoltë ndaj zullumit të trashur, si nga qeverisja e VMRO ashtu dhe nga qeverisja e LSDM, dhe ndodhi pikërisht kur paraardhësi i z. Zaev mendoi se kishte gjetur forumulën për nënshtrimin e shqiptarëve.  Deklarimet, strategjitë dhe veprimet e tij, të njëjta me ato të paraardhësve të tij kur janë në pyetje shqiptarët, na çojnë drejt përfundimit se z. Zaev nuk nxori mësim nga e kaluara, gjë që brengos më së shumti.