Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Berat Buzhala me kritika të ashpra ndaj Edi Ramës dhe Hashim Thaçit: Nuk iu bëhet vonë për futbollistët shqiptarë të Zvicrës

Gazetari i njohur, Berat Buzhala, ka kritikuar ashpër politikanët Edi Rama dhe Hashim Thaçi për shtirjen e tyre kinse interesohen për futbollistët shqiptarë, që luajnë me kombëtaren e Zvicrës.
Albapoli
Albapoli - 26 qershor 2018, 23:50

Këto deklarata, Buzhala i bëri në emisionin Ruski Bar, i cili transmeohet në SuperSport - Digitalb. Duke qenë se çështja e 'shqiponjës' së Xhakës, Shaqirit e Lichsteiner-it u bë top-lajm në mediat botërore, kjo temë nuk mundi të mos diskutohej edhe në emisionin Ruski Bar, ku ishte i ftuar edhe gazetari Berat Buzhala, i cili ishte në lidhje direkte virtuale. "Nuk është provokim të tregosh prejardhjen tënde. Xhaka dhe Shaqiri kanë plotësisht të drejtë të tregojnë se janë me prejardhje shqiptare dhe kjo gjë nuk duhet të përbëjë provokim. Nëse duam të flasim për provokime, unë kam video ku dëgjohen tifozët rusë dhe serbë në stadium duke ofenduar rëndë futbollistët shqiptarë gjatë ndeshjes Serbi - Zvicër. Ata bërtisnin: "Vritini shqiptarët!". Futbollistët shqiptarë në Zvicër kanë qenë në presion të madh para dhe gjatë ndeshjes." I pyetur nga gazetari sportiv Alban Xhihani se çfarë mendon për postimin e Edi Ramës në Facebook, ku kërkonte grumbullimin e të hollave për të paguar dënimet që FIFA ua ka bërë tre futbollistëve të lartpërmendur për gjestin e shqiponjës, Buzhala u përgjigj: "Është qesharake. Rama u tregua komik me atë postim. Padyshim që as atij dhe as Hashim Thaçit nuk iu intereson për fatin e futbollistëve shqiptarë të Zvicrës. "Politika nuk duhet të ngatërrohet me sportin. Nëse unë si gazetar postoj në Facebook, kjo është plotësisht e kuptueshme, por Rama nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë sepse është kryeministër. Ai është ekspert i rrjeteve sociale dhe më shumë merret me to se me punën e kryeministrit. Postimi i tij është vërtet qesharak. Federata e Zvicrës as që do t'i pranonte paratë e grumbulluara nga shqiptarët dhe të jemi të sinqertë futbollistët nuk kanë nevojë për ato para të shqiptarëve sepse pagat e tyre janë të larta. Po të dojë Rama të kontribuojë në sport, le të grumbullojë fonde për ndërtimin e stadiumeve në Shqipëri, e jo të merret me postime në Facebook për shqiptarët e Zvicrës. Por, ai e ka bërë atë postim vetëm sa për të fituar like në Facebook dhe për të marrë poena politike", përfundoi Buzhala. /Nga RINOR GJERGJI/