Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Kombit shqiptar i duhet hekurudha Prishtinë-Tiranë

Një projekt që duhet bërë; një projekt jetik për Shqipërinë tonë
Ramadan Bozhlani
Ramadan Bozhlani - 17 qershor 2018, 22:39

Ëndrra që ishte ushqyer me shpresë përgjatë një shekulli nga shqiptaret e dy anëve të kufirit, sot përjetohet dhe shijohet nga bashkohasit tanë, pa e vrarë mendjen sesi dikur ishte e pamundur ardhja dhe vajtja në këto dy shtete shqiptare.

Përgjatë asaj kohe, shumë shqiptar shkuan në varr duke e marrë me vete ëndrrën që ua la sytë hapur për ta vizituar Shqipërinë ose Kosovën.  

Mbas një shekulli përmallje, vuajtje, dhimbje, sakrifica dhe një luftë me shumë dëshmorë, viktima dhe invalid, sot e gëzojmë lirinë e cila e ka mundësuar realizmin e synimit shekullor, ku me të gjitha llojet e komunikacionit mund të qarkullojmë andej e këtej përveç atij hekurudhor.

Rëndësia e trenit është shumë dimenzionale, por janë dy tipare kryesore që e shquajnë: udhëtimi masiv dhe transporti ekonomik.

Ndërtimi i hekurudhës do ta përforconte ndërlidhjen tregtare duke e ngjallur shpresën tek banoret për të qenë prezent si shitës dhe blerës nëpër të gjithë vendin tonë, Shqipërinë. Në këtë mënyrë do të kishte ngritje, shumëfishim dhe shpeshtim të marrëdhënieve  ekonomike. Po ashtu do të kishte favore të dyanshme në kuadër të këmbimit të eksperiencës, në rritjen e cilësisë dhe në shumëllojshmërinë e produkteve. Dhe kështu përmes trenit do ta mbartnim nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas mirëqenie që do ta fuqizonte bashkëpunimin në mes nesh.

Duke e pasur parasysh dyndjen në sezonin e verës, treni do të ishte një përzgjedhje për shumë udhëtarë, për shkak të shpejtësisë, kushteve komode, atmosferës dhe pamjes që do të na ofronte përgjatë udhëtimit.

Përveç rëndësive të lartcekura që kanë ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin industrial, shoqëror dhe shtetëror, kjo lidhje organike do ta plotësonte mozaikun e llojeve të komunikacionit duke e funksionalizuar tërësisht ëndërrën shekullore shqiptare.

Kështuqë, theksueshëm ndjehet mungesa e trenit, i cili do të rrëshqiste me krenari mbi hekurudhë duke ia shtuar hijeshinë qyteteve, fshatrave dhe natyrës shqiptare dhe përmes zhurmës së tij duke gjallëruar çdo gjë përreth. 

Ky ndikimi dhe roli i rëndësishëm i hekurudhës të lihet jashtë vëmendjes institucionale, të shpërfillet dhe të mënjanohet nga objektivat e qeverive tona, konsiderohet si shqetësim dhe abuzim serioz. Menjëherë mosvëmendja shtetërore mund të justifikohet me mungesën e kushteve financiare. Dhe kur nëpër shtetet tona konstatohet mungesa e kushteve, gjithmonë shikimi kthehet nga mërgata,  ndikimi i të cilës historikisht ka qenë me peshë si ne aspektin atdhetar, ekonomik, politik, lobues, humanitar dhe solidar për shtetet tona.

Andaj ndjehet nevoja e një thirrje tradicionale për ta ringjallur ndjesinë shqiptare anë e kënd botës që t’i vijmë në ndihmë dy shteteve tona për ta materializuar projektin e një hekurudhe kombëtare Prishtinë-Tiranë.

Vetëdijesimi rreth këtij kontributi për t’i jetësuar qelizat e lidhjes organike kombëtare është i nevojshëm dhe me vlera të rëndësishme ekonomike. 

Prandaj çdo kontribut sa do i vogël do të ndihmonte për ta sendërtuar ëndrrën e madhe shqiptare.



Foto është ilustrative. Në foto është stacioni i trenit në Tiranë