Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

“Toyota”-t me 3.4 mln euro, arrestohen 4 persona. Dy, ende në kërkim

Albapoli
Albapoli - 25 qershor 2018, 20:18

Tre milionë e 366 mijë e 800 euro, 80 mijë franga belge, e mes tyre edhe 100 euro false u sekuestruan nga policia në sediljet dhe dyert e dy “Toyota”-ve, të cilat zbarkuan në Portin e Durrësit me një trajler “bizart”.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit njofton se fillimisht është vënë në dijeni nga burimet vendase për ngarkesën e dyshimtë, për të cilën ishin njoftuar pikat kufitare.

Një ditë pas këtij informacioni, në datën 21 qershor – thuhet në reagimin e policisë, – gjatë punimeve të Parlamentit është bërë publik fakti lidhur me një automjet “Toyota Yaris”, brenda të cilit gjendeshin 1.5 milionë euro të zbuluara në Gjermani.

Pak orë pas këtij informacioni, të dhënë nga Lulzim Basha në fakt, në orën 17, një agjenci ligjzbatuese ka njoftuar sërish policinë për ngarkesën me trajler, që do të vinte nga Gjermania, e mes tyre kishte një sasi eurosh të padeklaruara.

Policia shpjegon se, gjatë kontrolleve në mjetin tip “bizart” të drejtuar nga Agim Çeku dhe me pronar Klevi Likën, u zbulua shuma e konsiderueshme e eurove dhe frangave.

Përveç dy shtetasve të mësipërm janë arrestuar gjithashtu edhe Edi Lika, administratori i firmës dhe trajlerit që transportonte makinat, si dhe Alban Mollaymeri. Ata pritet të përballen me veprën e “pastrimit të parave” dhe “falsifikimit të monedhave”, si dhe “armëmbajtjes”.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim dy shtetas nga Peshkopia, banues në Tiranë, të moshës 33 dhe 38 vjeç.

“Kjo është godina nr. 101 në rrugën ‘Niko Avrami’, ku firma ‘Lika’ deklaron se kryen aktivitetin e autoservisit dhe transportit ndërkombëtar të automjeteve”.

Mjediset e firmës ndodhen në një zonë periferike të Tiranës, e njohur ndryshe si “Fusha e druve”. Ndonëse policia ka ushtruar kontrolle në këto mjedise, të hënën puna në ketë biznes vijonte normalisht.

Policia deklaron se shuma e konsiderueshme e mbi 3 milionë eurove ishte porositur nga shtetasit E.V. dhe A.V., që të dy nga Peshkopia, por me banim në kryeqytet./TCH/