Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Librazhd, mbetjet urbane dhe ato spitalore derdhen në përrua

Albapoli
Albapoli - 4 prill 2018, 00:41

Përroi i Lushit, në fshatin Qendër të Librazhdit, prej më shumë se 20 vitesh është kthyer në pikë-grumbullim për mbetjet e qytetit dhe jo vetëm.

Banorët e fshatit janë ankuar në emisionin “Fiks Fare” pasi aty kanë gjetur edhe mbetje spitalore. Gazetarët e emisionit vëzhguan situatën në vendngjarje. Midis mbetjeve gjetën edhe mbetje spitalore si shiringa, aparate serumesh, medikamente si dhe qeska që mbajnë ujin fiziologjik. Sipas banorëve, mbetjet derdhen nga përroi i Lushit në Shkumbin, por ka edhe raste kur ato digjen.

“Ne i shohim çdo ditë që vijnë sjellin plehra këtu. Era e keqe ndihet kudo, këtu s’mund të jetohet. Ne kemi gjetur edhe mbeturina spitalore, dimë ne çfarë nuk hedhin këtu”, shprehen disa banorë. Një tjetër thotë se janë ankuar disa herë, por nuk është bërë asgjë nga ana e institucioneve.

Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” lidhur me këtë problem i janë drejtuar Spitalit të Librazhdit. Nëndrejtori i këtij institucioni, Astrit Askurti e mohon faktin se spitali i hedh mbetjet spitalore në këtë vendgrumbullim, pasi të gjitha mbetjet spitalore merren nga një kompani e tenderuar dhe çohen për përpunim në Tiranë. “Ne nuk hedhim mbetje. Kemi kontrata me një kompani e cila vjen i merr dhe i çon në Tiranë për trajtim. Këtë rast që ju tregoni nuk e kam idenë, ndoshta janë mbetje që i hedhin banorët ose këto poliklinikat e qytetit. Ne kemi pasur kontratë me Meditel dhe tani me një tjetër kompani, Eco Medica”, u shpreh z. Askurti.

“Fiks Fare” iu drejtua poliklinikave të qytetit. Njëra prej tyre është brenda në spital dhe menaxhohet nga ky i fundit, ndërsa tjetra është në qendër. Infermierja e turnit tha për “Fiks Fare” se mbetjet në baze të një kontrate merren dhe çohen në Tiranë për përpunim. Për këtë, ajo tregon edhe regjistrin e faturave të grumbullimit.

“Fiks Fare” për këtë problematikë i është drejtuar Drejtorisë së Shëndetit Publik në Librazhd. Drejtuesi, z. Bashkim Vasku u shpreh se nuk ka patur asnjë ankesë nga qytetarët për këtë rast. Megjithatë, ai premtoi inspektim të zonës.

“Nuk ka patur ndonjë ankesë për këtë rast. Megjithatë, ato mbetje mund të jenë edhe të banorëve, pasi kanë patur në shtëpi ndonjë rast shëndetësor, se ndodh që nëpër fshatra nuk mblidhen këto. Gjithsesi, ne do ngremë një grup inspektimi që të shohim se çfarë ka ndodhur”, përfundoi ai.

Pas insistimit të emisionit “Fiks Fare”, dy ditë më pas Drejtoria e Shëndetit Publik, pasi inspektoi zonën, nëpërmjet një shkrese deklaroi se “në këtë vend-grumbullim u konstatua se kishte të pranishme mbetje urbane, por jo spitalore”. Në shkresë thuhet gjithashtu se “ky është një problem shqetësues për shëndetin e banorëve të zonës përreth, sidomos tani që po afron dhe stina e verës. Jemi vënë në dijeni nga ana juaj se Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Librazhdit ka marrë vendimin për largimin e mbetjeve urbane në inceneratorin e Elbasanit”.

Gjithashtu, ata dolën në përfundimin se zona duhet rehabilituar dhe të ndalohet hedhja e mbeturinave nga subjektet private. “Fiks Fare” i është drejtuar edhe Bashkisë së Librazhdit. Shefi i kabinetit, Albano Roçi tha se janë në dijeni të situatës. “Ne jemi në dijeni që aty prej shumë vitesh grumbullohen plehra, është problem i vjetër. Megjithatë, ne sot morëm vendim që mbetjet e qytetit do t’i çojmë të gjitha në Elbasan. Vendi aty do të pastrohet i gjithi”, premtoi ai.

Këtë problematikë “Fiks Fare” e çoi edhe në Autoritetin Mjedisor Rajonal Qarku Elbasan. Nëpërmjet një shkrese zyrtare ky institucion tha se pranë tij nuk ka ardhur ankesë nga banorët e Bashkisë Librazhd. Po sipas shkresës, Bashkia Librazhd paska një vend-depozitim të mbetjeve urbane me VKB dhe është i pajisur me leje mjedisore. Megjithatë, edhe pse sipas Autoritetit Rajonal Mjedisor përgjegjës kryesor për menaxhimin e mbetjeve urbane është Bashkia Librazhd. Ky institucion do të ngrejë një grup inspektimi për verifikimin faktik të situatës në terren/TCH