Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Citate nga STEPHEN HEWKING

Ibrahim Kelmendi
Ibrahim Kelmendi - 17 mars 2018, 19:33

[shqipëroi nga gjermanishtja: Ibrahim Kelmendi ] Ne nuk jemi asgjë më shumë se një specie majmuni të avancuar në një planet të vogël të një ylli shumë të mesëm. Por ne mund ta kuptojmë universin. Kjo na bën diçka shumë të veçantë. Nëse alienët do të na kishin vizituar, rezultati do të ishte i ngjashëm me të Kolumbos në Amerikë - gjë që nuk ishte mirë për indianët. Ne vetëm duhet të shikojmë veten për të parë se si jeta intelegjente evoluon në diçka që ne nuk duam të përmbushim. Armiku më i madh i dijes nuk është injoranca, është iluzioni i dijes. Drejtojeni shikimin lart, drejt yjeve, dhe jo poshtë, në këmbët tuaja. Së dyti, kurrë mos refuzoni punën. Puna ju jep kuptim dhe qëllim dhe jeta është bosh pa atë. Nëse jeni me fat që ta gjeni dashurinë, mbani mend, ajo është aty dhe mos e hidhni tutje. Këshilla ime për njerëzit e tjerë me aftësi të kufizuara është që të përqendrohen në gjërat ku aftësia e kufizuar e tyre nuk i pengon dhe të mos i zhgënjejnë gjërat me të cilat janë në konflikt. Mos jini edhe mendërisht të paaftë, siç jeni fizikisht. Pra, nëse dikush ankohet se keni bërë një gabim, tregoni se mund të jetë një gjë e mirë. Sepse mungesa e përsosmërisë mundëson ekzistimin tonë. Qëllimi im është i thjeshtë. Është një kuptim i përsosur i universit, pse është ashtu siç është dhe pse ekziston fare. Pyetja se çfarë ishte para fillimit të universit është po aq e pakuptimtë sa pyetja: çfarë është më verior se Poli i Veriut? Me lakminë dhe marrëzinë tonë ne do të shkatërrojmë një ditë veten tonë. Nuk mund të provosh që zoti nuk ekziston, por shkenca e bën zotin të tepërt. Ndryshe nga intelekti ynë, kompjuterët dyfishojnë performancën e tyre çdo 18 muaj. Prandaj, rreziku është i vërtetë se ata do të zhvillojnë inteligjencën dhe do të marrin përsipër botën. Jeta do të ishte tragjike nëse nuk do të përmbante edhe humor. Që 49 vjet jetoj me njohurinë për vdekje të hershme. Unë nuk kam frikë nga vdekja, por nuk po më ngutet të vdes. Unë e shoh trurin si një kompjuter që ndalon punën kur pajisjet e pjesshme i pushojnë së punuari. Nuk ka jetë pas vdekjes për kompjuterët e prishur; jeta pas vdekjes është një përrallë për njerëzit që kanë frikë nga errësira. Nëse universi kishte një fillim, do të mund të supozonim se ai është krijua nga një krijues. Por nëse universi është me të vërtetë i përbmushur në tërësinë e tij, nëse nuk ka kufij dhe asnjë përkufizim, atëherë nuk duhet të ketë pas as një fillim dhe nuk do të ketë as një fund; kështu do ta kishim lehtë për ta kuptuar. Atëherë, ku do të kishte vend për një krijues? Kam parë se edhe njerëzit që besojnë se gjithçka është e paracaktuar nga krijuesi dhe ne nuk mund t’i ndryshojmë, shikojnë mos po rrezikohen para se ta trupojnë rrugën. Arritjet më të mëdha njerëzore kanë ndodhur përmes komunikimit – ndërsa gabimet më të këqija, sepse nuk kanë biseduar me njëri-tjetrin. Për shkak se ka ligje të gravitetit, universi ka krijuar veten nga asgjëja. Ajnshtajni ishte i gabuar kur tha: "Perëndia nuk luan zare". (...) Ndonjëherë ai i ka hedhur zaret, ku ne nuk mund t'i shihnim. Edhe nëse nuk mund të lëviz dhe detyrohem të flas përmes një kompjuteri, unë jam i lirë në kokën time. Ishte një kohë e mrekullueshme për të qenë në jetë. Pamja jonë e universit ka ndryshuar shumë gjatë 50 viteve të fundit dhe jam i lumtur që po jap një kontribut të vogël. (...) Jini kureshtarë, edhe kur mund t’u duket jeta e vështirë, sepse gjithmonë ka diçka që mund të bëni dhe në të cilën mund të keni sukses. Është e rëndësishme të mos heqësh dorë. Ne përballemi me probleme mjedisore të mëdha dhe shumë shqetësuese: ndryshimet klimatike, siguria ushqimore, mbipopullimi, rënia e biodiversitetit, epidemitë, acidifikimi i oqeaneve. Të gjitha këto dukuri na tregojnë se ne jemi në momentin më të rrezikshëm të historisë njerëzore. Para se ta kuptonim shkencën, ishte e vetëkuptueshme të besohej, se zoti krijoi Universin, por sot shkenca ofron një shpjegim tejet shterrues dhe bindës. Kur thash fjalinë “ne do të mund t’i kuptonim mendimet e zotit”, kisha mendimin, se ne do të dinim gjithçka që edhe zoti do të dinte, nëse ai do të ekzistonte. Megjithatë ai nuk ekziston. Unë jam ateist.