Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Shtohen sulmet ndaj parqeve kombëtare në Republikën e Shqipërisë

Edvin Pacara
Edvin Pacara - 18 shkurt 2018, 23:16

Viti i ri 2018 në Republikën e Shqipërisë erdhi me lajme aspak të mira për mjedisin. Një valë e re HEC-esh të vegjël, ndërtimesh masive dhe veprash shkatërrimtare janë planifikuar në parqe kombëtare apo në zona të tjera të mbrojtura. Pas viteve të trazuara ’90 e fillim vitesh 2000, mjedisorët shqiptarë menduan që tashmë mjedisi do të gëzojë më pak trysni nga aktiviteti njerëzor e do ta rimarrë veten. Por shumë shpejtë u dukën re të zeza në horizont për mjedisin shqiptar. Pas shkatërrimit të pjesës më të madhe të burimeve natyrore e privatizimeve të fundit, politikanët dhe oligarkët shqiptarë hodhën sytë drejt copave të fundit të mbetura të paprekura shumë - drejt parqeve kombëtare

Me gjithë sipërfaqen e vogël të territorit, Republika e Shqipërisë ka një biodiversitet (shumëllojshmëri biologjike) shumë të lartë. Malet e luginat e shumta bëjnë që ky territor kaq i vogël të ketë pjesën më të madhe të biomave (komunitet flore e faune që mbulojnë një habitat si p.sh. kënetë). Rreth 30% e llojeve të florës së Evropës gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga bimësia mesdhetare në bregdete, e deri në bimësi boreale.
Por, 28 vitet e fundit kanë qenë shkatërrimtare për florën e faunën në Republikën e Shqipërisë. Megjithëse nuk ka matje të sakta, mendohet që 4 lloje gjitarësh dhe 17 lloje shpendësh janë zhdukur tashmë, dhe mendohet që ka humbje me mbi 50% të numrit të popullatës për një pjesë të konsiderueshme të llojeve të tjera.

Numri total i konçesioneve për HEC-e nuk dihet pasi aferat për marrjen e konçesioneve bëhen duke dhënë rryshfete deri në 200 000-250 000 euro, por nga një përllogaritje e afërt, numri i HEC-ve në të gjithë territorin e Shqipërisë arrin deri në 524. Nga këto, mbi 117 raportohet të kenë përfunduar dhe për 43 HEC-e kanë filluar punimet për ndërtimin e tyre. Kjo valë gjigande koncesionesh për HEC-e të vegjël filloi që në fillim të viteve 2000, me ato më të famshmet për shkatërrimin e parqeve kombëtare që u firmosën disa javë para zgjedhjeve të qershorit 2013. Qeveria pasardhëse u zotua që do të anullojë konçesionet në zonat e mbrojtura dhe në ato zona ku HEC-et dëmtojnë jetesën e banorëve, por në vend të këtij premtimi ajo thjesht dha edhe më shumë konçesione apo i ripërtëriu ato të vjetrat që tashmë kishin skaduar.

Nën sulmin e HEC-eve të parë në parqet kombëtarë ishte Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, ku pat dhe përplasje të dhunshme mes banorëve që mbronin ujin për jetesën e tyre dhe policisë që mbronte oligarkët që morën çdo pikë ujë nga zonë, për ta çuar me tuba në turbinat e tyre. Disa shkuan aq larg, saqë marrin ujin me tuba nga liqenet akullnajore të Parkut Kombëtar të Lurës, për ta çuar në turbinat e tyre. Ndërsa në Parkun Kombëtar Lugina e Valbonës, park i cili vetëm vjet u vizitua nga 40 000 turistë, ishte fillimi i 2015-ës, kur banorët panë për herë të parë buldozerët që filluan të shqyenin shtratin miliona-vjeçar të Valbonës. 14 konçesione janë dhënë për HEC-e mbi Valbonë, e 8 nga këto janë brenda Parkut Kombëtar Lugina e Valbonës.
Tre nga këto HEC-e kanë filluar të ndërtohen, duke shkatërruar pjesë të mëdha të shtratit të Lumit Valbonë si dhe malet dhe pyjet përreth, si pasojë e shpimit të tuneleve ku do të fusin dhe degët e tjera të Valbonës për t’i çuar te turbina. Ndërtimi edhe i një HEC-i të vetëm do të ishte vdekjeprurës për faunën ujore të Lumit Valbonë, sidomos për 2 llojet e troftës që jeton në Valbonë, pasi do të ndërpriste emigrimin e troftës në pjesët e sipërme të lumit e do të grinte troftat që do të kapeshin nga rrjedha e do t’i fuste ato në tubat që çojnë ujin në turbina. Sipas planeve të ndërtuesve, parashikohet që Lumi Valbonë të futet në dhjetëra kilometra tuba, kanale e tunele, për t’u çuar te turbinat. Gjë që përkthehet në zhdukjen e plotë të të gjithë llojeve të peshqve e gjallesave të tjera ujore që aktualisht jetojnë në Valbonë. Gjithashtu, nuk dihet sesa lloje bimësh të shtratit të Lumit Valbonë po zhduken si pasojë e ndërtimeve të HEC-eve.  

Lugina e Valbonës dhe malet përreth, që edhe quhen ndryshe Alpet Shqiptare, janë një oaz i periudhës akullnajore, një vendstrehim ndoshta i fundit për shumë lloje bimësh e gjallesash që nuk jetojnë më në pjesë të tjera të Republikës së Shqipërisë. Në të kemi një shumëllojshmëri të lartë biologjike, me lloje kafshësh alpine e të zonave të ftohta të Evropës, që bashkëjetojnë me lloje të tjera të Evropës Jugore e Juglindore. Lumi Valbonë është arteria kryesore e këtij ekosistemi tepër të veçantë për të gjithë Evropën. Nëse ky lumë ndërpritet apo zhduket në tuba e tunele, atëherë me të marrin fund dhe ekosistemet që ky lumë ushqen.

 

Image

Lugina e Valbonës, nëntor 2016, foto Edvin Pacara

Ndërtimi i HEC-eve ndalohet me ligj sipas ligji të ri Nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, ligj që ka dhe veprim prapaveprues dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka të drejtë të ndërhyjë të pezullojnë punimet për lejet e HEC-ve të dhëna më parë, pasi ligji i mëparshëm krijonte një problem interpretimi, gjë që u shfrytëzua për të dhënë leje për HEC-e edhe në parqe kombëtare.
Pavarësisht kësaj dhe protestave të shumta të banorëve vendas, shoqërisë civile dhe organizmave ndërkombëtare, Parku Kombëtar Lugina e Valbonës po vazhdon të shkatërrohet çdo ditë me bekimin e qeverive dhe indiferencës së pjesës më të madhe të shqiptarëve.

Image
Shkatërrimi i Lumit Valbonë dhe shtratit të tij nga ndërtimi i HEC-eve, foto E.P
 

Rreziku tjetër me të cilin po përballen parqet kombëtare janë mega-ndërtimet, komplekse gjigande që në fakt shkatërrojnë tërësisht ekosistemet e një parku në mënyrë të pakthyeshme. Ka mbi një vit që Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta kërcënohet nga planet e kompanisë MABETEX për të ndërtuar një qytet të tërë brenda parkut, qytet me mbi 2300 apartamente, hotele gjigande, 370 vila, pista për helikopterë, fushë golfi, hekurudhë e rrugë të shumta. Projekti parashikon të urbanizojë pjesën e parkut nga grykëderdhja e Lumit Shkumbin deri në kanalin lidhës së Lagunës së Karavastasë me Detin Adriatik. Nëse ky projekt miratohet, atëherë do të çonte në fundin e ekosistemeve dhe biodiversitetit të parkut. Parku është pika kryesore e shpendëve shtegtarë evropianë në Evropën Juglindore, me miliona shpendë nga 250 lloje sish që folezojnë dhe ndalojnë në Lagunën e Karavastasë. Përveçse një pikë kryesore për shpendët e të gjithë Evropës, parku përmban dhe pyllin e fundit bregdetar në bregdetin e Republikës së Shqipërisë, me pisha qindra-vjeçare dhe me lloje gjallesash që tashmë janë zhdukur nga pjesa tjetër e Ultësirës Perëndimore shqiptare si pasojë e aktivitetit njerëzor. Projekti prek të gjithë popullatën folezuese të shpendëve si pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus), karabullakut të vogël (Microcarbo pygmeus), çafkës së vogël të bardhë (Egretta garzetta), çafkës së natës (Nyctycorac nyctycorax) dhe çafkës së verdhë (Ardeola ralloides), si dhe 15 lloje shpendësh globalisht të rrezikuar e 39 lloje shpendësh të rrezikuar në Republikën e Shqipërisë.Parku është gjithashtu dhe zonë e parë e mbrojtur sipas Konventës Ramsar, konventa botërore për mbrojtjen e ligatinave që paraqesin rëndësi të veçantë globale për biodiversitetin.

Ndërkohë që edhe Laguna e Nartës, ose zyrtarisht e njohur si Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë rrezikohet nga një tjetër mega-projekt. Kryeministri Edi Rama shpalli në janar të këtij viti se në Akërni të Nartës do të ndërtohet një aeroport. Aeroporti planifikohet të ndërtohet mu në zemër të zonës së mbrojtur, duke rrezikuar në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin lagunor pasi mbulon me asfalt një sipërfaqe tepër të madhe toke, si dhe pamundëson folezimin e shpendëve në lagunë. Në lagunë aktualisht jetojnë shumë lloje shpendësh, ku vlejnë të përmenden pelikanët dhe flamingot. Ndërtimi i një aeroporti në këtë zonë jo vetëm që shkatërron ekosistemin përreth, por edhe kthehet në një rrezik për aeroplanët pasi aeroportet nuk ndërtohen pranë zonave që vizitohen shpesh nga shpendët, për të parandaluar ngecjen e shpendëve në turbina, gjë që është fatale për një aeroplan dhe mund të sjellë rrëzimin e aeroplanit.

E ndërkohë që buldozerët po shkatërrojnë apo pritet të shkatërrojnë parqet kombëtare shqiptare, rreziku i përvitshëm nga zjarret e vëna nga njeriu vazhdon.
Gjatë një vizite parvjet në Berat, mësova dhe diçka të hidhur por që tregon sesi mjedisi po shkatërrohet me ritme tepër të shpejta.

“Po del tym andej larg nga Shpiragu. Ka dy ditë që e shoh atë tym dhe nuk shoh ndonjë që po e fik”-i thashë vendasit, të shtëpia e të cilit po buja parvjet në lagjen Goricë në Berat.

“Janë barinj atje që djegin malet për kullota. Kujton se zjarri ndizet vetë? E di sesi i djegin malet? Hipin në majë të malit, marrin goma me vete, mbushin gomat dhe lecka dhe i lyejnë me benzinë, i venë flakën dhe i rrokullisin nga maja e maleve për të djegur pyllin apo malin, pasi është shumë vështirë që zjarri të përhapet nëse e venë vetëm në një vend,” -më shpjegoi vendasi.

Image

Pemë të prera e më pas të djegura në Parkun Kombëtar Qafë-Shtamë, foto E.P

Është fatkeqësi për një popull, që një përqindje e vogël e tij po shfaros mjedisin e atij vendi. Është e dhimbshme të mendosh që ata barinj kanë shtrydhur trurin dhe kanë menduar metoda sa më efikase që të ndezin zjarre e të djegin maksimalisht pyjet, paçka se ndoshta e dinë që pas djegies së pyjeve, erozioni do të shkatërrojë atë shtresë toke për punë vitesh. Ndoshta shumë pak shqiptarë e vrasin trurin për të krijuar biznese miqësore me mjedisin, të cilët mund të jenë të shumtë në Republikën e Shqipërisë, duke parë klimën dhe relievin që ka. Dhe ndoshta shumë më pak e mendojnë sesi ngrënia e panevojshme e tepruar e mishit e shtyn atë bariun që të djegë një pyll të tërë për të pasur kullotë për pak vjet, derisa erozioni të bëjë punën e tij; apo shumë pak mund ta mendojnë se paratë që japin për një apartament në bregdet ende pa filluar ndërtimi i pallatit, shtyn ndërtuesit të ndërtojnë ku të duan e ku të munden, pasi në një sistem pothuajse krejtësisht të korruptuar shkatërrimi nuk ka kufi.
Kombi duhet të udhëhiqet nga parimi “Pa mjedis nuk ka komb”. Me këto ritme që po shkatërrohet mjedisi shqiptar, jo vetëm në Republikën e Shqipërisë, por dhe në pjesët e tjera të trojeve shqiptare, mund të rrezikojmë të mbetemi një komb me troje të shkretuara nga vetë shqiptarët. E në këtë botë të tejmbushur, toka të lira nuk ka. Këtë tokë kemi e nëse nuk luftojmë fort për të mbrojtur mjedisin tonë, atëherë dhe fundi i kombit nuk do të jetë i largët.

Image

Përroi që përshkon fshatin Halil, rrëzë Albanopolisit/ foto E.P