Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Edhe Vitia do të ketë qasje në autoudhën Prishtinë-Shkup

6 qershor 2018, 11:34

 

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka pohuar kyçjen e Vitisë në këtë autostradë. Me këtë postim ministri Hasani i është drejtuar drejtpërdrejtë qytetarëve të Vitisë. Ai ka thënë se në “mbledhjen e sotme të Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit "Rruga 6" (Autostrada Prishtinë - Han i Elezit) [..] është marrë vendim që edhe Vitisë t’i mundësohet qasja në këtë autostradë”.

Autoudha e cila kalon përmes Ferizajit dhe Kaçanikut të Vjetër nuk kishte të paraparë as dalje dhe as kyçje për qytetarët e Vitisë në udhëkryqin e tyre të zakonshëm në Gërlicë. Kjo mangësi do ti kishte detyruar qytetarët e kësaj ane të bëjnë afërsisht 11.6 km më shumë në vajtje-ardhje për tu kyçur me autoudhën e cila i lidh, në njërën anë, me Shkupin dhe, në tjetrën anë, me Prishtinën.

Kyçja ishte paraparë që të bëhet në fshatin Doganaj të komunës së Kaçanikut. Mirëpo, pakënaqësia e qytetarëve të Vitisë ishte shprehur qysh në fillim kundër këtij plani. Në fillim shqetësimet e tyre qenë drejtuar tek udhëheqësit e tyre politik. Mirëpo, qeveria e mëparshme e Isa Mustafës kishte mbajtur veshin e shurdhët, pavarësisht se në këtë komunë kryetari është nga radhët e LDK-së. Nga ana e tij, ish deputeti i LVV, tani deputet i PSD-së, Salih Salihu, kishte tentuar ta përvetësojë çështjen me vonesë në kërkim të pikëve politike. Por, sërish, pa sukses.

Gjersa autoudha po vazhdonte punimet e saja dhe tanimë ishte lëshuar për qarkullim nga Prishtina tek udhëkryqi Ferizaj-Gjilan, qytetarët e Vitisë kishin humbur durimin. Kërkesa e tyre përmes rrugëve institucionale kishte përfunduar tanimë në vesh të shurdhët të qeverive. Ata kishin paralajmëruar ditë më parë edhe protesta masive kundër këtyre vendimeve arbitrare të cilat vetëm sa e përkeqësonin gjendjen ekonomiko-sociale të këtij qyteti, edhe ashtu i lënë mënjanë. Presioni qytetar kishte marrë tanimë përmasa shqetësuese edhe për qeverinë. Kjo, me sa duket, e kishte shtyrë ministrin Hasani dhe mbarë Qeverinë që të reflektojnë arsyeshëm dhe të kuptojnë, më në fund, se një padrejtësi e madhe po i bëhej qytetarëve të kësaj ane.

Sot, siç u mësua, një vendim është marrë për ta kyçur Vitinë me autoudhën Prishtinë-Shkup. Një betejë u fitua nga qytetarët e kësaj ane. “Fitore” do të dëgjohet duke u bërtitur vetëm kur të mbahet premtimi i Qeverisë, pra kur të bëhet kyçja realitet.

Nga Bleona Sylejmani