Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Memento për deklaratën e përbashkët të partive politike në Maqedoni

Albulenë Halili
Albulenë Halili - 13 mars 2018, 13:22

Që nga krijimi i qeverisë së re fatkeqësisht askush nuk e ka përmendur më Deklaratën e Përbashkët të Partive Politike Shqiptare në Maqedoni. Kjo për shkakun se ishin vetë nënshkruesit e saj ata të cilët e braktisën të parët. Shqiptarët u pajtuan të bëhen pjesë e qeverisë, pa kushte, gjegjësisht me kushtet e vëna nga LSDM-ja. Në maj të këtij viti, në emër të shumicës parlamentare, pra edhe në emër të shqiptarëve, kreu i kësaj partie, Zaev, përmes një deklarate me katër pika, zotohej se asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim nuk mund të jenë kushte apo bazë për formimin dhe funksionimin e Qeverisë së Maqedonisë. Lidhur me këtë dështim ekzistojnë dy faktorë: Së pari, mungesa e vullnetit të subjekteve politike shqiptare që të përmbushin zotimet e bëra në këtë deklaratë të firmosur nga vetë ata. Subjektet politike shqiptare lëngojnë nga papjekuria e theksuar politike që i pamundëson të bëjnë dallimin mes interesit partiak dhe interesit kombëtar, apo politikës ditore dhe strategjisë së përbashkët kombëtare. Kjo papjekuri, e kombinuar me influencat e jashtme destruktive në rajon, sjell pasoja të pariparueshme dhe afatgjata për procesin politik shqiptar në këtë hapësirë. Së dyti, shqiptarët kanë dhënë kontributin e radhës për stabilitetin e rajonit. Ata edhe njëherë kanë dëshmuar se janë partnerë të Perëndimit në procesin e rreshtimit të drejtë të Maqedonisë, pas krizës së madhe të orientimit gjeostrategjik, nëpër të cilën ajo kaloi vitet e shkuara. Me një fjalë, shqiptarët kanë pezulluar kërkesat e tyre të parapara në Deklaratë për një qëllim më parësor e që është anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.  Por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se kapitulli i çështjes shqiptare në Maqedoni ka marrë fund.   

Barazia e plotë kushtetuese mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe zbatimi i parimeve jo vetëm të shoqërisë por të shtetit multi-etnik janë parakushtet themelore për ekzistencën e Maqedonisë.