Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Kush e futi Kosovën në krizë energjetike

Pas akrobacioneve të fundit të qeverisë, po hiqet apo po thellohet kriza?
Sylejman Krasniqi
Sylejman Krasniqi - 23 shkurt 2018, 22:31

Ka  më shumë se dy vjet që mediat e paralajmërojnë një krizë energjetike që do të ndodhë në Kosovë. Dhe , çuditërisht, askush nuk është marrë me këtë problem që do të paraqitet tek ne. As qeveria, por as ministritë përkatëse, asnjëherë nuk e kanë shtrua në tryezat e tyre të punës këtë parashikim ogurzi për KEK-un, për  ekonominë dhe për  buxhetin e Kosovës.  Tani që kriza po ndjehet,  dhe do të ndjehet edhe më shumë,  kanë nisë komentet e ndryshme se si  kemi ardhë  deri  tek kjo krizë dhe se si është rruga më e mirë për  daljen nga ky ngërç  energjetik.  A  kemi mundur  ta shmangim këtë mungesë të qymyrit të zbuluar apo kjo na ka ardhë në befasi,  sikurse bora kur na befason në pikë të dimrit?! Për këtë problem  vlerësimet  janë nga më të ndryshmet. Varësisht se nga cili kënd i shikon gjërat,  çfarë interesi  ke në këtë mes  dhe  se  çfarë përfitimi don që të kesh  në këtë hallakamë energjetike. Deri  tani  nuk  lexova ndonjë analizë të thukët dhe objektive për paraqitjen  e mungesës së qymyrit  për  termoçentralet e Kosovës  e kur dihet se ato janë të ndërtuara  vetëm disa hapa larg bazenit më të madh të linjitit në  Europë.

          Si pikënisje e paraqitjes së problemit mirret  mosrespektimi  i  vendimit  të  Kuvendit  të Republikës së Kosovës  numër  94/ 119 të  datës  3 nëntor 2004 dhe numër  02/57 i datës 13 mars  2009 për  shpalljen  si  zonë me interes  të  veçant  për  shtetin  për  një pjesë të fshatit Shipitullë dhe Hade. Tani, pasi po afrohet kriza e mbetjes pa qymyr për termoçentrale, faji po “endet”  korridoreve nga ministria në ministri ( mendoj në Ministrinë e Energjetikës dhe në Ministrinë  e  Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor ) dhe nga  KEK-u  e deri tek Komuna e Kastriotit. Këta  katër faktorë po “ndiqen” me letra se cili e  ka pasë  për detyrim që t'i zbatoj vendimet e Kuvendit të Kosovës  për të penguar ndërtimin e shtëpive në ato toka dhe të mos lejojë parcializimin e atyre tokave.

          Mendoj se problemi  duhet shoshitur që nga zanafilla. Dhe në fillim duhet  të  analizohet dhe qartësohet  se a kanë patur qëllim  Ministria e Energjetikës  dhe e Minierave    dhe  qeveria  që ta zhvillojnë energjetikën e Kosovës, e me të edhe ekonominë  e vendit, apo kanë pasur për qëllim që të  mjelin sa më shumë nga KEK-u  për  interesa  të veta personale dhe klanore? E kjo vlen sidomos pas vitit  2003 - 2004, kur në KEK fillojnë të bëhen ristrukturime të cilat nuk sillnin asgjë të mirë për ardhmërinë e KEK-ut. Këtë e them sidomos për  Divizionin e Qymyrit  i cili kohët e fundit  do të bëhet shkaktari  kryesor  për mungesë të qymyrit të zbuluar.

           Kronologjikisht  po mundohem t'i  rradhis ngjarjet  të cilat e çuan në çoroditje zhvillimin e mirëfillt të zbulesës së qymyrit. Bile kësaj dukurie nuk mund t'i thuhet as çoroditje por thjesht sabotim të përparimit në zbulesës të qymyrit për interesa private e personale, e të gjitha këto në dëm të zhvillimit të ekonomik të shtetit të Kosovës!

          Një grup ekspertësh shqiptarë ( me në krye, të ndjerin, Engjëll Mazrekun, i cili atëherë ishte kryetar i KEK-ut e i cili vdes në vend të punës më 04. dhjetor 2001 ) kishin planifikuar që në vitin 2002 të fillohej me “minierën e re” dmth  me zgjerimin e minierës “Bardh- Mirash” kah veriu në frontin e linjës Grabovc-Palaj. U propozua që të gjithë ekskavatorët e Bardhit të kalonin për të punuar në minierën e re  “Grabovc-Palaj” në mënyrë që të përparohet në zbulesën e qymyrit të mjaftueshëm për termoçentralet ekzistuese por edhe për termoçentralet që do të ndërtoheshin së shpejti sepse në atë kohë nuk kishte kapacitete të mjaftueshme energjetike për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Kështu atëbotë mendonin vizionarët e zhvillimit ekonomik të Kosovës. 

      Tani vetëvetiu lindin shumë pyetje se çfarë hataje e gjeti KEK-un dhe kush e shmangu atë nga rruga e zhvillimit të hovshëm e të domosdoshëm për të mirën e Kosovës dhe për mirëqenien e popullatës së saj?

          -Cili faktor i rëndësishëm i nivelit ministror apo qeveritar e reduktoj minierën “Grabovc-Palaj” në përmasa qesharake të vogla në krahasim me të planifikuarin? Në fillim ka qenë e paraparë që miniera të jetë  mbi 3200 metra e gjerë dhe e cila u konkurronte minierave më të avancuara të Evropës. Tani ajo u tkurrë  në miniaturë. Arben Gjuka, kryetari aktual (dhe ndoshta edhe i përjetshëm) i KEK-ut, dëshiron ta  rrudhë  minierën vetëm në dy hektarë tokë, për aq sa i kanë premtuar dy pronarë tokash në Shipitullë. A nuk është kjo edhe një shaka me opinionin tonë tepër të durueshëm? Kur dihet se vetëm një ekskavator Srs 1300 është i gjatë 183 metra e ku do të jetë fushëpunimi i ati ekskavatori, sipas Arben Gjukës?

          -Kush e largoj institutin “Inkos” nga KEK-u dhe  pse i largoj kuadrot e mirëfillta nga ai institut? Pse nuk u zhvillua në institut të vërtetë hulumtues por u shpëfill aq keq “Inkos”-i ? A ka kuptim që Kosova me gjithë këtë pasuri, mbi dhe nëntokësore, të mos e ketë një institutë shkencor që do të mirrej me analiza dhe studime strategjike për shfrytëzimin e kësaj pasurie të pamatshme?

          -Ku mbetën  239.152.550 euro që u morën  nga qeveria përgjatë viteve 2005-2011 për  zgjerimin e minierës “Grabovc-Palaj” e për të cilën nuk ka pasë nevojë të merret asnjë qindarkë sepse Divizioni i Qymyrit i kishte të gjitha makinat për punë në minierën e re dhe kishte fuqi punëtore të mjaftueshme ? A e din kontrolla e shtetit tonë se ku janë harxhua këto para ? Kur dihet se me një pjesë të vogël të këtyre mjeteve ka qenë e mundur të bëhet eksproprijimi i të gjitha këtyre tokave të cilat u shpallën si zonë me interes të veçant për shtetin. Vlerësohej se po të bliheshin me kohë ato toka nuk do të kushtonin më shumë se 5-6 milion euro. Natyrisht se këtu nuk ishte parapa edhe pjesa që u ”takon” ministrave, deputetëve , zyrtarëve të KEK-ut, zyrtarëve të komunës së Kastriotit dhe ndonjë ndihmaqari tjetër të mundshëm që është lidhë në zingjirin e kësaj kurthe ( ose të këtij laku) për buxhetin e shtetit dhe për planifikimin e “suksesshëm” të kësaj “krize” të “pashmangshme” energjetike! Tani ky çmim e arriti vlerën në mbi 30 milion euro. Cili dha përgjegjësi për këtë pesëfishim të kushtimit? A u morr me këtë sabotim dhe vjedhje të buxhetit prokuroria ose AKI-a? Me çka do të merren këto dy institucione, nëse nuk merren me mosrespektim të vendimeve të qeverisë mbi shpalljen e një territori të vetë për zone të interesit të veçantë?

           Atëherë flitej me të madhe se, me t'u kuptua se nga do të zgjerohej miniera e re, shumë pjesëtarë të qeverive, shumë zyrtarë të KEK-ut dhe të komunës së Kastriotit, kanë blerë toka në ato zona për qëllim përfitimesh personale e në dëm të buxhetit të shtetit (shih për këto gazetën “Koha ditore” të datës 09.03.2006 dhe 12.03.2006).

          -Kush nga KEK-u apo nga qeveria din të tregoj se pse një riparim i një ekskavatori ka kushtua aq sa mund të bliheshin dy ekskavatorë të ri të të njëjtit kapacitet prodhues?

          -Pse u lejua dhe kush e lejoi largimin e 5.000.000 m³ të djerrinës me kamiona dhe me çmim prej  3.00 euro për m³, kur kishte mjaft kapacitete që kjo djerrinë të hiqej me ekskavator, e ekskavatorët( bashkë me ekipet e punëtorëve të vyeshëm) mrizonin nën hije. Kur dihet se ekskavatorët ekzistues në minierë kishin kapacitet të largimit të djerrinës deri në 20.000.000m³ / vit.  Dyshohej se ky ka qenë edhe konflikt interesi. Pra pse iu dhanë 15.000.000 euro dhuratë dikujt nga buxheti i pa dhimbshëm i Kosovës apo nga taksapaguesit tanë? Edhe tani, në muajin gusht të vitit 2017, u hap tenderi për t'i larguar 1.000.000 m³ djerrinë  me kamionë në kohën kur të gjithë ekskavatorët  në largim të dheut( djerrinës) nuk punojnë qe më  shumë se 18 muaj. Ku është kuadri inxhinjerik i Divizionit të Qymyrit që nuk reagon për këtë komplot ndaj buxhetit të Kosovës ? Ku është Sindikata e punëtorëve të Qymyrit dhe ku janë vetë punëtorët që nuk e ngritin zërin për këtë plaçkitje që po ua bëjnë drejtuesit e Qymyrit, të KEK-ut dhe të Ministrive përkatëse?

          Pra filli i paraqitjes së mungesës së qymyrit të pazbuluar është tek mosrespektimi i planit afatgjatë për zhvillimin e minierës që nga viti 2002 e deri në ditët e sotit. Për këtë fajin duhet kërkua tek ekipet e udhëheqjes së KEK-ut  bashkë me Bordin e KEK-ut  dhe të Ministrisë së Energjetikës, sidomos nga viti 2004 e deri sot.

          Kapitull tjetër është ( sipas meje ) se pse dhe kush nuk i respektoj vendimet e Kuvendit të Kosovës kur u shpallën zona me interes të veçant fshati Shipitullë dhe një pjesë e Hadës? Ky tani është një episod i ri i cili shtron shumë pyetje:

          -Pse Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapsinor dhe KEK-u nuk i kanë shpronësuar ato toka me kohë?

          -Pse Minisria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapsinor, Ministria e Energjetikës, KEK-u dhe zyrtarët e komunës së Kastriotit, nuk e penguan ndërtimin e mbi 300 shtëpive të reja në atë zonë? 

          -Pse nuk bëhen publike emrat e deputetëve, të zyrtarëve të lartë të ministrive dhe të KEK-ut të cilët kanë ndërtuar shtëpi, pallate e solitera në prona të fshatrave Shipitullës dhe të Hadës? Kur dihet botërisht se ato ndërtime nuk janë bërë për banim por vetëm për përfitime personale. Dhe tani edhe për t'a sabotuar, me vetëdije, punën në KEK.

          -Kur dihet se me shpalljen e një zone me interes të veçantë në atë zonë nuk lejohet parcializimi i atyre tokave, pse u bë parcializimi në disa prona të asaj zone dhe kush i lejoi?

          -Në vitin 2006 u bë inqizimi i kësaj zone nga punëtorët e departamentit të gjeodezisë të KEK-ut e ku kanë qenë të ndërtuar vetëm 61 shtëpi të fshatarëve autokton e tani janë mbi 300 shtëpi. A do të trajtohen njësoj shtëpitë e ndërtuara para 2006-ës me këto të mëpastajmet? A do të trajtohen njësoj banorët autokton me ardhacakët matrapaz dhe kurdisës të gjithë kësaj krize energjetike e të cilët gjinden nëpër poste në ministri të ndryshme dhe zyrtarë të KEK-ut e komunarë të Kastriotit e deri në ish-deputet të Kuvendit të Kosovës?

          - A do të shpronësohet edhe pjesa e mbetur e Hadës apo ajo do të mbetet si oazë në mes  të shkretëtirës? Nëse i kujtohet opinionit  se para  më shumë se dhjetë vjetësh u paralajmërua se nëse nuk ipen investime në Divizionin e Qymyrit i tërë fshati  Hade do të rrëshqas e do të rrokulliset në minierë. Dhe ato investime u dhanë nga qeveria por nuk dihet se ku mbetën dhe çka u punua me ato para por dihet se Hadja dhe hadjanët kanë mbetë në mëshirën e fatit!

          -Pse nuk merret prokuroria me këto raste? Si mund të rri indiferente prokuroria kur haptazi shihet se po keqpërdoret buxheti i Kosovës dhe djersa e punëtorëve taksapagues? Çka duhet të ndodh që të zgjohet prokuroria? Kësaj çka po ndodhë tani në energjetikën tonë i thonë plaçkitje  dhe sabotim ndaj shtetit në mënyrë të organizuar mirë nga një grup i mirëstërvitur zyrtarësh të ministrive përkatëse, të KEK-ut e posaçërisht të Divizionit të Qymyrit. Jam fort i bindur se prokuroria e din fare mirë se çfarë vendi kanë sabotatorët në Kodin Penal të Kosovës dhe me çfarë “dhurate” duhet të “shpërblehet” ata ( pra sabotatorët)!

          Qeveria e re me stupc në krah nisi ta zgjidh krizën energjetike, thua se ajo zgjidhet me një shkop magjik. Me netë të tëra ekipi i ri qeverisës shkoi në minierë, tek banorët e Shipitullës dhe të Hadës, në zyrat e komunës së Kastriotit e ku nuk shkoi për të lënë përshtypjen se po e zgjidh një problem madhor të cilin nuk kanë mundur  ta zgjidhin qeveritë e mëparshme. Banorëve u premtuan çdo gjë. Në media dolën me deklarata se u pajtuan me banorët që do ua plotësojnë të gjitha kërkesat e tyre vetëm që të shihen disa pamje se gjoja kanë fillua nga puna ekskavatorët, të cilët kanë qenë në pushim të lehonisë për më shumë se dy vjet ( shih gazetën Epoka e Re e dt.27 dhjetor 2017)

           Për këtë sabotim të punës në pastrimin e qymyrit nga djerrina fajin kryesor e kanë Bordi i KEK-ut  dhe drejtoria e Divizionit të Qymyrit  të cilët, me vetëdije , e kanë sjellë gjendjen këtu ku jemi sot. Sepse nga të gjithë dihet se planifikimi duhet bërë suksesivisht  dhe duke  bërë njëkohësisht edhe shpronësimin për të siguruar front të përparimit në minierë. Detyrë e tyre, dhe vetëm e tyre, ka qenë që të ngrisin (qysh para tri vjetësh)  zërin deri në kupë të qiellit për mungesën e qymyrit që do të paraqitet në të ardhmen e afërt. Ata nuk është dashtë, me asnjë çmim, që të lejohet të vihet deri në këtë situatë. Ata duhet t’a bartin fajin edhe për devijimet nga projekti i zhvillimit të minierës që nga viti 2004. Këtë e them sepse vetëm aty ka (apo së paku duhet që të kishte) profesionistë xehetarë për miniera sipërfaqësore. Po, fatkeqësisht, Divizionin e Qymyrit  për  më shumë se 10 vjet e udhëheq përkthyesi nga gjermanishtja, kurse inxhinierëve profesionistë u ipen vetëm direktiva politike dhe ato duhet të zbatohen patjetër sepse në rast të kundërt vajhalli për ta.

          Për  këtë rast nuk mund të lirohen nga përgjegjësia as të gjitha  Bordet e KEK-ut të cilat e kanë  pasur për detyrë që të bëjnë, dhe të përcjellin, strategjinë e zhvillimit të Korporatës Energjetike. E përparimi në heqjen e shtresës së dheut nga qymyri ka qenë dhe është baza e strategjisë së KEK-ut dhe detyra kryesore e Bordit.

          Ditët e fundit të gushtit që shkoi qeveria në ikje u dorëzua para matrapazëve dhe sabotatorëve të qymyrit dhe të “krijueseve” të krizës artificiale të energjisë. Bëri shpronësimin e disa parcelave të fshatrave Shipitullë dhe Hade. Dhe mirë bëri që e filloj shpronësimin. Por a do të shpronësohet i tërë kompleksi i minierës së re “ Graboc-Palaj” apo prapë do të copëzohet në parcela të vogla e do të mbetet mundësia për montime dhe sabotime të tjera të radhës për matrapazët e ardhshëm ? A do të kërkohet përgjegjësi nga sabotatorët për këto vonesa dhe për këto ngecje në prodhim të energjisë dhe për shpenzimet marramendëse dhe krejtësisht të panevojshme të buxhetit të shtetit? A do të aktivizohet prokuroria në zbardhjen e këtyre sabotimeve,  të montimit të krizave artificiale të energjisë, të ndërtimeve pa leje në zonë (të shpallur nga qeveria ) me interes të veçant dhe për parcializimin e kësaj zone nga komunarët e Kastriotit? Apo ndoshta do t'u lihet gjeneratave të ardhshme të paguajnë kostot e mbrapshtive tona!?

           Deri tani KEK-u ka qenë një kullosë e begatshme për një soj matrapazësh, njëkohësisht dhe sabotatorësh, nga radhët e drejtueseve të ministrive përkatëse dhe të zyrtarëve të KEK-ut  bashkë me Divizionin e Qymyrit dhe të Bordeve me përkatësi proporcionale politike.