Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Nxënësja nga Vitia fiton bursë 110 mijë $ për shkollim në Kanada

Albapoli
Albapoli - 22 qershor 2018, 23:15

Vlera (Bashkim) Hasani nga fshati Smirë, komuna e Vitisë, ka fituar bursë 110.000 $ për shkollim në Pearson College UWC në Kanada.

UWC (United World Colleges) është lëvizje globale edukative që e bën edukimin forcë që bashkon njerëz, kombe dhe kultura për paqe dhe të ardhme të qëndrueshme. UWC ka 17 shkolla në 4 kontinente. Studentët e shkollave UWC përzgjedhen nga shtetet e tyre, në 155 shtete, nëpërmjet sistemit unik të komiteteve kombëtare. Përzgjedhja bazohet në potencialin dhe aftësinë që të rinjtë demonstrojnë.

Kolegji Pearson UWC është një shkollë dyvjeçare, e cila tërheq liderë të rinj dhe kreativ nga 150 shtete të ndryshme dhe nga cdo provincë të Kanadasë.

Këta studentë përfundojnë International Baccalaureate Diploma Programme (IB), programin parauniversitar më të njohur ndërkombëtarisht për nxënës të moshave 16-19 vjet.

Vlera Hasani është e vetmja nga Kosova, e cila ka fituar bursë për në këtë kolegj prestigjoz, ku viti kushton 55.000$. Aty ajo do të vazhdojë klasën e 11 dhe 12.

Klasën e 10 e ka përfunduar në kolegjin Mehmet Akif, ku dhe aty ishte me bursë 100%, pasi zuri vendin e parë në Kosovë në lëndën e Gjuhës Angleze në Olimpiadën e mbajtur nga ky kolegj, ku morën pjesë mbi 2.000 nxënës.

Në vitin 2015 është zgjedhur si “Lexuesja e Vitit” në komunën e Vitisë. Në klasën e 9 është zgjedhur si nxënësja më e dalluar e shkollës “Bafti Haxhiu”, Viti. Ajo është e bija e inxhinierit të Ndërtimtarisë Bashkim Hasani dhe profesoreshës së Gjuhës Angleze, Vlora Hasani.

Sikur Vlera edhe nxënës të tjerë me ambicie, mund të hapin horizonte të reja të dijes, duke aplikuar në programe të ndryshme anekën botës./PTv/