Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

MASHT-i me standarde të dyfishta, nxënësve të shkollës së njëjtë u jep diploma të ndryshme

Albapoli
Albapoli - 8 qershor 2018, 17:59

Për vite të tëra, nxënësit që kishin kryer shkollimin e mesëm të mjekësisë dhe kishin marrë titullin ndihmës-infermierë u diskriminuan, kur me të njëjtat planprograme gjeneratave të ardhshme filloi t’u njihej titulli i infermierit.

Titullin e ndihmës infermieres që nga momenti kur u diplomua e mban Besarta Arifi, raporton KTV.

Por kategorizimi i saj në këtë mënyrë, në krahasim me kolegët që u diplomuan viteve të fundit, për të është i papranueshëm.

Si ajo janë edhe rreth 200 ish-nxënës të shkollave të mjekësisë, të cilët, përmes një peticioni të nënshkruar, kanë kërkuar t’u njihet e drejta për barasvlerësimin e titullit të ndihmës infermierit me titullin e infermierit.

Derisa si grup nuk morën përgjigje nga Ministria e Arsimit, në raste individuale disa nxënësve iu lëshuan vërtetime, ku thuhet se ndihmës infermierët kanë përgatitje të njëjtë profesionale me titullin e infermierit.

Kjo për shkak se planprogrami arsimor nuk kishte ndryshuar fare, lëndët ishin të njëjta dhe kishte më tepër.

Por kreu i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi, thotë se asnjëherë nuk i morën parasysh këto vërtetime, të cilat u lëshuan në vetëm në disa raste.

E pas shumë vitesh pritje, Ministria e Arsimit vetëm dy ditë më parë mori një vendim që t’ua njihte këtë të drejtë të gjithë ish-nxënësve që kishin titullin ndihmës infermierë.

Në vendimin për lejimin e ndryshimit të emërtimeve të profileve për katër profile do t’u lejohet që nga asistent infermierë, titulli t’u ndryshohet në infermierë të përgjithshëm, mami dhe infermierë të pediatrisë.

Mirëpo, Ministria e Arsimit nuk ka qenë e gatshme të japë sqarime se si për vite të tëra disa gjeneratave ua dha titullin ndihmës infermierë e disa të tjerë infermierë, derisa planprogrami kishte mbetur i njëjtë.

Kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje se me çfarë baze ligjore në disa raste ishin lëshuar vërtetime individuale, ku vërtetohej barasvlerësimi i këtyre dy titujve.