Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

17 shkurti, festa e marrëveshjës së robërisë sonë

Më 17 shkurt të 2008, Hashim Thaçi me shoqëruesit e tij, nënshkruajtën për një protektorat të përkohshëm ndërkombëtar mbi Kosovën gjersa sovraniteti i saj të negociohej me Serbinë
Labinot Gjini
Labinot Gjini - 12 shkurt 2018, 00:54

Akti juridik i 17 shkurti të 2008-tës, që n’a është paraqitur si shpallja e "Pavarësisë së Kosovës" dhe që jeton nëpër imagjinatën kolektive si shkëputje definitive nga Sërbia, në realitet, është një marrëveshje ndërkombëtare për një statut të përkohshëm mbi teritorin dhe popullësinë e Kosovës.

Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi me grupin negociator kanë nënshkruar, jo shkëputjen definitive nga Serbia, por nënshkruan një marrëveshje ndërkombëtare e cila kishte për synim të parë ndalesën definitive që mbi territorin e Kosovës të mund të shtrihet ndonjëherë sovraniteti i shtetit londinez shqiptar, Republikës së Shqipërisë. Më 17 shkurt të 2008, Hashim Thaçi me shoqëruesit e tij, nënshkruajtën për një protektorat të përkohshëm ndërkombëtar mbi Kosovën gjersa sovraniteti i saj të negociohej me Serbinë për të arritur përfundimisht tek një sovranitet të dyzuar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ky është akti i vërtet që u nënshkrua më 17 shkurt të 2008.

Kuptohet se shumë patriot shqiptar u mashtruan dhe e kanë parë  (disa e shohin ende) këtë akt si një proces i cili të shije natyrshëm tek bashkimi i Kosovës me Republikën e Shqipërisë. Mirëpo, në të vërtetë, ky është iluzioni  i ofruar nga klasa politike e Kosovës dhe mediat e kontrolluar prej saj. Realiteti është tjetër dhe i kamufluar pikërisht nën këtë iluzion të shpërfaqur. Nën këtë iluzion të shpërfaqur qëllimisht për të mashtruar popullin shqiptar fshihet një vizion tjetër i ndërkombëtarëve dhe i pashallarëve të Prishtinës.

E vërteta është se fuqitë e mëdha nuk kanë asnjë interes që të bashkojnë popuj për të krijuar shtete më të forta nga sa janë momentalisht. Po të kishin mundësinë, ato do ti ndanin të gjitha shtetët në pjesë edhe më të vogla nga sa janë tani. Sepse, sa më të vogla që të jenë aq më lehtë është për ta që të shtrijn hegjemonin e tyre. Procesi historik i përshkruar nga Norbert Eliasi për dinamikën e Perendimit është mëse i qartë për atë që ndodhi shekuj më parë dhe është gjithmonë po aq aktual dhe i aplikueshëm për të analizuar gjendjen e tanishme. Duhet kuptuar se shtetët e fuqishëme janë në një konkurencë të vazhdueshme me njëra tjetrën, tani më shumë se një shekull, për të monopolizuar ndikimin mbi pjesës tjetër të botës. Në këtë konkurencë për kontroll çfarë  do ti duheshin atyre pengesa të reja, siç përforcime të shtetëve të zhbëra apo të shfuqizuara më parë ?! Në anën e tjetër, pashallarët e Prishtinës kanë vetem hallin e pashallëqeve të tyre. Është e pamundur për ta që të kuptojn se në cilat ndërlojëra janë duke luajtur ndërkombëtarët dhe çfarë vendi zë çështja shqiptare në këto ndërlojëra të tyre. Ata i lexojn ndërlojërat ndërkombëtare vetem nga prizmi i tyre provincialist dhe nga interesat e tyre të shtrira në këtë provincë të botës (Kosovës). Pashallarët nuk janë zgjedhur rastësisht nga ndërkombëtarët. Ata janë të zgjedhur mbi kriterin e aftësisë që kanë për të kuptuar se sa ata mund të përfitojn si individ apo si grup nga ndërlojërat e ndërkombëtarëve. Besa, edhe mbi kriterin e paaftësisë për të synuar në nivel kombëtar.

As Evropianët as amerikanët nuk janë të interesuar që Kosova të bashkohet me Republikën e Shqipërisë. Këtë ata asnjëherë nuk e kanë bërë mend, realisht. Por, në anën tjetër, ata kanë bërë mend se si të mos lejohet që një gjë e tillë të ndodh. Kuptohet se, ata nuk duan që Kosova të bëhet sërish pjesë e Serbisë. Këtë nuk po e themi. Por, janë të pajtimit që Serbia të ketë një të drejtë gati sovrane mbi Kosovën ;  një lloj ortakërie në mes Prishtinës dhe Beogradit. Republika e Shqipërisë në këtë mes është e përjashtuar de jure me aktin e 17 shkurtit 2008. Kurse Serbia nuk përjashtohet nga ky akt askund, gjë që duket edhe nga negociatat e pafundme që erdhën pas ; gjë që vërtetohet edhe nga implementimi i Gjykatës Speciale e cila e ka për qëllim, jo të gjykoj krimet e luftës, por që ta gjykoj luftën e Kosovës duke e rehabilituar Serbinë si viktimë të një komploti ndërkombëtar.  Për më tepër askund në asnjë material  nuk theksohet se Kosova heq dorë nga çdo bashkim me Republikën e Serbisë. Mirëpo, shumë dokumente e theksojn hapur se Kosova heq dorë nga bashkimi me Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu, me aktin e 17 shkurtit 2008 pashallarët e Kosovës kanë pranuar që populli shqiptar i Kosovës të marr statutin e një komuniteti dhe të heq dorë nga statuti i kombit. Prandaj, nga 17 shkurti 2008 shqiptarët e Kosovës juridikisht nuk janë më shqiptar. Këtu disa do të thonë se ata nuk ishin edhe më parë gjatë kohës së jugosllavisë. Por dallimi në mes asaj kohe dhe kohës së sotme është se asokohe shqiptarëve të Kosovës ju imponua një statut nga një pushtues dhe, i cili, de facto, të njihte si shqiptar. Kurse, nga 17 shkurti 2008 shqiptarët e Kosovës hoqën dorë nëpërmjet “përfaqësuesëve të tyre” nga kombi i tyre dhe pranuan statutin e një komuniteti apatrid (të pakomb). Në një far mënyre, ishte vullneti i shprehur nga vet shqiptarët dhe jo i imponuar nga të tjerët. Ne pranuam statutin e një komuniteti siç e kanë ciganët apo romët. Me 17 shkurt 2008, ne hoqëm dorë nga bashkimi me shtetin amë shqiptar. Ne hoqëm dorë nga akti juridik i 28 Nëntorit 1912 të Vlorës ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë (dhe jo e Republikës së Shqipërisë apo e shtetit londinez shqiptar) ; akt i cili u bë projekt historik i aspiratave shqiptare. Me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë të 1912 është shpall de jure edhe Kosova, si dhe teritorët tjera shqiptar si pjesë të një shteti të vetem shqiptar. Pra, më 28 Nëntor 1912 Kosova gëzon pavarësinë de jure të saj dhe, më 17 shkrut 2008, e humbet atë. 

Cila ishte ëndërra për një shekull e shqiptarët dhe  për çfarë luftuan ata ? Ëndrra shqiptare, lufta e pandalshëme, përpjekja e gjeneratave të tëra ishte që ky akt juridik i 28 Nëntorit 1912, që i ofronte pavarësinë de jure të gjitha teritorëve shqiptare, të bëhej edhe de facto. Pra, synimi ishte që sovraniteti i Tiranës zyrtare të shtrihej mbi teritorët e saja të okupuara nga fqinjët e saj. Por çfarë bëmë ne realisht me 17 shkurt 2008 ? Ne e hodhëm vet posht aktin juridik të 28 Nëntorit 1912 me një akt tjetër juridik, i cili tanimë ja ndalon çdo ndërhyrje Tiranës zyrtare mbi çështjen e Kosovës. Tirana zyrtare pas 17 shkurtit 2008, de jure, nuk ka punë më me Kosovën. Jo sepse ja ka ndaluar Serbia, por sepse ja kanë ndaluar vetë shqiptarët e kësaj ane. Gjersa Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943-2 janar 1944)  kishte rihedhur në tavolinë vullnetin e shprehur më 28 nëntor 1912, akti i 17 shkurtit rihodhi nga tavolina po atë vullnet. Pavarësisht se na është dukur shumë i poshtër intervenimi i Aleksandër Vuçiçit kur e pyeste Edi Ramën se çfarë i hynte në punë atij çështja e Kosovës, fakti është se ai përsëriste po atë pyejte që ja bënte edhe Enver Hoxhaj si ministër i jashtëm atij apo edhe shumë "analista" tjerë në Kosovë të cilët e duan këtë të fundit sa më të mbyllur me Shqipërinë dhe sa më të hapur me Serbinë.

Në të vërtetë, gjendja reale është edhe më e keqe nga sa po paraqitet këtu pas 17 shkurtit 2008. Pashallarët e Kosovës, jo vetëm se e kanë kontonuar de jure çështjen e Kosovës si çështje në mes Beogradit dhe Prishtinës, por ata edhe janë dhënë me mish e shpirt që Kosova të bëhet një entitet, komunitet i ri, i veçant, me gjuhë, rite, simbole, histori, dëshmorë, data festive të ndryshëme nga ato të Republikës së Shqipërisë. E gjithë kjo që populli i Kosovës të bëhet një komunitet i veçant në mes Beogradit dhe Prishtinës dhe jo, kurrësesi, në mes Prishtinës dhe Tiranës. Tirana edhe de facto, sipas planit, duhet të përjashtohet. Gjë që edhe po implementohet përmes këty festave, riteve, simbolikave, emblemave e flamurit përmes një propagande të organizuar nga mediat e paguara prej Beogradit dhe qarqeve të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare.

Në anën tjetër, që populli shqiptar ta përbij këtë kafshatë të tjetërsimit të tij de jure dhe de facto, pashallarët e Kosovës nuk përtojn që ti fryjn iluzionëve tek “ideologët” e bashkimit shqiptar. Dhe, këta patriotët tanë të kapur pas iluzionëve (fëmijnore), por të mbështjellura shpesh pas interesave vetjake dhe partiake të momentit, besojn se “pavarësia” e Kosovës është një etapë e cila të shpije natyrisht tek bashkimi shqiptar. Gjithmonë sipas tyre, një etapë e tillë quhet "avancim" dhe prandaj duhet festuar. Marrëzira të tilla që nuk mbesim pa i dëgjuar përditë edhe nga ata që, ndoshta, i kemi konsideruar si njerëz të mençëm dikur.

Mirëpo, përtej këtyre iluzionëve, shoqëritë njerëzore, kombet, politika, diplomacia nuk kanë asgjë të bëjnë me natyrën dhe nuk kanë asgjë të bëjë me të natyrshmën. Ato drejtohen, krijohen, shëndërrohen nga kushtet, nga mendja, nga vizioni dhe nga vullneti i njerzëve. Dhe vullneti i njerzëve të pushtetit rrall herë kalon pa u materializuar në akte juridike siç ajo e 17 shkurtit 2008. Pra, të gjitha këto kanë të bëjnë me artfaktin dhe jo me natyrën. Asgjë nuk do të rrjedh natyrshëm, por çdo gjë do të bëhet sipas qëndresës që populli shqiptar i Kosovës  ofron për të mbetur vetja e tij dhe për ti dhënë fatit të tij udhën që dëshiron si shoqëri dhe si komb shqiptar. Deri më tani është e qartë se jemi të humbur dhe realiteti është se  akti i 17 shkurtit,  cili i vuri barierë juridike Tiranës zyrtare për të kërkuar të drejtën dhe të drejtat e saja mbi Kosovën, por mund të cilësohet edhe akti i cili i dha frymë ndarjës shpirtërore të kombit shqiptar, po quhet "festë". Festa e cila na shëndërroj nga komb në komunitet dhe i cili hapi rrugën për realizimin e shpirtëzimit të komunitetit “kosovar”. Akt i cili i dha mundësinë Beogradit që çështja e Kosovës të mbetët çështje eksklusive e tij. 

Kështu, populli shqiptar i denjët, i cili e kishte zakon të festonte vetem fitoret, duket sot  i humbur, i nënshtruar, i stagnuar në kohë duke festuar vjetorët e marrëveshjës së robërisë së tij. Në të njejtën kohë ka harruar aspiratën e tij historike të vulosur më 28 nëntor 1912 nga mbarë shqiptarët e mbledhur në Vlorë. Akti i 28 Nëntorit 1912 është festa e cila përmbledh çdo fitore shqiptare faktike e cila futet nën petkun juridik të shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë. 17 shkurti mund të festohet nga shqiptarët vetem nëse rimerrë perspektivën e një fitore të tillë. Një fitore e cila të shpije në bashkim kombëtar. Gjë që nuk është në origjinë dhe nuk ka marrur edhe më sot një trajtë të tillë.