Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Rruga e Kombit me tarifë më të vogël për banorët e Kukësit thotë Gjiknuri

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Damian Gjiknuri është shprehur se negociatat me koncesionarin vijojnë, tha se do të ketë tarifë të reduktuar për banorët e Kukësit.
Ermal Bislimi
Ermal Bislimi - 14 prill 2018, 15:15

Sipas tij përfitojnë mjetet e transportit publik e përdoruesit e shpeshtë.

“Jemi duke negociuar me koncesionarin por njëkohësisht duke u konsultuar edhe me popullatën për të gjetur një zgjidhje për një tarifë të reduktuar për banorët e këtyre zonave, sidomos për transportin publik dhe qytetarët që e përdorim më shpesh rrugën Kukës-Tiranë. Nga ana tjetër, dua të them që kemi filluar edhe me evidentimin e të gjitha mjeteve që janë të targuara në Kukës. Jemi duke bërë krahasimet me banorët që janë pjesë e këtij komuniteti dhe që i zotërojnë këto mjete, në mënyrë që të trajtohet ajo fashë e njerëzve që preken nga ky koncesion dhe që jetojnë në Qarkun e Kukësit. Është një proces i filluar mirë dhe besoj brenda një periudhe shumë të shkurtër, përpara se të fillojë dhe njëherë funksionimi i pagesave të Toll-it, ne do të kemi një zgjidhje. Besoj do jetë shumë e pranueshme por njëkohësisht nuk cenon edhe efektivitetin e kontratës, nuk cenon mbarëvajtjen e kontratës për mirë menaxhimin e kësaj rruge”, nënvizoi Gjiknuri.

Ai ka inspektuar kantierin për dublimin e urave në aksin rrugor Kukës-Morinë. Brenda këtij viti, aksi që lidh Kukësin me Morinën, pjesë e Rrugës së Kombit do të jetë i përfunduar me urat e dubluara dhe elementët e sigurisë rrugore.

Kreu i ARRSh-së Afrim Qendro sqaroi se tanimë janë programuar fondet dhe do të garantohet përmbyllja e dy kontratave të zvarritura prej vitesh e që kanë të bëjnë me përfundimin e 7 urave. Sipas tij, mos kryerja e investimit në kohë dhe defektet që e kanë shoqëruar në fazën e zbatimit, kanë shkaktuar tashmë mosrakordim të trupit të rrugës me urat dhe veprat e artit janë në disnivel. Për këtë shkak, ARRSH ka filluar procedurat për plotësim rakordim masash mbrojtëse dhe siguri rrugore në viaduktet e aksit Kukës- Morinë.

Në fillim kur u vendosën këto tarifa Shqipëria u bë me nivelin më të lartë të tarifave të vendosura ndaj një investimi publik vetëm për mirëmbajtje, me 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët.

Ekspertët nga Drejtoria e Përgjithshme të Rrugëve pohojnë se zakonisht për mirëmbajtje tarifat në maksimalen e tyre janë 2.5 euro për 100 kilometër. Ndërsa kontrata e mirëmbajtjes për rrugën e Kombit është vetëm për aksin, Milot- Morin që është 101 kilometër.

Tarifa më të larta koncesioni aplikohet për tunelet në Itali që lidhin zonat turistike të Mont Blanc, që janë zona turistike që japin më shumë se dy versione për lëvizje.

Rruga e Kombit është një investim publik që i ka kaluar të 1 miliardë euor-t, teksa koncensioni i saj do të funksionojë vetëm për mirëmbajtjen. Ekspertët pranë koncorciumit Catalyst që do të menaxhojë koncesionin pohojnë se tarifa është e lartë për shkak të lëvizshmërisë së ulët. Por tarifa gjithashtu rrezikon të kthehet në bumerang për trafikun dhe të ulë më tej lëvizjet e makinave në autostradë.

Image

Aplikimi i taksës në rrugën e Kombi është shumë e lartë sidomos për mjetet e transportit të mallrave e cila duhet të reduktohet. Bashkë me pagesën 20 euro për skanimin në doganë që është një taksë ekstra që nuk aplikohet në asnjë vend të Europës, pagesa prej 22,5 eurosh në rrugën e Kombit do të zhvlerësojë tërësisht tregtinë me Kosovën dhe më tej nëpërmjet kësaj autostrade. Shume prej 43 euro është një kosto e lartë për bizneset, të cilët do të shohin mundësi të reja tranzitimi.

  • Vlen të theksohet se mirëmbajtja në Rrugën e Kombit është dhënë për një afat 30-vjeçar. 
Image