Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Xhaferi: Presidenti nuk dëshiron të komunikojë me askënd

Albapoli
Albapoli - 30 qershor 2018, 22:26

Presidentit të shtetit i është bërë praktikë që të mos nënshkruajë dekrete dhe të përzihet në punën e pushtetit ligjvënës. Me këto fjalë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, e shpjegoi vendimin e Gjorge Ivanovit, i cili refuzoi ta nënshkruajë dekretin për Marrëveshjen me Greqinë.

Xhaferi tha se Ligji për gjuhët dhe Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes do të dërgohen në Gazetën Zyrtare vetëm me nënshkrimin e tij, duke theksuar se Presidenti nuk e respekton Kushtetutën.

“Sigurisht se të dy ligjet duhet të dërgohen vetëm me nënshkrimin tim, me arsyetim se institucioni tjetër ka refuzuar ta përmbushë obligimin e tij kushtetues, respektivisht ta nënshkruajë dekretin, edhe pse sipas Kushtetutës, ligjet janë miratuar me shumicën e duhur. Prandaj, dihet saktësisht se kush nuk e ka kryer obligimin”, tha Xhaferi.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, gjithashtu deklaroi se pas rivotimit të Ligjit për gjuhët, ka tentuar që të takohet me Ivanovin, por siç pohon, Presidenti akoma nuk i ka përgjigjur ftesës së tij.

“Nuk kam qenë aq egoist që të them nuk dua të komunikoj. Derisa komunikoj sipas procedurës, vetvetja ime nuk është e goditur, të mbyllem në vete dhe të them nuk do të komunikoj. U përpoqa që të komunikoj dhe të shpjegohemi për gjërat për të cilat ai konsideron se duhet të shpjegohen, por ai ka vendosur që të mos i përgjigjet kësaj kërkese”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i kuvendit të RM-së, raporton TV21.

Sipas Xhaferit, ka dy opsione për shpalljen e referendumit për Marrëveshjen me Greqinë. Njëri version është që ai si kryetar i Kuvendit me propozim të deputetëve, të thërrasë një seancë për të marrë vendim rreth shpalljes së referendumit, pa datë kur do të mbahet i njëjti.

Në këtë rast, referendumi do të duhet të mbahet nga 60 deri në 90 ditë pas marrjes së vendimit.

Versioni i dytë është që të merret kërkesë me një datë të caktuar dhe më pas, ai si kryetar i Kuvendit, ta llogarisë kohën që të mund t’i respektojë të gjitha parimet kushtetuese të afateve.

Xhaferi njëkohësisht, shtoi se duke gjykuar sipas të gjitha deklaratave të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pret që opozita të dalë në referendum, por nuk deshi ta komentojë lidhur me atë se si do të formulohet pyetja e referendumit.