Abonohu dhe
perfito nga
ofertat

Vazhdojnë masakrat ndaj myslimanëve në Myanmar

Më shumë se 9000 qytetarë të besimit islam janë vrarë nga gushti i vitit të kaluar në Republikën e Myanmarit.
Albapoli
Albapoli - 10 qershor 2018, 22:18

Republika e Myanmarit, shtet në Azi, që kufizohet me Bangladeshin, Indinë, Tailandën, Laosin dhe Kinën, është i njohur në mbarë botën për trazirat ndërfetare që ndodhin atje. Popullsia e këtij shteti përbëhet prej tre besimeve kryesore: budizmi, krishterimi dhe islami. Por, mes budistëve dhe myslimanëve ka vazhdimisht konflikte. Budistët, që përbëjnë 88% të popullsisë së përgjithshme kanë filluar një fushatë të dhunshme ndaj pakicës myslimane (4,3%), duke i sulmuar ata dhe duke iu shkaktuar dhunë barbare. Periudha më e dhunshme ishte gjatë muajve Gusht - Shtator 2017, ku u vranë më shumë se 6,700 myslimanë (mes tyre afro 800 ishin fëmijë). 69% e viktimave kanë pasur fatin të kenë vdekje të shpejtë, duke qenë se janë ekzekutuar me armë, kurse pjesa tjetër janë rrahur për vdekje dhe janë djegur të gjallë. Bashkësia ndërkombëtare ka reaguar, duke dënuar ashpër trazirat, si dhe duke dërguar ndihma. Dr Sidney Wong, mjek i MSF (Médecins Sans Frontières), rrëfeu ngjarjet e rënda: "Kam parë familje të tëra, që janë djegur të gjallë. Situata është e rëndë. Këta njerëz kanë parë ferrin me sy." Shumë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe shumica kanë kaluar kufirin, duke kërkuar strehim në Bangladesh, por ky shtet është marrë vesh me Qeverinë e Myanmarit, që t'i rikthejë myslimanët në Rakhine. Organizatat e ndryshme për të drejtat e njeriut kanë dënuar ashpër marrëveshjen mes dy qeverive të lartpërmendura.  Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Myanmarin të ndërmarrë masa, në të kundërt do të përballen me pasoja. Ndërkohë nuk ka munguar reagimi i zyrtarëve të Myanmar, duke përgënjeshtruar lajmet se po kryhen masakra ndaj myslimanëve. Ata kanë insistuar se këto janë trillime. Dy gazetarë të Reuters provuan të filmonin, por u arrestuan nga policia në Myanmar. / Nga: RINOR GJERGJI /